Postuar më: 26/04/2019

Denaj: Pronësia Industriale, një kapital i rëndësishëm për biznesin

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj ishte e pranishme sot në konferencën e organizuar me rastin e Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale 2019. Në këtë aktivitet, të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, ishte e pranishme dhe Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, përfaqësues të institucioneve shtetërore të lidhura me pronësinë intelektuale, përfaqësues nga grupet e interesit, etj.

Këtë vit slogani i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale është “Pronësia Intelektuale dhe Sportet”- Të arrijmë më të mirën!

Ministrja Denaj vlerësoi se Pronësia Intelektuale përbën një nga aspeket më të rëndësishme të ekonomisë së një vendi, pasi është një nga stimuluesit e zhvillimit të ekonomisë si dhe një nga treguesit e nivelit të dinamikës së aktivitetit tregtar, ndërsa Pronësia Industriale është sot një kapital i rëndësishëm i biznesit dhe në 5 vitet e fundit ka 4 fishim të markave shqiptare.

Qeveria, tha Ministrja, është e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe asaj industriale dhe ka vendosur si një nga prioritetet e saj reformimin e sistemit të pronësisë intelektuale, me qëllim arritjen e standardeve Evropiane mbi mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale.

Strategjia Kombëtare e Pronësisë Intelektuale 2016-2020 është një dokument i rëndësishëm për forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale në vend, pasi ajo synon nxitjen e ekonomisë shqiptare drejt një ekonomie inovative të bazuar në dije. “Pjesë përbërëse e kësaj strategjie janë sigurimi i të drejtave të Pronësisë Intelektuale, mirëfunksionimi i sistemit gjyqësor, si dhe modernizimi i institucioneve të përfshira në sistem. Strategjia sugjeron që sistemi i PI duhet të inkurajojë transferimin e teknologjisë përmes tregut të transferimit të teknologjisë, në veçanti me shitjen dhe blerjen e teknologjisë së mbrojtur me patentë”, u shpreh Ministrja Denaj.

Ministrja theksoi se politikat e qeverisë kanë në fokus rritjen e ndërgjegjësimit, si dhe forcimin e sistemit të regjistrimit, administrimit dhe mbrojtjes së të drejtave që rrjedhin nga Pronësia Intelektuale, si të drejta që ushtrojnë një ndikim të fuqishëm në zhvillimin dhe mirëfunksionimin e ekonomisë në vendin tonë”, theksoi Ministrja.

Në këtë kuadër, Ministrja Denaj tha se shpërndarja e subvencioneve qeveritare për Kërkim & Zhvillim apo krijimi i fondeve publike për institutet kërkimore shkencore janë politika që synojnë të japin drejtpërdrejt kontribut në risi duke ofruar stimuj për të investuar në punë kërkimore. Në mënyrë specifike, shtoi Ministrja, do të inkurajohen investimet në (kërkim dhe zhvillim) në sektorin privat dhe publik në vend, gjë që do të garantojë suksesin në treg.

 

Fjala e plotë e Ministres Denaj:

E nderuar znj. Margariti,

I nderuar Z. Lako,

Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,

Të nderuar pjesëmarrës e të ftuar,

Dita Ndërkombëtare e Pronësisë Intelektuale është dita kur të gjitha vendet e botës mblidhen për të diskutuar për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe të asaj industriale. Është gjithastu një ditë reflektimi mbi përfitimet që i vijnë shoqërisë në aspektin social-kulturor dhe ekonomik.

Këtë vit Slogani i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale është “Pronësia Intelektuale dhe Sportet” – Të arrijmë më të mirën!

Sot, falë përparimeve në teknologjitë e transmetimit dhe komunikimit, kushdo, kudo, mund të ndjekë veprimtarinë sportive gjatë gjithë kohës. Sportet aktualisht janë bërë një nga industritë globale shumë milion dollarëshe dhe që gjenerojnë investime të mëdha, punësojnë miliona njerëz në mbarë botën, argëtojnë shumë më tepër njerëz me larmishmërinë e tyre, por dhe kontribuojnë në mënyrë direkte apo indirekte në mbledhjen e të ardhurave për buxhetin.

Pronësia Intelektuale përbën një nga aspeket më të rëndësishme të ekonomisë së një vendi, për vetë faktin që ajo është një nga stimuluesit e zhvillimit të ekonomisë si dhe një nga treguesit e nivelit të dinamikës së aktivitetit tregtar. Si ekonomia e dijes, mbrojtja e saj nuk përbën më vetëm një çështje të një vendi, por është pjesë përbërëse dhe e pandarë dhe e zhvillimeve rajonale e ndërkombëtare.

Pronësia industriale, sot është një kapital i rëndësishëm i biznesit dhe mund të përmendim se  vlera e aseteve jo materiale e tejkalon dukshëm vlerën e aseteve materiale. Shtrirja ndërkombëtare e tregjeve si dhe shtimi i produkteve dhe shërbimeve që qarkullojnë në ditët e sotme i kanë dhënë një rëndësi edhe më të madhe mbrojtjes së të drejtave mbi pronësinë industriale.

