Postuar më: 30/04/2016

Aksioni kundër Informalitetit, Ministri Ahmetaj takim me sipërmarrjen në Elbasan

Në vazhdën e takimeve me Drejtoritë rajonale të Tatimeve dhe Doganave dhe sipërmarrjen në të gjithë vendin, në kuadër të fazës së dytë të aksionit kundër informalitetit, Ministri Ahmetaj ka ndaluar në Elbasan, ku ka diskutuar mbi masat që po ndërmerren nga Ministria e Financave dhe Administrata Fiskale.

Ministri përsëriti angazhimin e qeverisë shqiptare se paketa e re fiskale nuk do të ketë ndryshime të taksave, por vetëm thjeshtim procedurash dhe ftoi sipermarrjen të japë sugjerimet e veta deri në datën 20 qershor në adresën e dedikuar joinformalitetit@financa.gov.al.

Gjithashtu Ministri bëri me dije se ditën e martë do të firmosë ndryshimet në paketën e re të bujqësisë, të cilat i lejojnë fermerëve kryerjen e pagesave të vogla në cash, kërkesën automatike në sistemin e tatimeve për faturat kompjuterike, klasifikimin me risk zero të eksportuesve në bujqësi të cilët do të përfitojnë rimbursim automatik brenda 30 ditëve etj.

Pas dy javesh tha Ministri do te lancohet aplikacioni i tatimpaguesit dixhital i cili do të jetë një instrument në favor të sipërmarrjes për të adresuar në Ministrinë e Financave pyetje, sugjerime, denoncime dhe kërkesë për infromacion ndërsa i bëri thirrje adminsitratës tatimore dhe doganore për komunikim dhe shërbim cilësor e modest ndaj sipërmarrjes sepse sikurse u shpreh Ministri, “ne nuk jemi në betejë me sipërmarrjen, betejën e kemi të përbashkët, kundër informalitetit”.

***

Fjala e plotë e Ministrit

Takimi që po organizojmë sot është në kuadrin e fazës së dytë të anti-iformalitetit , e cila patjetër që ka një profil ndryshe nga faza e parë edhe për shkak të mësimeve që kemi nxjerrë nga faza e parë, e cila në të gjitha këndvështrimet, qoftë në këndvështrimin e shifrave, qoftë në këndvështrimin psikologjik apo insitucional, pati sukseset e veta dhe mësimet e veta.

Së bashku me Drejtorinë e Pëgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave shpenzuam gati një muaj për të maturuar fazën e dytë të anti-infomalitetit.

Qëllimet kryesore ishin që të kalonim në instrumenta më të zgjuar dhe e dyta të fokusoheshim tek sipërmarrja e madhe. Kur I referohem instrumenteve më të zgjuara, I kthehem perceptimit  goxha të gabuar gjithësesi, por ekzistent, të sipërmarrjes e shpeshherë dhe tonin, se puna në terren e ekipeve të terrenit të tatimeve dhe doganave ishte goxha agresive dhe ishte goxha e paplanifikuar. Të dyja nuk janë të vërteta, por sigurisht që qoftë në tatime, qoftë në dogana, perceptimet e publikut ndaj institucioneve merren shumë seriozisht, kjo ishte një nga arsyet pse ne menduam se faza e dytë në perceptimin tim personal, do të jetë më shumë efektive nëpërmjet instrumentave të zgjuar dhe të mos lërë të njëjtën shije që la pjesa e parë e pjesës së parë.

Pjesa  e parë pati rezultate, qoftë në të ardhura, qoftë në regjistrimin e numrit të bizneseve, qoftë në regjistrimin e të punësuarëve dhe sigurisht që ka një debat midis nesh si Ministri Financash dhe publikut, megjithatë shifrat tregojnë se ne kemi pasur të drejtë në këmbënguljen tonë për kuponin tatimor, sepse që në momentin e parë që ne tërhoqëm inspektorët nga terreni ka një tendencë rënie të kuponit tatimor, ka një tendencë për mos ta dhënë kuponit tatimor, ka dhe një tendencë për ta fragmentuar shitjen në kupona tatimor të vegjël për të mos e kaluar nivelin 5 apo8 mln dhe detyra jonë është të jemi në betejë të vazhdueshme me anti-informalitetin, sigurisht pa cënuar asnjëherë klimën e biznesit.

