Postuar më: 19/07/2018

Tatimi mbi të ardhurat e lojërave e fatit rritet në 15%. Komisioni Europian vlerëson rritjen ekonomike, përmirësimin e tregut të punës dhe uljen e borxhit

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Parlament:

“Tatimi mbi të ardhurat e lojërave e fatit rritet në 15%. Komisioni Europian vlerëson rritjen ekonomike, përmirësimin e tregut të punës dhe uljen e borxhit”

Faleminderit Kryetar,

Unë do të them disa fjalë për marrëveshjen në fjalë. Marrëveshja e Republikës së Shqipërisë me konsorciumin për ndërtimin e Trans Adriatik Pipeline ka qenë dhe mbetet një sukses i vazhdueshëm, i bashkëpunimit të një qeverie me një investitor strategjik dhe me rëndësi të veçantë jo vetëm për vendin, jo vetëm për ekonominë e Shqipërisë, por edhe për ekonominë e rajonit apo futjen në hartën gjeo-energjitike strategjike të Shqipërisë nëpërmjet këtij investimi.

Marrëveshja në fjalë bën diçka fare të thjeshtë, përsërit regjimin fiskal në funksion të lehtësimit të marrëdhënies midis administratës tatimore dhe konsorciumit, atë që ka ndodhur me regjimin fiskal të ndërtimit të hidrocentralit të Devollit. Pra, jemi duke thjeshtësuar marrëdhënien në reflektim të problematikës së rimbursimit të akumuluar në 5 vitet e fundit, që do të thotë se në mënyrë rigoroze kompania, duke deklaruar edhe të gjithë nënkontraktorët e vet, bën transparencë fiskale, ndërkohë në importet e veta nuk do të paguajë TVSH por do të konsiderohet në bazë të regjimit brenda TVSH-së, me autofaturim, e njëjta gjë si Devolli.

Por besoj që është një rast shume i mirë për të folur për zhvillimet e ekonomisë shqiptare dhe do t’i referohem shumë shkurt raportit të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate dhe potencialisht kandidate ku përfshihet edhe Shqipëria.

Çfarë thotë Komisioni për zhvillimet ekonomike? Shqipëria është rritur ekonomikisht 4.45 % dhe është rritja më e lartë në shumë e shumë vite. E dyta dhe po shumë e rëndësishme, brenda rritjes ekonomike, flet për investimet në tërësi dhe investimet e huaja, ku thotë atë që thotë INSTAT-i, atë që thotë Banka e Shqipërisë dhe atë që përsërisim ne, pra, në aspektin e kërkesës rritja ka ardhur për shkak rritjes së konsumit dhe rritjes së investimeve. Pra, gjithë ajo bolori për rënie ekonomike tashmë ka tre vjet që provohet jo vetëm statistikisht por edhe praktikisht në terenin ekonomik, e kundërta e atyre që trumbetojnë rënien ekonomike.

Në të njëjtën, kohë flet për eksportet në rritje me dy shifra. Praktikisht kompanitë shqiptare kanë mundur të eksportojnë jo vetëm në rajon, por edhe në Bashkimin Europian dhe rritja e eksporteve tregon që ekonomia shqiptare ka rritur konkurrueshmërinë dhe është 18.3 %, me dy shifra rritja e eksporteve dhe praktikisht, me gjithë vlerësimin e lekut në raport me Euron që patjetër mund të ketë ngarkuar e diku dëmtuar eksportues të mundshëm, për shkak të rritjes së volumeve dhe për shkak të rritjes së konkurrueshmërisë të ekonomisë shqiptare, volumet janë vetëm në rritje, vlerat janë vetëm në rritje dhe gama e eksporteve, produkteve shqiptare që eksportohen në rajon dhe në Bashkimin Europian apo dhe përtej, është vetëm në rritje.

Eksportet kanë qenë një nga pikat më të dobëta të ekonomisë shqiptare. Nuk po them që ky element është forcuar përgjithmonë, është akoma fraxhil, do të duhet të investojmë procedura, do të duhet të investojmë vëmendje, do të duhet të investojmë punë në mënyrë që konkurrueshmëria e ekonomisë shqiptare në raport me eksportin të vijë vetëm në rritje e tregjet vetëm të zgjerohen.

Ndërkohë, flitet për tregun e punës e këtu unë do të kisha një sfidë për opozitën, por fatkeqësisht, si zakonisht, opozita është e munguar në çdo gjë.  Komisioni Europian thotë që tregu i punës është përmirësuar konsiderueshëm për shkak të ekspansionit dhe rritjes së ekonomisë. Dje po dëgjoja Komisionin e Ekonomisë, përfaqësues të opozitës që thonë rritja e punësimit nuk është reale dhe e dini çfarë bëra? Kam sjellë gjithë listë-pagesat e Republikës së Shqipërisë, gjithë borderotë e Republikës së Shqipërisë.

