Postuar më: 27/09/2022

Delina Ibrahimaj pret në takim Misionin e FMN-së

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi, të martën, takimin hapës më Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në kuadër të Artikullit 4.
Ministrja Ibrahimaj informoi shkurtimisht me ecurinë ekonomike të vendit në kontekstin e ri të krijuar nga efektet e krizës energjetike dhe konflikti ushtarak në Rusi-Ukrainë, si dhe me masat e marra nga Qeveria për përballimin e efekteve të saj, ndërsa nga shefja e misionit, Znj. Yan Sun, u prezantuan fushat kryesore ku do të fokusohet misioni.
Gjatë këtij takimi, Ministrja Ibrahimaj shprehu angazhimin e Qeverisë dhe MFE-së për të ruajtur parametrat makroekonomik dhe vijuar konsolidimin fiskal, edhe pse rritja e çmimeve në tregjet globale ka dhënë efektet edhe në ekonominë shqiptare.
Ministrja informoi se MFE është duke punuar për hartimin e buxhetit të vitit 2023 dhe për kuadrin makro fiskal afatmesëm, përfshirë edhe pritshmëritë për mbylljen e vitin 2022.
“Nga njëra anë kemi ndërmarrë politika lehtësuese për qytetarët dhe biznesin për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe të inflacionit në përgjithësi, veçanërisht për shtresat më vulnerabël, si dhe nga ana tjetër kemi ruajtur qëndrueshmërinë e financave publike dhe stabilitetit makroekonomik të vendit”, u shpreh ndër të tjera Ministrja në këtë takim.
Znj. Sun u shpreh se disa prej fushave kryesore ku do përqendrohet misioni do të jenë analiza dhe perspektiva e treguesve makroekonomikë, fiskalë, monetare, financiarë, e të tjerë dhe projeksionet për to; do analizojë, vlerësojë dhe rekomandojë mbi objektivat e politikave fiskale, monetare, makro-prudenciale, e të tjerë; do analizojë planet fiskale dhe buxhetore të qeverisë, performancën e vitit 2022, financimin buxhetor, draft-buxhetin 2023 dhe plan-buxhetin afat mesëm, reformat strukturore, risqet, etj.
Misioni i FMN-së, i cili do të qëndrojë në Tiranë, nga 27 Shtator deri më 10 Tetor, do të zhvillojë takime edhe me Guvernatorin e BSH, z. Gent Sejko, si dhe me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Bankës së Shqipërisë, dhe me institucione të tjera.
Në fund të këtyre takimeve është parashikuar një konferencë e përbashkët për shtyp.