Ndaj nuk është pa arsye që sot jemi në të njëjtën sallë, do të ishte shumë e thjeshte që të ishim veç sipërmarrja dhe  veç administrata, por nuk është e rastësishme që jemi këtu bashkë, kjo është një betejë e përbashkët dhe jo e ndarë, pra nuk ka dy botë, njëra bën betejë kundër tjetrës, nuk ka administratë kundër sipërmarrjes, por ka administratë dhe sipërmarrje kundër padrejtësisë dhe varfërisë

Kur them padrejtësi dhe varfëri nuk e kam klishe politike, as klishe institucionale, e kam shumë të ndjerë dhe e kam shumë të maturuar kur e theksoj: Çdo kupon tatimor që nuk jepni, çdo kupon tatimor që nuk jepet është financim I varfërisë dhe pabarazisë.

Çdo faturë që nuk lëshohet është vjedhje ndaj vetes dhe të ardhmes së fëmijëve tuaj. Realisht ditën mund ta mbyllni duke e harruar këtë fakt, por dita e nesërme nuk ju takon juve, I takon fëmijëve tuaj dhe tanë dhe automatikisht sapo I keni vjedhur të ardhmen fëmijëve tanë. Shumëkush mund ta quajë klishe, por nuk është klishe sepse unë personalisht, të dyja administratat, mbi të gjithë ne Kryeministri, jemi  në betejë të përditshme për një cent investime publike dhe ma besoni, këtë nuk e ekzagjeroj. Nga dalin ata cent?

Imagjinoni veten tuaj kur flisni për qeverinë (këtë e kam për sipërmarrjen) që thoni nuk bëri spitalin, nuk bëri rrugën. .. nuk e bëri patjetër, por nga do ta nxjerrim? Do ta nxjerrim nga të ardhurat dhe mos harroni që jemi vendi që mbledhim në Rajon më pak të ardhura në përqindje të PBB dhe kjo është e pajustifikuar . Dhe thënë kjo, beteja është  e përbashkët, se nuk është vetëm e ardhmja ime, është e ardhmja e fëmijëve tanë, por edhe juaja dhe e fëmijëve tuaj.

Për mua Elbasani është një rreth shumë shumë I rëndësishëm, është një degë qoftë doganore apo tatimore shumë e rëndësishme dhe është një nga 4 qytetet e para që unë zgjodha për të vizituar dhe ndarë  me ju  fazën e dytë të planit  antiinformalitet. Përsa I përket sipërmarrjes unë do kap 3 ose 4 elementë për t’ju treguar se ne realisht kemi kaluar në një sens tjetër ku unë po përdor një shprehje zhargon: ne do të jemi jo më aq të dukshëm në rrugë, por shumë të dukshëm dhe shumë prezent në bilancet tuaja. Çfarë dua të them me këtë? Ne kemi zgjedhur instrumenta, në favor të zgjerimit të bazës tatimor në përgjithësi, por janë instrumenta të cilat për shkak se sot DPT është shumë familjare dhe zotëron në mënyrë të maturuar platformën e riskut, ne kemi mundësi që të gjykojmë sikletet tuaja financare dhe përgjegjësitë tuaja tatimore nga zyrat.

