Postuar më: 17/01/2014

Shqipëri-Kosovë, heqje reciproke të TVSH për librin dhe eliminimin e tatimit të dyfishtë

Një javë pas mbledhjes së përbashkët të qeverive të të dy vendeve në Prizren, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka vizituar sot Kosovën për të diskutuar tashmë më konkretisht rreth fushave të bashkëpunimit ekonomik me homologun kosovar të Financës, Besim Beqaj.

Të dy ministrat kanë zhvilluar një takim me grupet e tyre teknike në lidhje me realizimin e dy marrëveshjeve: heqjen TVSH-së për librat dhe eliminimin e tatimit të dyfishtë.

 

Axhenda e vizitës së ministrit Shkëlqim Cani parashikonte një takim së bashku me Ministrin e Financave të Republikës së Kosovës, Besim Beqaj me biznesit vendas, ku pati rastin të prezantonte ndryshimet e fundit të paketës fiskale, të dëgjonte shqetësimin e sipërmarrjes private kosovare si dhe të parashtronte mundësinë e bashkëpunimit.

 

“Ishte një frymë vëllazërore, një frymë e mirë e bashkëpunimit, një frymë tejet e hapur e cila mbizotëroj edhe në diskutimet me bizneset dhe dua të them që jam i inkurajuar edhe nga gatishmëria e bizneseve për t’i trajtuar problemet shumë hapur me ministrat e Financave, dhe konstatimi ynë është  te biznesi dhe gatishmëria e tyre  për të bërë biznes konform akteve ligjore, për të bërë biznes formal, për të bërë biznes i cili shkon  në të mirë të rritjes ekonomike dhe mirëqenies të qytetarëve”, theksoi ministri Beqaj.

 

Pas takimeve, dy ministrat zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp

 

 

Fjala e Ministrit të Financave, z.Shkëlqim Cani

 

Në emër të Qeverisë Shqiptare dua të falënderoj mikpritjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, jo vetëm këtu, në këtë rast, por duke nisur nga Prizreni me një takim emocionues dhe frytdhënës për të dyja vendet.

 

Vij nga Tirana në vijim të takimit të Prizrenit për të çuar në terma praktik dhe veprues sa më shpejt të asaj fryme dhe dëshire të mirë të të dy qeverive, për të ecur në rrafshin ekonomik, por edhe në fusha të tjera në dobi të vendeve tona.

 

Duke qenë se jemi dy vende me synime të qarta, haptas dhe fuqishëm drejt Bashkimit Europian dhe ku natyrisht e gjithë kjo atmosferë vëllazërore, miqësore e dëshirave të mira, sheh për nga progresi i ekonomive të të dy vendeve, synimi ynë do të jetë ekonomisë evropiane.

 

Vizita në Prishtinë nuk ishte vetëm e një vullneti të mirë, por edhe e një dëshirë praktike për të çuar  më tej disa marrëveshje konkrete, dy prej të cilave i përmendi ministri. Ne biseduam për hartimin një program konkret, lë të themi strategji dy-trevjeçare për të precizuar me ekipet teknike, tashmë të ngritura nga ministritë, rrugën e bashkërendimit të procesit fiskal të të dy vendeve.

 

Biznesi është ai që i hap rrugët, ai që është më agresivi, ku në fund të fundit është i pari për nga rëndësia, më dobisjellës dhe dobimarrës, pasi natyrisht, edhe një nga qëllimet është përfitimi i popujve tanë.

 

Takimi i sotëm me bizneset këtu në Prishtinë ishte shumë frytdhënës dhe i hapur. Ne do të vijojmë më tej pasi presim respektivisht nga bizneset e të dyjave vendeve prezencë më të shumëfishtë në të gjitha drejtimet, jo vetëm në tregti, por edhe në investime, ku të mos mungojnë iniciativat e përbashkëta të zhvillimit.

 

Është në mirëkuptim të të dy palëve si Ministri të Financave, por edhe si dy qeveri, që ne t’i hapim sa më shumë “rrugët”, për të parë mundësinë që tregu të jetë më i përbashkët, ku të përfitojmë nga ekonomia e shkallës dhe të kemi një harmonizim të paktikave dhe legjislacionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Të rejat e fundit