Postuar më: 13/11/2018

Shpenzimet e buxhetit 2019, Investohen 88,8 miliardë lekë. Pagat rriten 7-20% për kategoritë kryesore

Fjala e Ministrit për Shpenzimet Buxhetore 2019 në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave

Në vazhdën e diskutimeve që kemi së bashku në parim dhe pastaj më tej nen për nen, sot kemi shpenzimet.

Shpenzimet Buxhetore për vitin 2019 do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: infrastruktura, arsimi, shëndetësia, bujqësia, të cilat do të stimulojnë më tej rritjen ekonomike të vendit duke gjeneruar njëkohësisht punësim.

Për vitin 2019, shpenzimet buxhetore do të kapin për herë të parë vlerën absolute prej 519.4 miliardë lekë ose 29.6% e PBB. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2018, totali i shpenzimeve buxhetore programohet me rreth 5.9% më shumë. Në terma realë, kuptohet se shpenzimet buxhetore do të pësojnë një rënie të lehtë e cila vjen si pasojë e përmbushjes së objektivit madhor kombëtar të konsolidimit fiskal.

Shpenzimet e personelit: Shpenzimet e personelit në vitin 2019 planifikohen në nivelin 80.6 miliardë lekë. Në terma realë, shpenzimet e personelit vijojnë të mbajnë një trend konstant me 4.6% krahasuar qoftë me tre vitet e fundit, gjë që dëshmon politikën shumë të kujdesshme të Qeverisë në mbajtjen nën kontroll të këtyre shpenzimeve. Kjo politikë e kujdesshme reflektohet dhe në numrin total të punonjësve buxhetorë që propozohen si limit në këtë projektbuxhet dhe vazhdon të qëndrojë në shifrën e 82 mijë e 22 punonjës buxhetorë, ashtu sikurse janë planifikuar që prej vitit 2016, si vit i parë i delegimit të disa funksioneve në njësitë e qeverisjes vendore.

Nga politika e rritjes së pagave do të përfitojnë sipas sektorëve kategoritë e mëposhtme:

Sektori i Shëndetësisë:

  • Rritje page mesatarisht 7% për 4,650 mjekë;
  • Rritje page mesatarisht 7% për ndihmës mjekët. Do të përfitojnë nga kjo politikë 13,765 infermierë, laborant, farmacistë.
  • Efekti financiar vjetor për këto kategori përllogaritet në rreth 1 miliardë lekë.

Sektori i Arsimit:

Rritje page mesatare 7% për 35,873 staf mësimor të Arsimit Parauniversitar. Efekti për këtë kategori do të jetë 1.37 miliardë lekë.

Sektori i Mbrojtjes:

Do të përfitojnë 6,800 Ushtarakë aktiv; kuadri i rritjes do të jetë për pagat e ulta rreth 15-19 %, por rritja do të variojë midis 10 dhe 19 %.

Sistemi penitenciar:

Rritje pagës mesatarisht me 7% për sistemin penitenciar nga e cila përfitojnë rreth 3,559 policë të burgjeve. Efekti financiar vjetor për këtë kagetori përllogaritet në rreth 177.2 milionë lekë.

Mbështetje për diplomatët:

Rritje page me mesatarisht 20% nga e cila përfitojnë rreth 308 punonjës të përfaqësive diplomatike. Efekti financiar vjetor për këtë kagetori përllogaritet rreth 120 milionë lekë.

Krahas kësaj, në këto shpenzime planifikohet kostoja dhe financimi i reformës në drejtësi, për akomodimin e pagave të reja të institucioneve aktuale të sistemit të drejtësisë si dhe, akomodimi i institucioneve të reja të krijuara për mbështetjen e kësaj reforme, qoftë Byroja Kombëtare e Hetimit, qoftë SPAK-u.