Çfarë jemi duke bërë konkretisht? Kemi marrë 300 të mëdhenjtë e Shqipërisë dhe kemi kapilarizuar të gjitha transaksionet me gjithë bizneset e mesme dhe të vegjël në Republikën e Shqipërisë dhe na kanë dalë 36 mijë sipërmarrje që kanë lidhje me 300 të mëdhenjtë, në një mënyrë apo në tjetrën, shitje ose blerje. Tani a ka mundësi administrata tatimore apo dhe qoftë ajo doganore, që të merren për një muaj me këto 36 mijë biznese apo nëse doni edhe për një vit? Sigurisht që nuk ka, sepse resurset janë të kufizuara. Por sigurisht që një mundësi sistemi tashmë na e ka dhënë, që ta kampionizojmë punën tonë në të gjithë Republikën e Shqipërisë dhe nga 300 të marrim një kampion dhe te zbresim në gjeografinë e gjithë Shqipërisë dhe të kemi kampione qe do ti kalojë të treja fazat: qoftë monitorimin nga zyra pa ardhjen e inspektorit; qoftë thërritjen e sipërmarrësit në zyrat e tatimeve, qoftë dhe auditimin e thelluar në fazën e tretë, nëse pas të gjitha skanimeve që do të bëjë administrata tatimore, do të dilni me risk të lartë. Dhe qëllimi nuk do të jetë fare për t’ju kapur në befasi . Pra sot Administrata tatimore nuk ka asnjë qëllim që të kapi në befasi asnjë sipërmarrje. Nuk ka asnjë qëllim që të vendosi gjobë. Nuk është ky qëllimi, është ndryshuar qasja me kohë dhe sot kjo qasje është tejet e maturuar dhe po ta shikoni, ndoshta shumëkush nga ju të sipërmarrjes këtu, ka filluar të marri mesazhe në sistemin e tyre, të cilat ju alertojnë, ju paralajmërojnë  për situatat financiare, sjelljen fiskale që keni dhe për përgjegjësinë tatimore që keni dhe këtu nuk do t’i ndaj në të mëdhenj apo të vegjël. Ka shumë kompani të vogla që kanë marrë  njoftime dhe në vazhdimësi do të kenë njoftime të kësaj natyre, që duke ju referuar volumit të shitjeve të tyre nuk janë të vegjël, janë sjellë si të vegjël deri më sot, nuk kanë faturuar dhe nuk janë faturuar me TVSh, dhe nuk kanë shitur me TVSh si të vegjël, janë në nivelin 0 të tatim fitimit me regjimin e ri të 1 janarit, por në fakt për shkak të volumeve përgjegjësia e tyre tatimore do të duhet të jetë biznes mbi 5 ose 8 mln.

Imagjinoni qasjen për një sekondë , në mënyrë që “t’i japim Cezarit atë që meriton Cezari”, t’i japim tatimeve atë kredi që meriton dhe ta kritikojmë aty ku meriton të kritikohet. Në këtë rast meriton t’i jepet e drejta që ka ndryshuar qasje serioze. Imagjinoni dikur, kur një biznesi të vogël do t’i vinte grupi I terrenit dhe do t’i bënte presion me të drejtë, por duke e dëmtuar nga ana psikologjike dhe nga ana e klimës së biznesit, duke i shkuar në dyqanin e vet dhe duke I kërkuar, duke I vënë dhe gjobë të drejtpërdrejtë për të kaluar biznes i madh apo biznes me TVSH 5-mln .

Imagjinoni për një moment të dy alternativat, të dy skenarët: që tju vinin në zyrë dhe një mesazh, që ju vjen në sistemin tuaj ku ju thotë ja ku I keni shitjet, ja me kë keni shitur, ja me kë keni blerë, ja sa ju del volumi dhe që nga 1 Maji jeni biznes i vogël.

Pra nuk I shpëtojmë dot taksave, dikush mund të mos I pëlqejë të paguajë taksa se I duket sikur nga pjesa e vet I jep shtetit. Filozofia dhe kultura që ajo pjesë është e shtetit, por nuk është e jotja që ia jep shtetit, por është e shtetit dhe shteti merr atë që I takon, do të dojë kohë, por unë besoj sot që ka një mënyrë më inteligjente , më të sofistikuar, për të komunikuar dhe edukuar njëri-tjetrin dhe unë besoj që në të gjithë atë maturim që kemi brenda Ministrisë së Financave, duke përfshirë Tatimet dhe Doganat, e gjithë fushata antiinformalitet faza e dytë tregon se ne dimë të mësojmë dhe dimë dhe të pranojmë sugjerime.

Ka brenda Tatimeve një fushatë shumë interesante, nëpërmjet instrumentave të platformës, të kryqëzimit të faturave dhe ka fenomene shumë interesante evazioni që do të duhen dënuar që në gjenezë dhe ne do ta bëjmë . Çfarë janë?  Bizneset e mëdha që në Librin e tyre të shitjeve kanë deklaruar shitje dhe biznese të tjera që ne Librin e tyre të blerjeve nuk u rezulton e njëjta shitje nga NIPt që  e ka deklaruar si shitje. Dhe nuk është fenomen për t’u konsideruar seriozisht dhe këtë e bën një segment i sipërmarrjes.

