Postuar më: 20/12/2014

Cani: Ministria e Financave, e hapur për bashkëpunim me studiuesit e rinj

Ministri i Financave z.Shkëlqim Cani, ishte sot i ftuar në konferencën e dytë për studiuesit e rinj dhe doktorantët e fushës së ekonomisë me temë “International Economy & Business Doctoral Students Conference” , e zhvilluar në ambientet e Fakultetit Ekonomik, të Universitetit të Tiranës.

Gjatë fjalës së tij, ministri Cani u ndal në disa çështje si atë të edukimit, situatën ekonomike dhe reformat që do të ndërmarren gjatë vitit 2015.

Fillimisht z.Cani theksoi se çështja e edukimit është e një rëndësie të  jashtëzakonshme dhe se kapitali njerëzor mbetet thelbësor në zhvillimin e vendit.  “Së pari dua të ndalem në çështjen e edukimit që është një çështje shumë e rëndësishme. Në konferencat e mëparshme, vazhdimisht kemi theksuar se kapitali njerëzor është një element i fuqishëm në zhvillimin e vendit dhe në këto vite vërehet gjerësisht një dëshirë e madhe lidhur me shkollimin apo dhe me veprimtarinë shkencore. Më jepet rasti të mbështes inciativën e qeverisë dhe punën e deritanishme, që jo vetëm universitet por gjithë shkollat në Shqipëri të shkojnë drejt masivizimit, por dhe cilësisë si një domosdoshmëri dhe garanci në tregun e punës”, theksoi ai.

Më tej ministri ka folur për reformat që janë ndërmarrë nga Ministria e Financave dhe qeveria  gjatë vitit 2014.  “Në vitin 2014 ndërroi një filozofi, kaluam nga “taksimi i sheshtë” në “taksimin progresiv”. Nuk është bërë një kalim i plotë, por kemi bërë një hap. Ne gjykojmë se kemi bërë mirë, por natyshëm jemi të hapur për debat por dhe mendim se si mund të përmirësohet më mirë kjo çështje.  Kemi bërë reforma fiskale dhe këtu do ju përmend Kodin e ri Doganor dhe ligjin e ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, të cilët janë të dy pothuajse sipas standardeve europiane. Natyrshëm ne jemi përpjekur të zgjedhim praktikat më të mira në Europë për ti përfshirë dhe mund t’ju përmend disa raste si për TVSH apo dhe për Kodin Doganor që hyn në fuqi më 1 janar 2015, që kapin hapësira dhe lehtësira të mëdha për biznesin”, tha ministri.

Z. Cani ka theksuar se studiuesit kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë probleme në lidhje me gjetjen e të dhënave për studimet e tyre. Ai u shpreh se dikasteri që ai drejton është i gatshëm që të pranojë hulumtuesit, studiues të rinj, për të realizuar studimet e tyre në fushat ekonomike. “Nga eksperienca e pedagogut në Fakultetin Ekonomik, një nga problemet më të mëdha për punimet shkencore ishte mungesa e të dhënave. Për këtë unë ju ofroj një bashkëpunim të sinqertë pasi jam i bindur se duhet rritur niveli i komunikimit midis administratës dhe Universiteteve. Ne jemi të gatshëm që sot, që të pranojmë hulumtues të rinj, për tu ofruar ambientet, për ti përfshirë në Ministrinë e Financave, tu ofrojmë të dhëna dhe bashkëpunimin e punonjësve tanë, në mënyrë që ju të bëni hulumtimet tuaja, që do të na shërbejë për të na dhënë zgjidhje në fusha të ndryshme. Ndërkohë dua t’ju paraqes disa nga reformat që ne do të ndërmarrim gjatë vitit 2015; Do të kemi ‘E-Tax’, shorteun e kuponit tatimor, kadastrën fiskale, dritaren e vetme, që i përket doganave (ku në një dritare të vetme të kryhen të gjitha shërbimet), platforma e re dixhitale për hidrokarburet, etj. Pra janë disa fusha që janë të praktikës sonë, por juve që shihni në një horizont disavjeçarë më tej mund të na ndihmoni për të parë edhe përtej vitit 2015”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij ministri Cani ka përgëzuar organizatorët dhe u ka uruar suksese doktorantëve të rinj.

Të rejat e fundit