Të drejtat e tatimpaguesve

Të drejtat e tatimpaguesve konstituohen nëpërmjet Kreut IV të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008,“Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Ligji parashikon konkretisht këto të drejta të tatimpaguesve:
E drejta për informim dhe asistencë
Çdo tatimpagues ka të drejtë që, me qëllim kuptimin dhe zbatimin e legjislacionit tatimor, të marrë
informacion dhe të asistohet pa shpërblim nga administrata tatimore. Brenda strukturës së
administratës tatimore krijohen strukturat përgjegjëse për shërbimin e tatimpaguesve.
Çdo tatimpagues ka të drejtën e trajtimit të paanshëm, profesional dhe etik nga administrata
tatimore, për çështje, që kanë të bëjnë me detyrimet tatimore.
E drejta për konfidencialitetin e të dhënave
Çdo tatimpagues ka të drejtën e konfidencialitetit për të dhënat e veta tatimore e financiare, të
administruara nga administrata tatimore.
E dhënë tatimore dhe financiare është çdo informacion, i cili merret nga administrata tatimore,
gjatë ushtrimit të funksioneve, tek tatimpaguesi ose palët e treta.
E drejta për njoftim
Çdo tatimpagues ka të drejtë të marrë njoftim për çdo akt administrativ, veprim ose mosveprim, të
bërë për mbledhjen e detyrimeve tatimore, i cili prek pasurinë e tij, me përjashtim të rasteve kur
administrata tatimore vlerëson se ekziston rreziku real që, pas marrjes së njoftimit, tatimpaguesi
ta transferonte pronësinë para përfundimit të vlerësimit tatimor.
E drejta për kontrolle të arsyeshme
Tatimpaguesi ka të drejtë t’i sigurohen kontrolle të arsyeshme, të cilat të kryhen në kohë të
arsyeshme, në vendin e duhur dhe brenda afateve, sipas dispozitave të këtij ligji.
E drejta për informim
Në rastin e një mosmarrëveshjeje për vlerësimin tatimor, të bërë nga administrata tatimore
tatimpaguesi ka të drejtë të marrë përgjigje me shkrim, në lidhje me arsyet dhe mënyrën e
vlerësimit dhe të vendimit të marrë.
Në bazë të kërkesës me shkrim të tatimpaguesit, administrata tatimore lëshon vërtetim për të
ardhurat e tatueshme, për detyrimet tatimore të mbetura, si dhe për pagesat e kryera nga
tatimpaguesi.

E drejta për përfaqësim
Tatimpaguesi ka të drejtë të emërojë një përfaqësues, me prokurë, i cili përfaqëson atë në raport
me administratën tatimore.
Tatimpaguesi mbetet personalisht përgjegjës për përmbushjen e detyrimeve tatimore edhe në rastin
e emërimit të përfaqësuesit me prokurë.
E drejta për të kërkuar evidenca me shkrim apo në rrugë elektronike
Tatimpaguesi ka të drejtë të kërkojë nga administrata tatimore, në rrugë elektronike apo me shkrim,
kopje të njësuara me origjinalin, për çdo dokument, që ndodhet në dosjen e hapur për të, apo të
kërkojë kopje të printuara dhe të certifikuara të të dhënave elektronike, të lidhura me të.
E drejta për t’u dëgjuar
Tatimpaguesi, përpara marrjes së një vendimi administrativ për të dhe pasurinë e tij, ka të drejtën
të dëgjohet nga administrata tatimore.
E drejta e ankimit
Tatimpaguesi gëzon të drejtën të ankohet dhe të sigurohet për një shqyrtim të pavarur administrativ
të çështjeve të lidhura me të, në përputhje me kreun XIII, të ligjit të procedurave tatimore.
Tatimpaguesi gëzon të drejtën gjithashtu të ankohet në rrugë administrative, në përputhje me
Kodin e Procedurave Administrative, në Drejtorinë Rajonale Tatimore ose në Drejtorinë e
Përgjithshme të Tatimeve, për çdo veprim apo mosveprim të punonjësve të administratës tatimore
qendrore që shkelin të drejtat e tatimpaguesit.