Ka dy qasje, një qasje që le t’i kthehemi dhe të vlerësojmë periudha të tëra dhe ngarkesa juaj fiskale të jetë jashtëzakonisht shumë e madhe dhe përgjegjësia juaj tatimore  të rivlerësohet, ka dhe një qasje tjetër që ju të vetëkorrigjoheni. Brenda dy muajve ne do të marrim sygjerimet tuaja për të gjitha procedurat tatimore, besoj se e gjithë sipërmarrja e di që ne kemi dërguar dhe një letër që brenda 20 ditësh në emailn tonë joinformalitetit@financa.gov.al, por jo vetëm , ju mund të na sygjeroni se si ne të përmirësojmë, të thjeshtëzojmë procedurat tatimore dhe një nga ato procedura e cila do ndryshim ligjor që do të përmirësohet drejtpërsëdrejti, është e drejta juaj për tu vetëkorrigjuar pa penalitet para se t’ju vijë auditi. Shkurt do të thotë që ju mund të korrigjoni përgjegjësinë tuaj tatimore vullnetarisht, sepse në themel të mbledhjes së të ardhurave është vullnetarizmi dhe barazia, dhe këtë ta përfitoni pa penalitete, dhe jo vetëm për një periudhë fiskale, por ndoshta edhe për periudha të tjera të mëparshme. Sigurisht që kjo është duke u maturuar brenda Ministrisë së Financave edhe unë besoj se brenda datës 20 qershor, pasi ne të kemi përfunduar të gjitha atë thirrje që I kemi bërë sipërmarrjes për sygjerime dhe opinione, ne do të jemi në gjendje që të kemi shumë më shumë informacion prej jush dhe për shkakun tuaj të kemi një paketë më të mënçur dhe më të thjeshtë procedurash tatimore.

Dua të ndaj me ju një vendimmarrje të Qeverisë Rama edhe për t’ju dhënë atë qetësi që meritoni ta keni si sipërmarrës. Ne nuk do të ndryshojmë taksat dhe tatimet, edhe ajo klauzolë që do të rriste akcizën në 1 Janar 2017 është ngrirë, nuk do të ndodhi. Pra punoni të qetë dhe me idenë, mendjen dhe besimin se nuk do të ketë ndryshim taksash dhe besoj kjo ju jep një qetësi dhe në bilancet dhe në planifikimin tuaj dhe besoj se është detyrë e qeverisë që tua japi këtë rehati legjitime ndaj sipërmarrjes. E vetmja paketë fiskale që ne do të kemi do të jetë thjeshtëzimi i procedurave.

Dua të ndaj me ju se unë të martën firmos ndryshimet në paketën e mbështetjes për Bujqësinë ku lejojmë edhe shitjet e vogla me cash, që ia lehtëson punën bujqësisë, do të lejojmë edhe mundësinë e kërkesës automatike në tatime për t’ju njohur fatura kompjuterike dhe do t’i klasifikojmë deri në ditën që ndodh ndryshe dhe gjendet ndyshe nga tatimet, si kompani me risk 0, që do të thotë se do të përfitojnë automatikisht pa kontroll, brenda 30 ditëve, pra ato kompani që eksportojnë, TVSh-në. Pra nuk do të kemi paketë fiskale me ndryshim taksash, do të kemi paketë fiskale vetëm ndryshim, thjeshtëzim procedurash në favor të sipërmarrjes.

Në të njëjtën kohë unë kam marrë konfirmimin që për tre javë, ne do të kemi gati “Tatimpaguesin dixhital”, një aplikacion shumë miqësor për kompjuterat, androidat apo telefonat tuaj. Aty do të keni disa rubrika. E para do të jetë “Sygjeroni”, e dyta do të jetë “Pyesni” dhe e treta do të jetë “Denonconi”. Mund të pyesni për paqartësitë që mund të keni, mund të sygjeroni që nga procedurat deri tek ndryshime ligjesh apo çfarëdo mendoni se duhet ndryshuar, dhe mund të denonconi këdo nga ne që tenton të bëjë avance korruptive ndaj jush apo sillet në mënyrë vulgare dhe jozyrtare në përballjen që keni me administratën. E katërta është informacion ku për shumë çështje standarde ku mund të merreni informacion qoftë për udhëzime, qoftë vendime , qoftë ligje që ju interesojnë drejtpërsëdrejti. Do të jetë shumë miqësor në përdorim dhe besoj që do të na vlejë jashtëzakonisht shumë që të komunikojmë me njëri-tjetrin në mënyrë shumë të shpejtë, shumë transparente dhe shumë bashkëpunuese.

