Postuar më: 14/02/2014

Zv/ministri Mete: Me fasonët, plan masash për lehtësimin e procedurave

Sektori fason është vënë në qendër të vëmendjes së qeverisë shqiptare. Aktualisht po zhvillohet një proces i gjërë takimesh në kuadër të planit të masave për të lehtësuar kostot dhe përmirësuar procedurat që shqetësojnë sektorin e prodhimit të veshjeve.

Me këtë rast, Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve zhvilloi më 12 shkurt Konferencën Vjetore, ku i ftuar ishte edhe zv/ministri i Financave, Ervin Mete.

 

Në kuadër të diskutimeve për rishikimin e kuadrit ligjor që prek sektorin, zv/ministri ftoi anëtarët e Dhomës Kombëtare që të paraqisnin propozimet dhe të diskutojnë bashkërisht në gjetjen e hapësirave për zgjidhje.

 

“Sigurisht jo të gjitha propozimet mund të realizohen, sigurisht jo të gjitha mund të merren parasysh në një kohë të shkurtër, por është shumë e rëndësishme që ne të ndërgjegjësohemi, është shumë e rëndësishme që të marrim hapa dhe të marrim angazhim për t’i realizuar ato kohë pas kohe, pra si një plan masash”, u shpreh z.Mete.

 

Për zv/ministrin e Financave “është shumë e rëndësishme për të kuptuar që në raste të veçanta mund të mos jetë ligji, mund të mos jetë shkalla tatimore, por mund të jetë thjesht një praktikë doganore që sektorit fason i shkakton më shumë burokraci,  vonesë, pengesë apo rëndesë”.

 

“Sigurisht që ne do të vazhdojmë të lobojmë dhe mbrojmë pranë autoriteteve interesat e organizatës tonë. Do ta bëjmë këtë vazhdimisht me qëllimin e mirë për të bërë më të mirën për këtë sektor, që gjykojmë se është një sektor potencialisht i rëndësishëm”, u shpreh Bardhi Sejdarasi, përfaqësues i Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve.

“Unë kam ardhur të dëgjoj përulësisht propozimet tuaja, sepse praktika juaj është informuesi më i mirë i ligjeve që ju prekin, dhe ne kemi angazhimin që të kemi një përpjekje të koordinuar për të bërë një paketë lehtësuese të sektorit tuaj”, theksoi z.Mete.

Sipërmarrësit në Konferencë vlerësuan ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Hartimin e Politikave Lehtësuese të këtij sektori dhe u shprehën se ky është një fillim i mirë. Matrica e hartuar nga MZHETS dhe ministritë e tjera të linjës u debatua në konferencë për t’i ofruar qeverisë propozime të argumentuara, që stimulojnë jo vetëm mbijetesën e këtij sektori në kushtet e konkurrueshmërisë së lartë në rajon dhe Europë, por edhe të krizës globale që ka prekur sipërmarrjet e këtij sektori të ekonomisë vendase, por edhe rritjen e konkurrueshmerisë dhe rritjen e të ardhurave dhe punësimit.

——–

Si pjesë e strategjisë për të formalizuar ekonominë, Ministria e Financave ka nisur në muajin shkurt një seri takimesh me grupet e interesit. Aktualisht ministria është në procesin e ribërjes së ligjeve fiskale, duke i rregulluar dhe harmonizuar me njëri-tjterin.

Të rejat e fundit