Postuar më: 26/10/2017

Buxheti 2018 dhe Paketa fiskale, më shumë investime publike e të ardhura, më pak borxh publik!

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar

Përshëndetje.

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar pjesëmarrës.

Unë do mundohem të jem shumë konciz në fjalën time, sepse Kryeministri i përmendi të gjithë elementët kyç të tre shtyllave që prezantojmë me ju sot.

Lidhur me projekbuxhetin e shtetit të vitit 2018, në këndvështrimin tonë është projektbuxheti i rritjes ekonomike; sikurse e tha Kryeministri, rritja ekonomike është 4-fishuar krahasuar me vitin 2013 dhe cilësisht 100% ndryshe.

Buxheti ul në mënyrë të ndjeshme nivelin e borxhit publik, ai merak që kanë patur institucionet ndërkombëtare, aktorët ekonomikë apo politikë se me mbylljen e programit me FMN do të kemi një zakon të vjetër me borxhin publik. Siç e shikoni ne kemi parashikuar një ulje të ndjeshme me 2.5 % të PBB, që e con borxhin publik në 68.6%.

Buxheti i investimeve publike; Është niveli më i lartë i këtyre viteve të fundit me 86.1 miliardë lekë ose 5.2% e PBB. Mos harroni që kombinimi i rritjes së investimeve me uljen e borxhit nuk ka ndodhur në 15 vitet e fundit.

Dhe sigurisht që është edhe rritja e të ardhurave buxhetore, siç u theksua dhe nga Kryeministri me 6.3 nominalisht krahasuar me 2013. Unë nuk do të ndaloj tek reformat, por të gjithë reformat që në mandatin e parë të qeverisë Rama filluan, u ndërmorën dhe u thelluan apo maturuan në vazhdimësi, ato janë të gjitha të financuara, në detaje që nga reforma në drejtësi, reforma e menaxhimit të financave publike, administratës publike, administrative- territoriale, reforma e ujit dhe fiskalizimi.

Politikat fiskale do të vazhdojnë të bazohen në taksimin e ndershëm, në uljen e informalitetit dhe nxitjen e investimeve private strategjike në sektorë prioritarë.

Rritja ekonomike, mendohet që këtë vit do të jetë 3.8%, gjithsesi Fondi Ndërkombëtar Monetar e ka riparë në 3.9%. Megjithatë, me këtë shifër ne jemi në nivel me Rumaninë që mendohet se do të jetë vendi me rritjen ekonomike më të lartë nga vendet ish-komuniste, pra praktikisht Shqipëria dhe Rumania do të kryesojnë, të paktën bazuar në shifrat e fundit, tabelën e vendeve ish-komuniste me rritjen ekonomike.

Në totalin e të ardhurave, nëse shohim si kemi ardhur ndër vite, në dy vitet e fundit 2016, 2017 jo vetëm nuk kemi pasur rritje taksash por përkundrazi, në disa sektorë kemi pasur ulje taksash. E njëjta gjë vlen edhe për të ardhurat tatimore ndërkohë që tek shpenzimet buxhetore jemi në një nivel me 5.8% më të larta, pra po vazhdojmë konsolidimin fiskal.

Defiçiti buxhetor do të jetë rekord 2%, i lakmueshëm nga çdo vend europian më duhet të them. Kemi një 3.1% defiçit buxhetor minus në 2017-ën, arsyet kryesore janë thatësira, kemi përballuar thatësirën e këtij sezoni me sukses, pa rritur borxhin, pa rritur defiçitin.

Borxhi publik vazhdon të bjerë, nëse nuk do të kishim rivlerësim të prodhimit të brendshëm të viteve të kaluara dhe nuk do të kishte një mbivlerësim apo nënvlerësim të monedhave, borxhi publik i vitit 2017 do të ishte rreth 67%.

Përsa i përket infrastrukturës rrugore, kemi një rritje të fondeve të konsiderueshme me 42%. Arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura janë fokusi i drejtpërdrejtë i këtij buxheti dhe nëpërmjet paketës fiskale, turizmi gjithashtu. Fokus do të jetë përfundimi i investimeve në vazhdim, prioritetet do të jenë akset me rëndësi për konektivitetin, janë një listë prioritare që është diskutuar nga Kryeministri dhe nga ministrat përkatës.

Bujqësia, finalizimi i procesit të përfitimit nga IPARD-i, janë gati 93 milion euro në tre vitet që vijnë. Vetëm vitin që vjen, ka një investim rreth 30 milion euro, dhe ne e përfunduam procesin e fundit me sukses me Komisionin Europian, përsa i përket IPARD-it. Është zgjerimi i skemës së mbështetjes dhe shndërrimit të shërbimit të këshillimit pra, të AZHBR. Ka një shumë të konsiderueshme që do të përdoret për mbështetjen e fermerëve, por në një mënyrë shumë më të avancuar, e cila është duke u diskutuar nga Kryeministri, Ministri i Bujqësisë dhe ministrat përkatës, fokus do të jetë ujitja dhe kullimi.

Arsimi ka një rritje të konsiderueshme, shkon në 3.1% të PBB.  Aksesi I fëmijëvë në arsimin parashkollor shkon në nivelin 85-86 % për grupmoshat 3-6 vjeç; Tekste arsimore falas për 33 mijë nxënës të arsimit parashkollor dhe sigurisht që ka një rifokusim tek arsimi profesional me 6 shkolla të reja.

Shëndetësia ka një rritje fondesh me 5.6%, 3% e PBB, me synim reduktimin e kohës së urgjencave mjekësore. Zgjerimin e skemës së medikamenteve me 520 të tilla, për të gjithë shqiptarët, edhe ata që janë të pasiguruar. Është një reformë që u fillua nga Kryeministri në vitin 2017 dhe konsolidohet në vitin 2018.

Investimet në shëndetësi janë të gjitha në një listë të detajuar dhe ndërkohë dua të ndaj me ju që viti 2018 do të jetë viti i një investimi ekselence, një spital rajonal në Fier i cili shkon në nivele 80 deri në 90 milionë euro, si pjesë e paketës 1 Miliard të avancuar nga Kryeministri në fillim të vitit 2017, e që ka filluar të maturohet procedurialisht por edhe materialisht, me projekte koncesionesh apo PPP.

Dua të ndaloj pak tek buxheti vendor për shkak se ka debat, sepse grupi i kryebashkiakëve është i fortë politikisht në përqasje me qeverinë. Buxheti vendor 2018, i cili përkon me fillimin aplikimit të ligjit të ri ri të financave, rritet nga 2.1% të PBB që ishte para reformës, shkon në 2.8 % të PBB në 2018. Trasferta e pakushtëzuar shkon 16.5 miliardë, 22 % më e lartë se viti 2016 dhe 48 % më e lartë se viti 2013.

Mbështetja e Reformës në Drejtësi, edhe për shkak të debatit politik unë e kam detajuar në mënyrë që ju si përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, por kryesisht të shoqatave të biznesit, të shikoni kujdesin që qeveria ka treguar për ta financuar plotësisht Reformën në Drejtësi.

Tek paketa fiskale, unë do të kaloj shumë shpejt. Akciza e cigareve nuk është le të themi risi, por është një skedul i këshilluar me industrinë, në shumë vite. Pra, ka katër vite, nuk është surprizë, në 2014, në 2015 dhe në fund të 2016 dhe në fillim të 2017 ne e ngrimë skedulin, pra nëse në dy vite do të shkonte në 10 lekë për paketë, ne e kemi reduktuar në 2017, nga 10 lek në 7 lek për paketë.

Ndërkohë dua t’ju tregoj që ne me nivelin e akcizës, ne jemi prapa rajonit, përvec Maqedonisë, Pra, kjo legjenda urbane që ne kemi akcizën më të lartë, histori që lëvizin në media apo dhe në diskutimet tona, nuk janë të vërteta, mund ta shikoni si pozicionihet Shqipëria, dhe me riskedulimin që bëjmë, shkojmë larg niveleve mesatare të rajonit.

Ulja e pragut të TVSH nga 5 milionë në 2 milionë – futen në skemën e TVSH vetëm 11 mijë tatimpagues. E theksoi dhe Kryeministri, që nuk ka kosto, që nuk ka rritje çmimi dhe për t’ju sqaruar dhe një legejndë tjetër urbane, ju kam sjellë një listë se çfarë ndodh, e keni në materialin tuaj. Filanda, edhe Spanja, edhe Greqia, edhe Hungaria, edhe Belgjika e kanë 10 mijë dollarë nivelin, ne e kemi 20 mijë dollarë pragun.

Përsa i përket taksimit të pasurive, kemi filluar krijimin e kadastrës fiskale, pra kemi kaluar, nga një taksë fikse në ad-valorem, pra në përqindje të vlerës së pasurisë. Sigurisht që është një përpjekje që do kohë të konsolidohet, por në këndvështrimin tonë fillimi është i mire.

Ndërhyrje të tjera përfshijnë prodhimin e softëareve (ulëm tatim fitimin nga 15% në 5%), ka qënë një kërkesë e vazhdueshme në Investment Council, është referuar në paketën e re fiskale.

Sigurisht që ka qënë një kërkesë e vazhdueshme e Ministrisë së Bujqësisë, por edhe kujdesi i vazhdueshëm i Kryeministrit për peshkimin, edhe për shkak të rigjenerimit të flotave, janë 52 mjete të bordit të anijeve të peshkimit që përjashtohen nga TVSH.

Kjo është paketa, që fokusohet tek turizmi dhe kryesisht korrektime dhe instrumenta antiinformalitet dhe përtej të tjerave, lehtësim ngarkese fiskale.

Deregulimi, dua të theksoj një element që për mua, por dhe për publikun, është shumë i rëndësishëm. Deregulimi nuk filloi sot, deregulimi filloi në vitin korrik 2017. E ka filluar Kryeministri me një urdhër të tij, gjatë verës është punuar në detaje, pra produktet që hidhen zyrtarisht në tryezën tuaj janë produkte që janë punuar që nga Korriku e Gushti deri tani.

Të rejat e fundit