Ndërkohë, kam komunikimin tim me administratën dhe ju them shpesh dhe do jua them në këto takime siç e kam thënë në rrrethet e tjera, ky është vend që pas shumë mundimesh ka lënë krizën ekonomike pas, ky është vend që pas shumë sakrificash ka mundur të korrigjojë strukturën e vetë ekonomike gjatë vitite 2014 dhe 2015 dhe siç e thekson dhe raporti I fundit i BSH ka ndryshuar struktura ekonomike nga ndërtimi tek industritë dhe nga veprimtaria me vlerë të ulët të shtuar në veprimtari me vlerë të lartë të shtuar. Megjithatë është vendi që përsa I përket raportit të investimeve të huaja me PBB është vendi I dytë në Rajon, duke pasur para vetëm Malin e Zi, I cili ka avancë në investimet e turizmit. Por duhet të kuptojmë si administratë se jemi në konkurrencë për  tërheqje investimesh dhe që të tërheqim investime pikë së pari duhet të jemi shumë korrekt, shumë modest, shumë transparentë dhe shumë ndihmues me sipërmarrjen që është sot këtu. Unë i kam thënë administratës dhe do të këmbëngul sërish që vulgariteti dhe mungesa e modestisë është krim në tatime, është vjedhje , sepse sado gabim të jetë sipërmarrja, ka riskuar paratë e veta dhe meriton të ndihmohet. Nëse ka një instrument që e mund legjitimitetin e administratës edhe kur ka të drejtë, është mungesa e modestisë. Personalisht nuk kam ndërmend ta toleroj asnjë sekond mungesën e modestisë në administratën tatimore dhe administratën doganore.

Jemi në një betejë me informalitetin, nuk jemi në një betejë me sipërmarrjen. Përkundrazi, ne dhe sipërmarrja jemi në betejë me varfërinë dhe me informalitetin dhe thënë kjo, kur je partner në një betejë do të ndash emocion pozitiv, do të ndash këmbëngulje. Platforma ku ne rrimë është ligji, kjo është e panegociueshme. Klima e sipërmarrjes duhet të ndryshojë me urgjencë. Edhe sikur sipërmarrja të jetë gabim dhe sikur ta kemi kapur gabim dhe sikur sipërmarrja në streset e veta ekonomike të jetë jo e qetë me ne, detyra jonë është të jemi këmbëngulës tek ligji por jashtëzakonisht shumë modest, shumë bashkëpunues dhe shumë edukues, sepse jemi dy anë të së njëjtës botë, ata që kanë riskuar paratë e tyre dhe ne që kemi detyrë të mbledhim atë që i takon shtetit, por pa ju bërë “ferr nëpër këmbë”.

Unë jam I bindur që me ndryshimet që kanë ndodhur këto vite në të dyja administratat, edhe sipërmarrja ka filluar ta ndjejë ndryshimin e qëndrimit që ka administrata, por nuk ka mbaruar, dhe kjo është një betejë shumë e gjatë dhe unë besoj se nëpërmjet të dy  fushatave që kemi, pra edhe ajo që kemi hapur deri në 20 qershor dhe nëpërmjet “Tatimpaguesit dixhital” ju keni mundësi që të na informoni, të na sygjeroni , të na denonconi, të na mësoni pafundësisht që ne të përmirësojmë punën tonë në lidhje me ju

Unë sërish ju garantoj që nuk ka ndryshime taksash, punoni të qetë, investoni dhe ju lutem na informoni çdo sekondë për atë që ne bëjmë gabim apo për atë që ne do të duhet ta bëjmë më mirë.

Faleminderit!

 

Të rejat e fundit