Postuar më: 21/09/2022

Bruksel, MFE nis takimet shpjeguese me BE për “Kontrollin financiar” dhe “Kriterin ekonomik”

Shqipëria tashmë ka hyrë në një proces të rëndësishëm, pas hapjes së negociatave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian dhe delegacioni shqiptar i kryesuar Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Adela Xhemali, zhvilluan në 19-20 Shtator në Bruksel, takimet shpjeguese të kapitullit 32 “Kontrolli Financiar” dhe “Kriteri Ekonomik”.
Gjatë takimeve u theksua fakti se është thelbësore përgatitja dhe përafrimi i legjislacionit të Shqipërisë me atë të BE. Ky takim ishte si një “agjendë udhërrëfyese” për takimet bilaterale të dy palëve, që do të zhvillohen brenda këtij viti.
Si Negociator i Kapitullit 32, ” Kontrolli financiar”, zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Adela Xhemali, theksoi se është e madhe përgjegjësia që ka pala shqiptare për të përmbushur me rigorozitet të gjitha kriteret e përcaktuara për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Nëpërmjet hartimit të Planit Kombëtar të Integrimit Europian nga MFE janë marrë masa konkrete në disa drejtime si, miratimi i kuadrit dhe standardeve të pranuara ndërkombëtarisht, përthithja e praktikave më të mira të BE-së në fushën e kontrollit të brendshëm financiar publik, bazuar në parimin e përgjegjësisë së decentralizuar të llogaridhënies menaxheriale, si dhe vënia në funksionim e një organi të auditimit të jashtëm të pavarur nga ana institucionale, operacionale dhe financiare, që zbaton mandatin e tij të auditimit në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit”, tha negociatorja e Kapitullit 32 ” Kontrolli financiar” dhe e Kriterit Ekonomik, Xhemali.
Gjithashtu mbrojtja e interesave financiare të BE-së kundër mashtrimeve në menaxhimin e fondeve të BE-së dhe mbrojtja e euros kundër falsifikimit, është një nga angazhimet e Grupit të Punës Ndërinstitucional për Integrimin Evropian për Kapitullin 32.
Ndërkohë që për “Kriteri ekonomik” u fokusuan mbi rritjen e aftësive konkurruese, klimën e biznesit dhe tregun e punës.
Nëpërmjet “Kriteri ekonomik” kërkohet një ekonomi tregu funksionale, si dhe rritje e kapacitetit për të përballuar konkurrencën dhe forcat e tregut brenda Bashkimit Evropian. Për të mundësuar këtë duhet të përmbushen kushtet si, stabiliteti makroekonomik, funksionimi efikas i tregjeve të produkteve përmes përmirësimit të mjedisit të biznesit, eliminim i barrierave hyrëse/dalëse në treg, vendosje e një sistemi ligjor mirëfunksional, zhvillimi i tregut financiar dhe lehtësimi i aksesit në financa, si dhe marrja e masave të nevojshme për të arritur funksionimin normal të tregut të punës.
Në procesin e Integrimit Europian, Ministria e Financave dhe Ekonomisë drejton 13 kapituj dhe 2 kapituj me bashkënegocim.