Postuar më: 12/04/2014

Cani: Raporti i S&P, tjetër siguri për konsolidimin e financave

Ministri i Financave, z.Shkëlqim Cani është duke kryer këto ditë në Uashington disa takime me drejtues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, ku në fokus të bisedimeve janë: situata ekonomike, parashikimet për 2015-2016, programi 3-vjeçar me Fondin, ecuria e pagesave, etj.

Me këtë rast, ministri ishte i ftuar edhe në studiot e “Zërit të Amerikës”, për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetares Rudina Dervishi në lidhje me raportin e fundit të vlerësimit nga kompania e njohur “Standard & Poor’s”, rreth takimeve me drejtues të FMN dhe BB, parashikimi i ekonomisë, treguesit e fundit të INSTAT, etj.

 

Në lidhje me vlerësimin e S&P ministri tha se:

“Vlerësimi së pari nuk është vetëm prej lidhjes së marrëveshjes me FMN-në, por është edhe për angazhimet dhe punën e bërë nga qeveria deri më tani. Të marra të dyja së bashku është një vlerësim në fakt, për qeverinë shqiptare, për punën e bërë deri tani, për arritjet dhe për angazhimet për të ardhmen.

Ky është një hap drejt asaj që ne si qeveri jemi të vendosur për të realizuar një sërë reformash strukturore. Kemi një sërë objektivash për të arritur, të cilat edhe nga bisedat e deritanishme me FMN-në dhe Bankën Botërore, duket që jemi në rrugë të mbarë”.

 

Në lidhje me eurobondin:

“Natyrisht që vlerësimi i ‘Standard& Poor’s’ ndikon edhe në tregjet ndërkombëtare, ku qeveria shqiptare është e pranishme me eurobondin. Vitin tjetër do dalim në tregjet ndërkombëtare, për shkak të maturimit të eurobondit dhe për këtë jemi duke marrë masat, po parapërgatitemi.

Deklarata e ‘Standard& Poor’s’ është një konfirmim që ne po ecim drejt rrugës së përmirësimit të treguesve lidhur me daljen në tregun ndërkombëtar. Kjo vlen edhe për tregun e brendshëm”.

 

Në lidhje me situatën energjetike dhe ndikimet e pritshme në ekonomi:

“Shqiptarët janë njohur me gjendjen e sistemit energjetik, edhe në lidhje me zhvillimet e fundit, të bëra publike nga qeveria. Natyrisht, ky sektor ka nevojë për një reformë të thellë dhe tërësore, për të cilën ne si qeveri e kemi deklaruar më herët se do ta ndërmarrim. Së fundmi, kësaj reforme iu shtua edhe gjendja e prodhimit energjetik, thatësira, rezerva e pamjaftueshme hidrike, pasi jemi në një situatë rreth 35% më pak reshje se viti i kaluar.

Për rrjedhojë, këto elementë na detyrojnë të kërkojmë fonde shtesë në buxhet që shkojnë nga 100 deri në 200 milionë euro, të nevojshëm për importin e energjisë elektrike dhe përmirësimin e treguesve. Kjo është një nga çështjet që po diskutohet këto ditë në Uashington. Dua të theksoj se reforma në sektorin energjetik parashikon një paketë ndihme prej jo më pak se 100 milionë euro, që do të akordohen nga BB për investime në sektorin energjetik”.

 

Në lidhje me marrëveshjet me FMN dhe BB:

“Dua të sqaroj se bashkëpunimi me BB-në nuk prek vetëm sektorin energjetik, por edhe fusha të tjera. Nuk është thjesht paraja, sa fonde japin dhe ku shkojnë, por konsultimet, asistenca teknike, reformat që po ndërmarrim me FMN-në dhe BB-në në disa sektorë. Nga këto dy institucione këtë vit presim të marrim rreth 250 milionë euro.

Ne i kemi plotësuar të gjitha parakushtet dhe fondet e FMN-së do të lëvrohen në prill, kurse për të BB-së pritet mbledhja në muajin maj. Këto para priten të disbursohen për ekonominë shqiptare në fillim të muajit korrik”.

 

Në lidhje me rritjen ekonomike:

“INSTAT nxori shifrën 0.44% për 2013 dhe ne presim që për vitin 2014 të jetë rreth 2%. Në lidhje me vitin që shkoi, shifra përfundimtare do të kërkojë kohën e vet, megjithatë nuk presim ndonjë përmirësim.

Po të shikoni programin e qeverisë, por dhe pastaj të bashkërenduar me FMN-në dhe Bankën Botërore, dy kanë qenë drejtimet kryesore: Konsolidimi fiskal dhe  rritja ekonomike.

Baza e gjithë marrëveshjeve që kemi realizuar me FMN-në dhe Bankën Botërore, nuk është gjë tjetër veçse një mbështetje me fonde, por dhe me ndihmë teknike e asaj që do të thosha se është 1/3 e programit të qeverisë, për reforma strukturore në disa drejtime.

Këto reforma do të sjellin as më shumë e as më pak nxitje dhe rritje për ekonominë.

Nëse më duhet të përmend veç pensioneve dhe reformës në energjetik, për veprim më të shpejtë në drejtim të rritjes ekonomike ne kemi gjykuar dy faktorë. Përshpejtimi i investimeve në ekonomi dhe pagesa e borxheve të panjohura (detyrimet e vjetra).

Të dyja këto do të shtojnë likuiditetin, përmirësojnë gjendjen e biznesit privat”.

 

Në lidhje me fleksibilitetin e kushteve të FMN dhe BB:

“Kjo do të thotë se kemi dakord për disa tregues, se sa do të arrijë borxhi publik në Shqipëri gjatë vitit 2014 dhe viteve 2015-2019, si do të jetë rritja ekonomike.

Nëse shikojmë që rritja ekonomike nuk po shkon aty ku ne gjykojmë, kuptohet që do të shlyejmë më pak nga borxhi, do kemi më shumë kujdes për investimet, etj.

Nëse ekonomia ecën më mirë, kuptohet që një pjesë e parave do të shkojnë për të shlyer borxhin. Kjo është ajo që ne e quajmë ‘fleksibilitet’”.