Postuar më: 07/06/2019

Ulja e informalitetit dhe klima e biznesit, Denaj: Të gjitha pagesat online deri në vitin 2021

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ishte e pranishme në prezantimin e rezultateve të vëzhgimit për mjedisin e biznesit 2019 nga Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA).

Ky vëzhgim është zhvilluar me anëtarët e FIAA, sipërmarrje të rëndësishme në vend si banka, kompani që veprojnë në fushën e industrisë, naftës, telekomunikacionit, energjisë, konsulencës, etj.

Ministrja Denaj është njohur me perceptimin e anëtarëve të FIAA mbi klimën e biznesit në vendin tonë dhe shqetësimet e tyre në të bërit biznes.

Ministrja u shpreh se një pjesë e perceptimeve të vëzhgimit janë të drejta, pasi ndikojnë në klimën e biznesit dhe në konkurrencën e ndershme.

“Kush është shqetësimi i tyre kryesisht? Është që rregullat e lojës të jenë të qarta dhe informaliteti të ulet. Ky është dhe objektivi ynë, prandaj gjetëm një dialog të mirë dhe një partneritet të frytshëm mes të dy palëve, në mënyrë që ta çojmë këtë projekt përpara”, u shpreh znj. Denaj.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë u shpreh se reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare prej disa vitesh kanë dhënë rezultatet e tyre të prekshme. Si rezultat i reformës së deregulimit sot 99 % e licencave jepen online, ndërsa 37 licenca po rishikohen për tu revokuar, çka përbën një lehtësi të madhe dhe reduktim të burokracisë për bizneset.

Ministrja Denaj u ndal më tej në projektin e Fiskalizimit, i nisur gjatë këtij viti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ky projekt synon që deri në vitin 2021 të gjitha pagesat do të realizohen në mënyrë elektronike, duke ndikuar në uljen e informalitetit dhe një klimë më miqësore ndaj biznesit.

“Është një projekt që Ministria e Financave e ka nisur këtë vit dhe mendohet se në vitet ’20-21 të gjithë pagesat do jenë më mënyrë elektronike. Kjo do ta ulte në një shkallë shumë të ndjeshme pjesën e informalitetit dhe do ta bënte sistemin të punonte në vetëvete dhe pa ndërhyrjen e individëve në administratë, të cilët deri diku duhet të jenë më miqësor me biznesin”, u shpreh Ministrja.

Një vend të veçantë në fjalën e saj Ministrja i kushtoi edhe reformës në arsimin profesional dhe zyrat e Punës, të cilat sot kanë një ndërlidhje më të mirë mes tyre në funksion të rritjes së punësimit. Ministrja ftoi investitorët e huaj që të vizitojnë shkollat profesionale dhe zyrat e Punës në zonat ku ata operojnë, në mënyrë që të ketë një bashkëveprim më të mirë mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve.