Postuar më: 17/04/2019

Denaj: Financa publike transparente dhe disiplinë fiskale

Transparenca e financave publike, disiplinë fiskale, efikasitet në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike në mënyrë që të përmirësohet ofrimi i shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik. Kjo është ajo që u përcoll nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë një takimi të organizuar nga Banka Botërore në bashkëpunim me MFE, për Sistemin e Integruar të Financave Publike.

Fjala e Ministres Denaj:

Të nderuar pjesëmarrës,

Ky është një proces, i cili ka filluar herët në kohë, me objektivat për të përmirësuar cilësinë e informacionit dhe, mbi të gjitha, cilësinë e vendimmarrjes. Prandaj, unë jam shumë e lumtur që të jem në këtë fazë procesi dhe të mbaj këtë fjalë hapëse të këtij eventi të sotëm, por jo vetëm, edhe të nxis punën në hapat e tij të mëtejshëm deri në finalizim.

Në vitin 2013, qeveria shqiptare bëri një vetëvlerësim të progresit dhe sfidave të Menaxhimit të Financave Publike, ndihmuar edhe nga partnerët e saj, të cilët kontribuan në hartimin e një strategjie në reformën e Menaxhimit të Financave Publike për të adresuar të gjitha boshllëqet që kishte kjo strukturë.

Vizioni i strategjisë së reformës së MFP ishte që të sigurohej një sistem financiar publik, që të promovojë kryesisht transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale, efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik.

Sigurisht, nuk mund të mendohet asnjë zhvillim pa struktura moderne të  teknologjisë së informacionit.

Objektivi kryesor i AFMIS (Albanian Financial Management Information System) është të përmirësojë vendimmarrjen, analizën e politikave dhe raportimin mbi zbatimin e Sistemit të Planifikimit të Integruar Shqiptar. Është një koordinim më i mirë i fondeve të donatorëve për të përfshirë në mënyrë të plotë në buxhetin e shtetit të gjithë nevojat për të koordinuar dhe krijuar sisteme informatike, dhe atë të Sistemit Informatik të Menaxhimit të Ndihmës së Huaj (EAMIS), i cili duhet të menaxhojë në mënyrë më efektive dhe të promovojë përdorimin e përgjegjshëm dhe transparent të burimeve të këtyre ndihmave. Ky sistem i integruar për menaxhimin financiar publik në Shqipëri do të jetë funksional për përdorim nga të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme brenda vitit 2019. Sistemi do të përdoret nga më shumë se 4000 punonjës të njësive të qeverisjes së përgjithshme, për të cilët në dy javët e ardhshme do të fillojë trajnimi i punonjësve.

Në përgjigje të kontributit menaxherial të Bankës Botërore dhe atij financiar të vendeve partnere si Zvicra, Suedia dhe Bashkimi Evropian, Ministria e Financave dhe Ekonomisë është zotuar për një angazhim të plotë për realizimin e këtij procesi.

Këto janë sisteme që flasin me njëri-tjetrin, lehtësojnë vendimmarrjen, përmirësojnë monitorimin dhe vlerësimin;

Plotësimi në vazhdimësi me staf, sigurisht do të jetë një fokus i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për të realizuar që këto sisteme të jenë në përdorim të plotë.

Trajnimi i ministrive të linjës është jo më pak i rëndësishëm, sepse do të jenë ato që do të popullojnë të dhënat dhe do të duhet të menaxhojnë këto sisteme me informacion në vijueshmëri.

Është e rëndësishmë të theksoj se ky projekt kërkon një vëmendje shumë të lartë dhe tani, në fazat që po flasim, vëmendja nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e konfirmuar dhe kërkojmë që të punojmë të gjithë, në të gjithë sektorët, për të realizuar në vijim të gjithë hapat deri në finalizim.

Është angazhim im personal si Ministre, por besoj është dhe i gjithë kolegëve të mi, duke filluar nga zoti Luçi si zv.ministër, i cili e ka ndjekur këtë proces dhe e falënderoj në veçanti, sikurse falënderoj të gjithë kontributorët, si Banka Botërore, dhe të gjithë kolegët e tjerë të cilët janë të strukturave të MFE, të strukturave të tjera në qeverinë qendrore dhe ata në pushtetin lokal që do të jenë pjesë e këtij procesi.

Nëse do të ketë probleme dhe çështje për të cilat ka nevojë për vendimmarrje për t’i zgjidhur, ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në çdo moment.

Faleminderit.