Postuar më: 30/11/2018

Treguesit e konsoliduar fiskalë të 10-mujorit 2018, të ardhurat rriten mbi 13 miliardë lekë

Treguesit e konsoliduar fiskalë të 10-mujorit 2018, të ardhurat rriten mbi 13 miliardë lekë

 

Të ardhurat totale për periudhën Janar-Tetor 2018, u realizuan në vlerën 370 miliardë lekë, me një rritje prej 3.8% ose 13.7 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe realizim në masën 98% kundrejt planit të periudhës.

Të ardhurat e arkëtuara nga “tatimet dhe doganat(përfshirë kontributet e mbledhura nga D.P.T) për 10 mujorin 2018, janë 325.7 miliardë lekë, me rritje 4.4% ose 13.8 miliardë lekë më shumë se 10 mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit të periudhës në masën 98.4%.

Të ardhurat nga “Taksa Doganore” janë realizuar në vlerën 5.1 miliardë lekë.

Të ardhurat nga “Akciza” janë realizuar në vlerën 37.2 miliardë lekë. Ndikim ka pasur “Karburanti” (import+prodhim vendas), që rezultoi rreth 486,430 ton, me një rritje prej 19,753 ton ose +4.2% krahasuar me 10 mujorin e vitit 2017. Gjithashtu performancë pozitive si rezultat i rritjes së sasisë, kanë shënuar: importi dhe prodhimi i “Birrës” +2.1%; importi i “Duhanit” +8.3%; importi i “Vajit lubrifikant” +6.8%, import i “Kafes” +8.2%. Deklarimi i prodhimit vendas të duhanit është rritur nga 9 ton në 16 ton të deklaruara në periudhën Janar-Tetor 2018.

Të ardhurat nga “Renta Minerare” në eksport janë realizuar në vlerën 2.3 miliardë lekë, me rritje 21% ose 392 milionë lekë më shumë krahasuar me 10 mujorin e vitit 2017. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar dhe si rezultat i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare. Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur me 296 milionë lekë, si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar me rreth 103 mijë ton dhe me 401 milionë lekë si rezultat i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke sjellë rritje të rentës për njësi nga 2.85 lekë/kg në 3.65 lekë/kg. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 92 milionë lekë për shkak të rënies së sasisë së eksportuar, me rreth 337 mijë ton si dhe janë ulur me 214 milionë lekë, për shkak të rënies së çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” në total, janë realizuar në vlerën 118.5 miliardë lekë, me rritje 3.5% ose 4 miliardë lekë më shumë se 10-mujori i vitit 2017. Karburanti import mbuloi rreth 86% të konsumit gjatë periudhës Janar-Tetor të vitit 2018 krahasuar me 69% që ishte ky tregues në vitin e kaluar. Rënia e kursit të këmbimit të monedhave të huaja (EURO dhe USD) kundrejt monedhës vendase, ka dhënë efekte të ndjeshme negative në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja në import për të gjitha kategoritë e mallrave. Janë rimbursuar rreth 11.7 miliardë lekë, ose 6.3% më shumë se 10-mujori i vitit 2017.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 27 miliardë lekë, me rritje 6.6% ose 1.7 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kriza energjitike e vitit të kaluar ka dhënë efekte negative në rezultatin financiar të kompanive të sistemit energjitik, çka u reflektua në uljen e fitimit të tatueshëm dhe tatimit të paguar në vitin 2018.

 

Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” janë realizuar në vlerën 31 miliardë lekë, me rritje 14.5% ose 3.9 miliardë lekë më shumë se 10-mujori i vitit 2017 dhe +0.7% ose 217 milionë lekë më shumë krahasuar me planin. Krahasuar me 10-mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat nga të punësuarit e sektorit publik dhe sektorit privat, janë rritur ndjeshëm, kjo si rezultat i rritjes së numrit të kontribuesve aktiv krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar në vlerën 29.9 miliardë lekë, me rritje 0.5% ose 150 milionë lekë më shumë se plani.

Të ardhurat nga “Kontributet e D.P.T-së” janë realizuar në vlerën 74.8 miliardë lekë, me rritje 7.8% ose 5.4 miliardë lekë më shumë se 10 mujori i vitit 2017 dhe 0.8% ose 565 milionë lekë më shumë se plani. Rezultati i lartë me rritje të qëndrueshme buron kryesisht nga situata pozitive ekonomike dhe rritja si rrjedhojë e numrit të të punësuarve. Nga ana tjetër aksioni antiinformalitet ka dhënë efekte të dukshme në formalizimin e tregut të punës.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e dhjetë të vitit 2018, arritën në rreth 368.5 miliardë lekë, me një rritje prej 2.4 përqind më i lartë ose rreth 8.6 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Shpenzimet korente për periudhën 10 mujore të vitit 2018 rezultuan në rreth 318.4 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 2.8 përqind më i lartë ose rreth 8.8 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet korente për periudhën 10 mujore zënë 86.5 përqind të totalit të shpenzimeve ndërkohë që krahasuar me Produktin e Brendshëm Bruto zënë 19 përqind.

Shpenzimet kapitale për muajin e dhjetë të vitit 2018 paraqesin një realizim në masën rreth 49.9 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë është 7.2 përqind më i lartë ose 3.37 miliard lekë më shumë. Shpenzimet kapitale për periudhën 10 mujore zënë 13.5 përqind të totalit të shpenzimeve ndërkohë që krahasuar me PBB zënë 3 përqind. Edhe për shpenzimet kapitale vihet re një trend i qëndrueshëm ndër vite kundrejt PBB.

Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskal të konsoliduar, ky nivel realizimi i shpenzimeve të përgjithshme dhe të ardhurave të përgjithshme, është shoqëruar me një suficit buxhetor prej rreth 1.54 miliardë lekë.