Në Shqipëri, në 5 vitet e fundit ka 4 fishim të markave shqiptare, çka tregon jo vetëm ndërgjegjësim nga aktorët e biznesit për produktet dhe shërbimet e tyre, por njëkohësisht maturim të tyre me kah cilësinë për të qënë pjesë konkurruese në tregjet globale.

Pronësia Industriale përveç impaktit ekonomik shërben si një mjet komunikimi mes prodhuesve  dhe konsumatorëve. Ajo transmeton mesazhin mbi cilësinë dhe origjinën e produkteve, arritjet e reja teknologjike,  trendin dhe modën e fundit duke nxitur konkurrencën për inovacion.

Pronësia Intelektuale vlerësohet si një nga fushat ku kërkohen investime konkrete, duke analizuar  potencialin për inovacion si dhe nevojat që lindin për zhvillimin e saj si një sistem eficent, i cili bën të mundur mbrojtjen e interesave të individëve dhe shoqërive tregtare, por mbi të gjitha bëhet faktor nxitës dhe inkurajues në treg.

Për këtë arsye qeveria shqiptare ka vendosur si një nga prioritetet e saj reformimin e sistemit të pronësisë intelektuale duke patur një vizion të qartë të së ardhmes bazuar në modelet dhe eksperiencat bashkëkohore të  vendeve të BE me qëllim arritjen e standarteve Evropiane mbi mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale. Është miratuar reforma e plotë ligjore në fushën e pronësisë industriale gjerësisht e përafruar me direktivat e BE-së duke përmbushur një prej angazhimeve të nenit 73 të Marrëveshjes së Asociim – Stabilizimit, Kapitullit 7 “Pronësia Intelektuale “ si dhe Planit Kombëtar të Integrimit Europian.

Dëshiroj t’ju përmend një dokument tjetër të rëndësishëm strategjik të fushës që përbën një hap konkret të ndërrmarrë nga qeveria Shqiptare e cila është Strategjia Kombëtare e Pronësisë Intelektuale 2016-2020 dhe është një dokument i rëndësishëm për forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale në vend. Strategjia synon nxitjen e ekonomisë shqiptare drejt një ekonomie inovative të bazuar në dije. Pjesë përbërëse e kësaj strategjie janë sigurimi i të drejtave të Pronësisë Intelektuale, mirëfunksionimi i sistemit gjyqësor, si dhe modernizimi i institucioneve të përfshira në sistem. Strategjia sugjeron që sistemi i PI duhet të inkurajojë transferimin e teknologjisë përmes tregut të transferimit të teknologjisë, në veçanti me shitjen dhe blerjen e teknologjisë së mbrojtur me patentë. Ajo gjithashtu i jep prioritet fushatave të ndërgjegjësimit në publik mbi rëndësinë e PI.

Duke qenë prezent këtu sot në këtë konferencë, dëshiroj të jap një mesazh publik, për të gjithë të ftuarit dhe shoqërinë në tërësinë se: Idetë tuaja, asetet tuaja kthejini dhe bëjini të vlefshme duke e bërë pronën tuaj intelektuale të dobishme për kompanitë apo sipërmarrjet që ju drejtoni. Vlerësoni respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, se në këtë mënyrë pasuroheni shpirtërisht dhe ecni drejt një konkurence të ndershme dhe në këtë mënyrë jeni promotor të vendit tuaj dhe ndihmoni në zhvillimin e saj, ndërsa ne si qeveri angazhohemi të bëjmë të mundur garantimin e mbrojtjes të të drejtave tuaja.

Politikat tona kanë të bëjnë me rritjen e ndërgjegjësimit, si dhe forcimin e sistemit të regjistrimit, administrimit dhe mbrojtjes së të drejtave që rrjedhin nga Pronësia Intelektuale, si të drejta që ushtrojnë një ndikim të fuqishëm në zhvillimin dhe mirëfunksionimin e ekonomisë në vendin tonë. Shpërndarja e subvencioneve qeveritare për Kërkim & Zhvillim apo krijimi i fondeve publike për institutet kërkimore shkencore janë politika që synojnë të japin drejtpërdrejt kontribut në risi duke ofruar stimuj për të investuar në punë kërkimore. Në mënyrë specifike do të inkurajohen investimet në (kërkim dhe zhvillim) në sektorin privat dhe publik në vend, gjë që do të garantojë suksesin në treg.

Shpresoj që kjo konferencë të jetë përcjellëse e këtij mesazhi dhe një vlerë e shtuar mbi synimet tona në këtë drejtim. Duke  uruar punë të mbarë zhvillimit të punimeve të kësaj konference;

Ju faleminderit!