Postuar më: 22/11/2018

Shqipëri- Gjermani, Bashkëpunim për Zhvillim. 168 milion euro mbështetje financiare dhe asistencë teknike në sektorët kycë

Shqipëri- Gjermani, nënshkruhet Protokolli i bisedimeve mbi Bashkëpunimin për Zhvillim. 168 milion euro mbështetje për energjinë, zhvillimin e qendrueshëm ekonomik dhe furnizimin me ujë.

U finalizuan sot bisedimet mbi Bashkëpunimin për Zhvillim mes Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, kryesuar nga Ministri Arben Ahmetaj dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, kryesuar nga z. Dirk Schattschneider.

Protokolli përmbledh angazhime financimi të qeverisë gjermane në formën e bashkëpunimit financiar (hua dhe grante nga KfW) si dhe bashkëpunimi teknik (GIZ) në një total prej rreth 168.4 milionë Euro ku 147.9 milionë Euro janë bashkëpunim financiar ndërsa 20.5 milionë euro bashkëpunim teknik, të alokuara në fushat e energjisë, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe furnizimit me ujë/ kanalizime/ mbetje të ngurta.

Në mbyllje të bisedimeve, palët nënshkruan Protokollin e Bisedimeve mbi Bashkëpunimin për Zhvillim.

Në deklaratën për shtyp pas përfundimit të negociatave, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj theksoi faktin se ky vit shënon 30 vjetorin e partneritetit dhe bashkëpunimit të suksesshëm midis Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë në këto 30 vite, me më shumë se një miliard euro, si në mënyrë direkte, ashtu edhe indirekte.

“Përkushtimi i qeverisë së Republikës Federale Gjermane me shumën e ngazhuar prej 168.4 milionë euro do të jetë thelbësor në thellimin e procesit të transformimit social dhe institucional shqiptar, drejt arritjes së synimit tonë përfundimtar dhe aspiratën e anëtarësimit në BE”, u shpreh Ministri Ahmetaj.

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, znj. Sussane Schütz shprehu kënaqësinë e saj që bisedimet qeveritare për bashkëpunimin në dy vitet e ardhshme mes Shqipërisë dhe Gjermanisë u përmbyllën me sukses.

Ajo theksoi se “shifrat rekord janë provë e rëndësisë së madhe që Qeveria Federale i kushton mbështetjes së Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Në 30 vitet e fundit ne kemi qëndruar vazhdimisht në krah të Shqipërisë dhe do të vazhdojmë të mbetemi një partner i besueshëm i saj. Gjermania vë në dispozicion jo vetëm fonde financiare të shumta dhe ekspertizë profesionale, por ne jemi gjithashtu edhe një konsulent kritik.  Kështu ne e inkurajojmë Shqipërinë të vijojë në mënyrë konsekuente rrugën e nisur të reformave, veçanërisht atë në sektorin e drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në pritje të vendimmarrjes së BE-së pranverën e vitit të ardhshëm lidhur me çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë duhet thënë se nuk ka kohë për të humbur”.

Nga ana e tij, kreu i delegacionit të qeverisë federale Gjermane tha se ky vit jubilar i 30 vjetorit të bashkëpunimit shqiptaro-gjerman për zhvillim ka shënuar një shifër rekord të premtimeve financiare prej gati 170 milionë euro, duke shtuar gjithashtu se krahas kësaj KFW lëvron për Ministrinë e Financave në Shqipëri një kredi në vlerën e 100 milionë euro përmes të cilave do të reformohet rrënjësisht sektori i energjisë, sikurse dhe do të përmirësohet furnizimi me ujë i mbarë popullsisë.

“- Në dëshirojmë të mbështesim Shqipërinë në plotësimin e kërkesave të Bashkimit Europian përsa i përket luftës kundër krimeve të rënda, mbajtjes pastër të plazheve dhe shmangies së përmbytjeve. Qëllimi ynë është i përbashkët është që nga njëra anë të përmirësojmë kushtet e jetesës së njerëzve, p.sh me projekte të tilla si me furnizimin me energji dhe ujë, dhe nga ana tjetër të zhvillojmë institucionet shqiptare duke i bërë ato të afta për Bashkimin Europian”, tha ai.

 

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj:

 

Te nderuar Partnerë!

Te nderuar kolege!

Jam i kënaqur të nënshkruaj sot protokollin me Qeverine Gjermane.

Bisedimet që zhvilluam sot janë shumë të rëndësishme, pasi ky është një vit i veçantë për marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

Ky vit shënon 30 vjetorin e një partneriteti dhe bashkëpunimi të suksesshëm midis Shqipërisë dhe Gjermanisë. Që nga viti 1988, kur filloi bashkëpunimi per zhvillim, qeveria gjermane eshte një aleat shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Gjermani është donatori më i madh në Shqipëri, duke siguruar fonde për qindra projekte në sektorë të ndryshëm kyc të ekonomisë në Shqipëri. Gjatë këtyre 30 viteve, Gjermania ka mbështetur Shqipërinë me më shumë se 1 miliard euro, si në mënyrë direkte, ashtu edhe indirekte.

Ky është një moment tjetër historik për Shqipërinë në lidhje me perspektivën tonë të anëtarësimit në familjen evropiane, te ciles i përkasim ne menyre natyrale. Qeveria e Shqipërisë është shumë e përkushtuar dhe po tregon vendosmërinë ndaj ambicies së saj të anetaresimit ne BE dhe ne po punojmë me perkushtim për të përmbushur të gjitha kërkesat për të mundësuar hapjen e negociatave me BE-ne. Qeveria e Shqipërisë po thellon me kembengulje procesin e reformave.

Pikerisht ne keto momente, përkushtimi i Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, me shumën e angazhuar prej 168.4 milion Euro, do të jetë thelbësor në thellimin e procesit të transformimit social dhe institucional shqiptar, drejt arritjes së syniit tonë përfundimtar dhe aspiraten e anetaresimit ne BE.

Fushat e bashkëpunimit për të cilat u dakordesuam sot përputhen shume mirë me prioritetet e qeverisë shqiptare.  Qeveria Gjermane, permes GIZ dhe KFË, do vazhdojne mbeshtetjen e saj në shumë sektorë me rëndësi strategjike per vendin tone, duke përfshirë sektorin e energjisë, transportin e gjelbër dhe mjedisin, menaxhimin e integruar të ujit, menaxhimin e mbeturinave dhe bujqësinë, arsimin dhe aftësimin profesional, zhvillimin e zonave rurale dhe urbane, zhvillimin e turizmit, promovimin e SME-ve dhe përafrimin e aktiviteteve të fermerëve me standardet e Bashkimit Evropian etj.

Unë deshiroj te shfrytëzoj këtë mundësi për t’ju shprehur edhe njehere që Gjermania mbetet për ne partner shumë i rëndësishëm dhe ne jemi te angazhuar per te pasur nje bashkepunim sa me te frytshem dhe te suksesshem.