Postuar më: 07/10/2021

Bonusi i qirasë, Qeveria miraton fondin shtesë prej 800 milion lekë

Qeveria shqiptare vazhdon të mbështesë më bonus qeraje të gjitha familjet që kanë humbur banesat nga tërmeti i Nëntorit 2019.

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij të fundit, miratoi vendimin që në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në programin e strehimit, të  shtohet fondi prej 800 milion lekë në zërin “shpenzime korrente”, përkatësisht, në produktin për pagesat e subvencionimit të qirasë për familjet e mbetura të pastreha si pasojë e fatkeqësive natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019.

Sipas këtij vendimi, efekti financiar prej 800 milionë lekësh do përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021 dhe do të zbatohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Të gjitha familjeve, të cilat u prekën nga dëmtimet e tërmetit të 26 Nëntorit të 2019, qeveria iu gjend pranë  në mënyrë të menjëhershme, si në akomodimin në strukturat hoteliere, dhe më pas me akordimin e bonusit të qirasë.

Aktualisht  numri i familjeve që trajtohen me bonus qiraje është  13 287, ndërkohë që gjatë vitit 2020 u trajtuan 13 914 familje.