Postuar më: 12/09/2019

Denaj: Shqipëria, në vëmendje të investitorëve të huaj në sektorin automotiv

Qeveria shqiptare është e vendosur në angazhimin e saj për të mbështetur investitorët e huaj dhe ata vendas të që rrisin investimet dhe të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Gjatë një vizite në një kompani italiane që operon në sektorin automativ në vendin tonë, Ministrja Denaj tha se rritja e investimeve të huaja është objektiv i qeverisë, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Ministrja tha se investimet e huaja shënuan vlerën e rreth 535 milionë eurove për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, 10,1% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, një tregues shumë i mirë që premton se edhe për këtë vit do të arrihet i njëjti nivel i investimeve të huaja direkte si vitin e kaluar.

Ministrja vizitoi nga afër ambientet e kompanisë Giobert Albania, 100 % kapital Italian, e cila operon në industrinë automotive që prej vitit të kaluar, në zonën e Rrashbullit, Durrës. Kompania aktualisht ka 50 punonjës dhe synon të dyfishojë numrin e tyre brenda këtij viti. Vlera e përllogaritur e këtij investimi është 250 mijë euro, ndërsa riinvestimi i planifikuar deri në fund të 2020 në makineri është deri në 500 mijë euro.

Gjatë bashkëbisedimit me drejtuesit e kompanisë, Ministrja Denaj u njoh mbi arsyet se përse ata zgjodhën Shqipërinë për investimin e tyre, të cilat lidhen me avantazhet që vendi ynë ka përsa i përket moshës së re të forcës së punës, kualifikimit të saj, vëmendjes që qeveria po kushton në vitet e fundit për arsimit dhe trajnimin profesional, por edhe asistencën e investitorëve të huaj nëpërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, para dhe pas nisjes së aktivitetit të tyre ekonomik.

“Sektori automotiv është shumë atraktiv sot. Gjatë këtij viti kam takuar shumë investitorë në këtë fushë, të cilët vijnë nga nacionalitete të ndryshme, italiane, siç është kompania Giobert; kompania Koreano Jugore Yura e vendosur në Fier; japonezët; gjermanët me PSZ, të cilët kanë vlerësuar në Shqipëri dy elementë kryesorë. Së pari tregun e punës, i cili është atraktiv jo vetëm për moshën e re të fuqisë punëtore, por edhe për aftësitë e mira dhe koston që ka. Së dyti, vlerësim maksimal për të gjithë procesin që AIDA ka realizuar dhe po realizon, si përpara, ashtu edhe në procesin post, atë që e quajmë After Care, për të ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë problematikat që ka biznesi. Këto janë elementë shumë të mirë suksesi, kritere që vlejnë për të gjithë investitorët e huaj, si ata që janë sot në Shqipëri e që mund të rrisin investimet e tyre, por edhe të tjerë në këtë këtë sektor apo në sektorë të tjerë. Na vënë përpara pozitës për të promovuar më tej avantazhet tona konkurruese”, tha znj. Denaj.

Sipas Ministres, prezenca e këtyre kompanive të njohura në Shqipëri është një promovim shumë i mirë i vendit tonë në tregun ndërkombëtar, ndërkohë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nëpërmjet institucioneve të saj, do të jetë në mënyrë të vazhdueshme pranë investitorëve për ta asistuar në zgjidhjen e çdo problematike, sidomos atyre që lidhen me proceset e administratës publike.