Postuar më: 08/09/2019

Stop Informaliteti, Drejtoria e Përgjitshme e Doganave prezanton rezultatet e kontrollit të sektorit të hidrokarbureve

Në kuadër të zbatimit të Planit Operacion Stop Informalitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave z.Arlind Gjokuta prezantoi rezultatet e kontrollit mbi të gjithë operatorët e sistemit me shumicë në vend që importojnë, tregtojnë apo prodhojnë karburante dhe gaz, të gatshëm për konsum.

Kontrolli u krye për periudhën  2018 – deri në  gusht 2019, dhe konsistoi në krahasimin e  të dhënave të sistemit informatik doganor, matjeve fizike të vitit 2018 me gjendjet e matjeve fizike të kryer nga grupi i kontrollit, duke shtuar veprimet doganore të periudhës në kontroll.

Si rezultat i këtij procesi kanë rezultuar mangësi nga gjendja e deklaruar te të gjithë operatorët që operojnë me karburant në magazinat e lira, 1 operator që operon me gazin natyral të lëngshëm dhe 1 rafineri prodhimi.

Në total detyrimi i munguar dhe penalitetet për këto sasi janë rreth 129 mln lekë (1.06 mln euro).

Plani Operacional Stop Informalitetit do të vazhdojë të zbatohet nga strukturat përkatëse me qëllim rritjen e të ardhurave, garantimin e konkurrencës së ndershme në treg, mbrojten e konsumatorëve, si dhe reduktimin e informalitetit në ekonomi.

 

Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave

Siç premtuam pak ditë më parë, jam sot në këtë dalje publike, për të ndarë me ju rezultatet e kontrollit mbi të gjithë operatorët e sistemit me shumicë në vend që importojnë, tregtojnë apo prodhojnë karburante dhe gaz, të gatshëm për konsum.

Në zbatim të planit operacional për kontrollin e produkteve energjetike, Departamenti i Analizave dhe Aposteriorit në DPD, ka kryer kontroll për:

–           8 magazina të lira për karburantet me vendndodhje në Porto Romano, Lezhë dhe Vlorë

–           4 magazina të lira për produktin Gaz i Lëngshëm Natyror me vendndodhje në Vlorë dhe Porto Romano

–           Si edhe 3 rafineritë e përpunimit të naftës bruto në Fier, Ballsh dhe Elbasan

Kontrolli u krye për periudhën  2018 – deri në  gusht 2019, dhe konsistoi në krahasimin e  të dhënave të sistemit informatik doganor, matjeve fizike të vitit 2018 me gjendjet e matjeve fizike të kryer nga grupi i kontrollit, duke shtuar veprimet doganore të periudhës në kontroll.

Grupi i kontrollit gjithashtu, përllogariti dhe analizoi firot natyrore e teknike të njohura, sipas bazës ligjore në fuqi.

Në përfundim të kontrollit, për çdo operator që ka rezultuar me sasi të munguara janë llogaritur detyrimet doganore të munguara dhe janë aplikuar sanksionet përkatëse sipas Kodit Doganor dhe ligjit “Për akcizat”.

Si rezultat i këtij procesi, kanë rezultuar mangësi nga gjendja e deklaruar te të gjithë operatorët që operojnë me karburant në magazinat e lira, 1 operator që operon me gazin natyral të lëngshëm dhe 1 rafineri prodhimi, më konkretisht si më poshtë:

–           ROYAL TRADE COMPANY sha

–           PORTO ROMANO OIL sha

–           KASTRATI sha

–           GENKLAUDIS sha

–           EUROPETROL sha

–           EROIL sha

–           BOLUNMEZ PETROL sha

–           LA PETROLIFERA ITALO – ALBANESE sha

–           MARE OIL Sh.A

–           TOSK ENERGJI Sha,

Në total, nga i gjithë procesi i kontrollit rezultuan diferenca për:

  • 752,015 litra karburant
  • 77,451 litra gaz.

Në total detyrimi i munguar dhe penalitetet për këto sasi janë rreth 129 mln lekë (1.06 mln euro).

Jemi të ndërgjegjshëm që lufta ndaj informalitetit kërkon edhe analizimin dhe evidentimin e faktorëve të brendshëm që kanë  ndikuar në zhvillimin e këtij fenomeni, si dhe marrjen e masave dhe nxjerrjen e përgjegjësive për cdo individ apo strukturë të institucionit.

Për sa më sipër, bazuar në mangësitë e evidentuara, perveç penalizimit të subjekteve, ka nisur procesi i verifikimit të përgjegjësive brenda administratës doganore. Aktualisht janë liruar nga detyra dhe thirrur në komisionin disiplinor 14  doganierë.

Përfitoj nga rasti të rikujoj që ky nuk është një aksion i kufizuar në kohë, por një Plan Operacional Veprimi i vazhdueshëm me objektiv të qartë: asnjë kompromis ndaj informalitetit dhe çdo operatori që do rezultojë me parregullsi.

Synimi i vetëm është mbrojtja e biznesit të rregullt dhe e konsumatorëve, duke garantuar që barra fiskale ndahet në mënyrë të barabartë nga të gjithë bizneset dhe taksat e mbledhura shkojnë për shërbime dhe investime për qytetarët.

Ju faleminderit!