Shpenzimet Operative dhe Mirëmbajtjes do të kapin vlerën 48.6 miliardë lekë, duke prioritizuar skema produktive dhe mirëmbajtjen e aseteve të rëndësishme publike si:

  • Mbështetja e skemës së fermerëve me 2.6 miliardë lekë, e cila vijon të mbajë të njëjtin nivel sikurse në vitin 2018, por që në diferencë nga ky vit do të ketë dhe një komplementim nga fillimi i zbatimit të skemës së IPARD, ku koncepti është qeveria nëpërmjet buxhetit 25 % dhe IPARD pjesa e mbetur. Që do të thotë se, duke alokuar 1 miliard lekë në buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë, Ministria e Bujqësisë i ka të gjitha mundësitë të tërheqë 3 miliardë lekë nga IPARD-i duke e çuar investimin në skema 40 milionë dollarë IPARD plus Buxhet, 26 milionë dollarë buxhet, pra mbështetja për fermerët. Vetëm nga këto dy skema investimi në bujqësi shkon 66 milionë dollarë, pra 6.6 miliardë lekë që vetëm në këtë aspekt dhe në këtë korsi është rekord.
  • Mirëmbajtja e rrjetit kombëtar të rrugëve me një kombinim midis buxhetit, pra burimeve të brendshme, tek operative 1.7 miliardë lekë, e cila së bashku me projektin e Bankës Botërore për Mirëmbajtjen e Rrugëve do të ofrojë si asnjëherë më parë më shumë financim për mirëmbajtjen e domosdoshme dhe cilësore të rrugëve nacionale, që do të kalojë në nivele gati 4.2 miliardë lekë.
  • Mirëmbajtja e sistemeve të teknologjisë së informacionit në administratën publike qendrore me rreth 1.7 miliardë lekë. Siç e keni parë, dixhitalizimi ka qenë një nga prioritet për t’u mbështetur. Sigurisht që investimet në teknologjinë e informacionit shoqërohen domosdoshmërisht me mirëmbajtje. Kjo është dhe arsyeja se pse kjo shifër është kaq e konsiderueshme, ku vlen të përmendet dhe nisma e Qeverisë Shqiptare për të qëndërzuar shpenzimet e mirëmbajtjes së të gjitha sistemeve të Teknologjisë së Informacionit.

 

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 41.7 miliardë lekë ose 2.4%  të PBB, për të përballuar një rritje të mundshme të normave të interesit nga 1 pikë përqindje apo 2 pikë përqindje. Vlen të theksohet këtu se fatura e shpenzimeve për interesat e kredive të marra, e cila pa kontingjencën e parashikuar për luhatjen e normave të interesit dhe kursit të këmbimit, shkon në vetëm 2.1% dhe ka ardhur dukshëm në rënie krahasuar me fundin e vitit 2013 ku ishte 3.2%, që tregon dhe një herë tjetër vendosmërinë e kësaj Qeverie për uljen e borxhit publik, dhe për pasojë uljen e kostos së shërbimit të borxhit.

Subvencionet parashikohen me ulje në terma absolutë dhe relativë, krahasuar me një vit më parë, ku planifikohet rreth 1.5 miliardë lekë ose 0.1% e PBB. Kjo ulje vjen si pasojë e ri-alokimit të një pjese të mirë të subvencionit të parashikuar për ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizime tek investimet publike në rehabilitimin dhe ndërtimin e rrjeteve të ujesjellës-kanalizimeve, në kuadër të përshpejtimit të Reformës së ndërmarrë për këtë sektor jetik. Sa i takon zërave të tjerë me peshë:

