Në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi 3 skema punësimi për rifutjen në tregun e punës të individëve që e humbën punën e tyre për shkak të pandemisë së COVID-19.
Prezantimi i këtyre skemave u bë gjatë një aktiviteti ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të biznesit.
Ministrja Denaj vlerësoi programin e nxitjes së punësimit, i cili u miratua në fund të muajit korrik dhe tashmë bizneset kanë eksperiencat e tyre të para.
“Nëse kthejmë kohën mbrapa, në fokus të qeverisjes ka qenë gjithmonë jo vetëm rritja ekonomike, ajo cilësore dhe inteligjente, por mbi të gjitha rritja e punësimit, e cili shkon me të njëjtin trend dhe shkon në cilësinë e rritjes, në atë që është një punësim i shëndetshëm, tha Ministrja Denaj, sipas së cilës, në 7- vjeçarin e fundit për herë të parë rritja ekonomike është përkthyer me një rritje të punësimit”.
Ministrja theksoi faktin, se në fund të vitit 2019 njohëm numrin më të ulët të papunësisë në 11.2%. Është njëkohësisht arritje krahasuar dhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në fund të vitit 2019 kishim 693 mijë të punësuar nga 450 mijë të punësuar në fund të vitit 2012 dhe konkretisht një rritje me 55% të punësimit.
Ministrja tha, se synojmë jo vetëm një punësim në numër, por edhe një punësim cilësor. “Për këtë arsye, tha ajo, ne miratuam vitin e kaluar një ligj shumë të rëndësishëm, atë të nxitjes së punësimit, i cili jo vetëm krijon një bazë juridike të shëndetshme, por edhe për Agjencinë tonë Kombëtare Të Punësimit dhe Nxitjes së Arsimit Profesional. Mbi të gjitha krijon mundësinë dhe të një baze të rëndësishme për t’u ndjekur në raport me të gjithë instrumentet që po përdoren aktualisht”, shtoi Denaj.
AKPA, tha ministrja, për të bërë këtë rritje cilësore jo vetëm ndërmjetëson punësimin mes biznesit dhe punëkërkuesve, por nxit arsimin profesional.
“Kemi ndërmjetësuar 190 mijë punësime nëpërmjet zyrave të punës në harkun kohor të 7 viteve dhe jemi të ndërgjegjshëm që kemi shumë punë akoma për të bërë dhe jo vetëm nëpërmjet tre programeve që do prezantojmë sot por për të gjithë kohën në vijim”, u shpreh Ministrja Denaj.
Duke u ndalur në situatën e krijuar për shkak të pandemisë, Ministrja tha, se për të gjithë bizneset ka qenë një situatë e vështirë për tu përballuar dhe në fokus të gjithë mbështetjes së menjëhershme të qeverisë ka qenë eliminimi i daljes nga tregu i punës.
“Nëpërmjet paketës së parë dhe të dytë synuam jo vetëm paketën e luftës. Nëpërmjet garancisë së parë sovrane mundësuam që bizneset të kishin jo vetëm likuiditet, por dhe nëpërmjet pagave të largonin sa më pak persona nga tregu i punës”, u shpreh ministrja.
“A e arritëm këtë 100%? Është e pamundur, megjithatë sot kemi 88.000 të papunë në AKPA nga 66.000 që ishin në fund të shkurtit. Nevoja për ta adresuar këtë numër me 20.000 të rritur të punëkërkuesve apo të tjerëve që shpresojmë të jenë sa më pak, na çoj drejt një pakete e cila ka tre komponentë”, u shpreh ministrja Denaj.
Info mbi Programet e Nxitjes së Punësimit
Programet e nxitjes së punësimit janë hartuar si pjesë e paketave mbështetëse të qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga pandemia. Qëllimi i tyre është ri-integrimi i shpejtë në tregun e punës i punëkërkuesve, që kanë dalë të papunë si pasojë e COVID 19, duke shmangur mbështetjet e tyre përmes skemave pasive të mbështetjes, siç është pagesa e papunësisë apo ndihma ekonomike. Gjithashtu, nëpërmjet financimit të pagës dhe kontributeve të detyrueshme shoqërore, programet nxitin krijimin e vendeve të punës dhe mbështesin kompanitë në procesin e rimëkëmbjes.
Programet e punësimit parashikojnë punësim në periudha 4, 8 ose 12-mujore, në përshtatje me profilin dhe nevojat e punëkërkuesit sipas vendit të lirë të punës. Ndërkohë punëdhënësit do ti ofrohet subvencionim në varësi të periudhës së punësimit të stafit për:
Programi i punësimit 4 – mujor:
Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 2 (dy) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, dhe të katërt të kontratës;
Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.
Programi i punësimit 8 – mujor:
Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës;
Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.
Programi e punësimit 12 – mujor:
Subvencionim i kostove te financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100 (njëqind) %, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj.
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive është institucioni përgjegjës për regjistrimin e punëdhënësve të interesuar dhe ndjek procedurat për përfitimet nga këto programe të punësimit.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2023 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.