Postuar më: 28/03/2014

Cani, marrëveshje në Kosovë për heqjen e dy taksave

Brenda një harku të shkurtër kohor, ministri i Financave, z.Shkëlqim Cani realizon takimin e dytë në Kosovë me homologun Besim Beqaj, kësaj here për të konkretizuar dy marrëveshje: shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal si dhe heqjen e TVSH-së për librat.

 

“Kjo vizitë edhe një herë konfirmon orientimet tona vëllazërorë të bashkëpunimeve ekonomike dhe avancimit të bashkëpunimeve në mes të dy vendeve tona”,-ishin fjalët e para përshëndetëse të ministrit të Financave të Kosovës, z.Beqaj, duke theksuar gatishmërinë e Qeverisë së Prishtinës për të bashkëpunuar sa më ngushtë.

 

“Është kënaqësi të vijë për herë të dytë për një kohë të shkurtër për të nënshkruar dy marrëveshje, natyrisht që uroj që herën e tretë kur të vijë nënshkruajmë tre marrëveshje, ndoshta dhe gjashtë sepse hapësira, dëshira dhe vullneti nuk na mungon”, -deklaroi ministri Cani.

“Ne sot nënshkruam dy marrëveshje të rëndësishme në aspektin fiskal, që lehtësojnë mjaft çështje midis dy vendeve tona. Marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë na ndihmon për të paraprirë shmangien e evazionit fiskal. Njëkohësisht, ne nënshkruam edhe shmangien e TVSH-së për tregtimin e librave dhe më këtë rast i uroj botës së akademisë, por edhe atyre të prodhimtarisë dhe lexuesve të librave që të shtohet dëshira për librin e përbashkët në të dy krahët”, -shtoi më tej ministri shqiptar i Financave.

 

Dy ministrat ranë dakord të inkurajojnë bashkëpunimin mes dhomave të tregtisë përmes marrëveshjeve të mirëkuptimit, në ndihmë të sipërmarrjes private, por edhe të vet ministrive të Financave. “Nuk jemi vetëm kontrollor, vetëm taksambledhës! Padyshim na intereson të kemi bashkëpunim dhe mirëkuptim edhe me sipërmarrjen private”, -shtoi ministri Cani.

 

 

Z.Beqaj bëri të ditur se gjatë vizitës së homologut e tij shqiptar Cani, ka bashkëbiseduar edhe për avancimin e procesit për krijimin e bazës për menaxhim të integruar të kufirit, ku tha se: “Nga këndvështrimi i Ministrave të Financave ne jemi të gatshëm që nga sot të bashkëpunojmë dhe të kemi pika të përbashkëta ku do të bëhet kontrolli doganor dhe respektivisht vjelja e taksave në mënyrë të përbashkët nga dy vendet tona. Dhe konform vizitës që kishim para ca javësh të Ministrit Cani por edhe në takimet me biznesit dua të ju them që gjërat po lëvizin shumë shpejtë dhe shumë suksesshëm. Kemi pasur disa barriera, të cilat janë diskutuar më herët, dhe dua të ju informoj që sa i përket gypave të çelikut që ka qenë problematike në anën e Shqipërisë, tani më ajo barrierë është hequr dhe njëkohësisht tranzitimi i cigareve që ka qenë me një leje të veçantë nga Ministria e Financave, tani më ajo nuk ekziston, prandaj do të jetë e mundshme të tranzitohen”.

 

Dy marrëveshjet, janë:

 

“Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë lidhur me Tatimet mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal”

 

“Marrëveshje për heqjen e Tatimit të Vlerës së Shtuar në import për librat, produktet e përafërta me librin, gazetat, revistat, periodikët si dhe materialet e ngjashme të shtypit të publikuara në Republikën e Shqipërisë apo në Republikën e Kosovës”

Të rejat e fundit