  • Subvencionet për nxitjen e punësimit qëndrojnë konstante krahasuar me vitin 2018 në 490 milionë lekë, të cilat vijojnë të përdoren në funksion të punësimit të qëndrueshëm të punëkërkuesve të papunë, duke qenë në sinkron të plotë me skemat e tjera të aftësimit dhe formimit profesional;
  • Subvencionet për sistemin hekurudhor mbeten në të njëjtin nivel sikurse dhe në vitin 2018 me 400 milionë lekë, por në ndryshim nga vjet, ka një lajm të mirë për këtë sektor pasi në 2019 do të startojë projekti i financuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkimi Europian dhe Qeveria Shqiptare me një total prej 90.5 milionë Euro për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë – Durrë si dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore Tiranë – Rinas, e cila pritet që të përfundojë brenda vitit 2020. Ky projekt, përveç rritjes së transportit të mallrave dhe personave nëpërmjet këtyre linjave për shkak të kostove më të lira që ofron ky lloj transporti, do të vendosë në kushte më të favorshme nga pikëpamja financiare këtë sektor, i cili prej vitesh ka vuajtur mungesën e vëmendjes dhe investimeve të qënësishme.

 

Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 179.98 miliardë lekë për vitin 2019, ku renditen:

Skema e Sigurimeve Shoqërore: Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2019 parashikohet në masën 130.63 miliardë lekë ose 7.5% e PBB, raport ky i njëjtë me vitin 2018, nga e cila për indeksimin e pensioneve është parashikuar një fond prej 2.45 miliardë lekë. Duhet theksuar këtu se krahasuar me vitin 2013, kjo skemë i rëndon më pak buxhetit të shtetit, pasi në vitin 2013 transferta buxhetore zinte rreth 46.2% të totalit të shpenzimeve, ndërkohë që sot zë vetëm 35.6% të totalit të shpenzimeve. Kjo ka ardhur si pasojë e dy faktorëve kryesorë:

  1. Uljes së informalitetit në tregun e punës; dhe
  2. Rritjes së nivelit të punësimit dhe kontribuesve, ku vlen të përmendim se numri mesatar i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore parashikohet rreth 809 mijë persona me një rritje në masën 7.3% më shumë se i pritshmi i vitit 2018

 

Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2019 janë parashikuar 41.9 miliardë lekë ose 2.4% e PBB nga 40.4 miliardë lekë të parashikuara në vitin 2018.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohet në total në masën 5 miliardë lekë ose 0.3% e PBB. Krahasuar me vitin 2013, në të cilin fondi ishte 1.89 miliardë lekë, duke filluar nga viti 2016 fondi i kompensimit është planifikuar në rritje nga vit në vit duke kulmuar në vitin 2021 me 5.5 miliardë lekë. Rritja e fondit të kompensimit në vlerë të pronarëve bëhet në mbështetje të reformës së ndërmarrë nga qeveria për trajtimin e ish-pronarëve pjesë e së cilës është kompensimi në vlerë për t’u realizuar brenda periudhës 10-vjeçare, të parashikuar dhe në ligjin nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”.

Shpenzime të tjera sociale që përfshijnë:

  • Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në 500 milionë lekë, e cila vjen në ulje krahasuar me planin e vitit 2018, duke reflektuar kësisoj rritjen gjithmonë e më shumë të numrit të të punësuarve dhe nevojën gjithnjë e më të paktë për të aplikuar për këtë skemë sociale, që gjej rastin për të theksuar që prej tre vitesh garanton një pagesë sipas standardeve të ILO-s për këtë kategori prej jo më pak se gjysma e pagës minimale;
  • Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 20.5 miliardë lekë, në të njëjtin nivel si vitin e kaluar, duke reflektuar reformat e ndërmarra të synuara nga Qeveria për:
    • zhveshjen e këtyre skemave nga përfitues abuziv;
    • punësimin dhe ri-integrimin social të këtyre kategorive nëpërmjet skemave të ndryshme të aftësimit dhe punësimit.
  • Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë ose 0.1% e PBB, ku sërish prioriteti mbetet dëmshpërmblimi i plotë dhe sa më i shpejtë i ish të përndjekurve të gjallë;
  • Për bonusin e lindjeve, apo siç i referohemi bonusi i bebeve, është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë ose 0.1% e PBB. Nga kjo politikë e re pritet të përfitojnë rreth 30 mijë familje gjatë vitit 2019.

