Postuar më: 05/03/2021

Denaj në Vlorë: Rritet cilësia e shërbimeve  për qytetarët nga institucionet publike  

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zhvilloi një vizitë në qytetin e Vlorës, ku u ndal në disa institucione publike, të cilat ofrojnë shërbime për qytetarët.

I shoqëruar edhe nga Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, Ministrja Denaj, u takua me stafin e  shkollës profesionale industriale “Pavarësia”, ku u informua nga stafi i tij për ecurinë e procesit mësimor.

Me mjedise të rikonstruktuara kjo shkollë e suksesshme po  tërheq cdo vit e më shumë  edhe vajza që mësojnë në profesione të reja. Aktualisht në këtë shkollë mësojnë 648 nxënës në 7 profile mësimore, ku 65% e të diplomuarve të vitit të kaluar kanë arritur të integrohen në tregun e punës.

Ministrja Denaj gjithashtu  u ndal edhe në zyrën e ISSH, ku tashmë shërbimet online janë realitet.  Nga janari i 2020 e deri më sot janë regjistruar 20 mijë aplikime online për shërbime, të cilat kanë  kursyer kohë dhe shmangur rradhët në këtë periudhë të vështirë pandemie.

Ndërkohë Ministrja Denaj pati një takim edhe me punonjësit e Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, i cili  gjatë kësaj periudhe është fokusuar të ndërgjegjësimi i biznesit  për rritjen  e cilësisë së kushteve të punës për punëmarrësit, si dhe  zbatimin e protokolleve anti covid në mjediset e tyre.