Të dashur qytetarë, të dashur deputetë, në këto kuti janë gjithë listë-pagesat e qytetarëve shqiptarë që shkojnë në punë, e janë me kompani dhe me emra, 670 mijë qytetarë, e le t’i marrin gjithë listë-pagesat dhe t’i verifikojnë. Pra, e gjithë ajo boloria fermentuese që punësimi nuk është real, ja ku është listë-pagesa e Republikës së Shqipërisë dhe do kisha kënaqësinë që t’jua lë kutitë dhe listat, do t’jua lë borderonë e Republikës së Shqipërisë për të prekur me dorë dhe për të lexuar emra njerëzish, fytyra njerëzish, emra kompanish që pulsojnë në Republikën e Shqipërisë dhe qytetarë shqiptarë që kanë emra konkretë, punë konkrete, pagë reale, që dalin në mëngjes në punë, shkojnë çdo ditë në një punë që e kanë siguruar të paktën mbi 35% e tyre në mandatin e parë dhe në vazhdim të mandatit të dytë të qeverisë Rama. Pra, të dashur qytetarë, përfaqësues të medias dhe të dashur deputetë, ja ku është verifikimi, listë-pagesat e Republikës së Shqipërisë, borderotë. Në këto bordero, të dashur miq, është çdo emër i të punësuarve në Republikën e Shqipërisë.

Do të vazhdoj diskutimin po për atë që thotë Komisioni për ekonominë e Shqipërisë. Eshtë ulur borxhi publik. I keni dëgjuar budallallëqet dhe brroçkullat, “u rrit borxhi publik”, “u rrit borxhi publik”? Borxhi publik është në ulje dhe Komisioni thotë që borxhi publik ka rënë nga viti në vit dhe po shkon në tremujorin e parë të 2018-ës në 69%, e mos harroni, me premtim që në fund të vitit do të jetë nën 68%, e do vazhdojë ndër vite konsolidimi fiskal, deri në fund të këtij mandati 60-63 %, për ta shëndoshur përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme dhe këtë pjesë të financave publike.

Ndërkohë, dua që të bëj një sqarim për qytetarët, të përfitoj nga i dituri i paditur që faktikisht ka vendosur rekord në hajdutëri, në gënjeshtër, në vrasje dhe në shkatërrim. Akuzoi qeverinë që ka ulur tatimin për lojërat e fatit dhe kam parë edhe portale që për shkak të mos leximit të ligjeve, ose moskuptimit, mund të jetë edhe kjo, thonë atë që tha boloria.

Ja ku e keni ligjin e vitit 2015. Të nderuar qytetarë, të dashur deputetë, ky ligj nuk ka ndryshuar. Ky ligj vendos konceptin, definicionin, mënyrën e tatimit. Por çfarë ka ndodhur? Këta kanë dhënë Llotarinë Kombëtare. Ky hajduti këtu që iku dhe ai hajduti tjetër, njëri kryetar komisioni i atëhershëm dhe tjetri Kryeministër i atëhershëm, sollën një ligj në këtë Parlament për Llotarinë Kombëtare ku e taksonin 10%. Çfarë ka bërë ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat”? Nga 10 % ia ka bërë tatimin 15%. Asnjë gjë tjetër nuk ka ndryshuar. Ja ku e keni, është publik, është i botuar e zeza në të bardhë, ku thotë që “shkalla e tatimit edhe për Llotarinë Kombëtare do të jetë 15%”, jo 10 %.

Tani, padituria, injoranca, qëllimshmëria, hajdutëria, vjen këtu dhe akuzon për ulje të taksimit. Asgjë nuk ka ndryshuar përveç rritjes nga 10% në 15% të tatimit mbi të ardhurat bruto, një definicion i shkruar në ligjin e 2015-ës, i pandryshuar që atëherë dhe barazon tatimin e të gjithë të tjerëve me Llotarinë Kombëtare, i dhënë me një dorë ekskluzive nga Sali Berisha. Këtë bën ligji. Pra, për të sqaruar opinionin publik dhe për të hedhur dritë dhe mbi zhvillimet ekonomike, sigurisht që unë do ta vazhdoj, do ta them atë që, nuk po themi që ekonomia shqiptare është e dyta pas Gjermanisë dhe ka lënë mbrapa edhe Francën. Ajo që po themi është që në raport me pritshmërinë, kemi absolutisht shumë për të bërë, por në raport me atë që gjetëm jemi dita dhe kemi lënë mbrapa natën.

Faleminderit!

Të rejat e fundit