 

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2019 planifikohet në masën 3 miliardë lekë, përkatësisht 1.5 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 1.5 miliardë lekë fond kontigjence për financimin e pagave të reja për magjistratin dhe ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë.

Investimet Publike për vitin 2019 janë planifikuar në masën 5.1% e PBB ose 88.8 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe mbështetjen për Sektorin e energjisë 3 miliardë lekë). Në planifikimin e investimeve për vitin 2019 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu si edhe në vitin 2018, dhe në vitin 2019 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim, duke synuar mbylljen e tyre brenda vitit të fundit të mandatit të qeverisë.

Për sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë dëshiroj ta filloj me Arsimin ku synojmë të mbajmë një nivel konstant në raport me PBB prej 3% përgjatë periudhës 2019-2021. Përveç rritjes së pagave të parashikuar për mësuesit në vitin 2019, në këtë sektor do të financohet me përparësi:

  • Ofrimi i teksteve shkollore falas për 190 mijë nxënës të arsimit para-universitar, nga të cilët 125 mijë nxënës të klasave I-IV. Kosto vjetore 610- 700 milion lekë në vit
  • Transport i siguruar për 28 mijë nxënës që kanë vendbanim mbi 2 km nga shkolla si dhe për 10 mijë mësues që punojnë mbi 5 Km nga vendbanimi/qendra e përhershme e punës në shkollë. Kosto vjetore 650 -680 milion lekë në vit
  • Për 1000-1400 nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë do të garantohet trajtimi me kuotë ushqimore

Për Arsimin Bazë:

  • Ndërtime të reja dhe shtesa objektesh (15-20 objekte shkollore) në vlerën rreth 8 mld lekë (400 milion viti 2019)
  • Rikonstruksione deri në 100 shkolla me 5 miliard lekë (1.25 miliard lekë vitit 2019)

Për Arsimin e Mesëm të Përgjithshëm:

  • Ndërtime të reja dhe shtesa objektesh (6-10 objekte shkollore) në vlerën 660 milion lekë (300 milion lekë vitin 2019);
  • Rikonstruksione rreth 40 shkolla me një vlerë rreth 5 miliard lekë kosto totale  (750 milionë lekë për vitin 2019)

Për Arsimin e Mesëm Profesional:

  • Rritjen e numrit të të punësuarve pas diplomimit në shkollat e mesme profesionale në 46% të totalit që mbarojnë studimet në vitin 2021, krahasuar me 42% në vitin 2018;
  • Rritja e numrit të të diplomuarve në shkollat e mesme profesionale, nga 3.300 nxënës në 2018, në 3.600 nxënës në vitin 2021;
  • Rritja e numrit të nxënësve që vijnë nga zonat rurale të cilët ndjekin studimet në shkollat e mesme profesionale, nga 40% e totalit në vitin 2018 në 55% e totalit në vitin 2021;

 

Shëndetësia, ku financimi do të mbetet në nivelet 2.9% mesatarisht për periudhën 2019-2021, ku përveç rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët do të synohet:

  • Reduktimi në më pak se 15% i numrit të pacientëve të rishtruar për të njëjtën diagnozë brenda 72 orësh, nëpërmjet urgjencës
  • Reduktimi i kohës së pritjes për ekzaminime të rëndësishme (rezonancë magnetike, skaner etj) në më pak se 45 ditë
  • Reduktimi i indeksit të vdeshmërisë foshnjore për periudhën 2019-2021.
  • Garantimi i mbulesës vaksinale
  • 200 qendra shëndetësore të ri-konstruktuara (dhe pajisura) (100 qendra çdo vit, 80 po i mbyllim në 2018)

 

Lidhur me skemën rimbursimin e barnave, kemi konstatuar se kjo skemë ka kërcyer rreth 23.6% më shumë se viti 2016 dhe për këtë arsye ka nevojë për një reformë që sjell efiçencë dhe efektivitet më të lartë të kësaj skeme. Për këtë qëllim, ne kemi propozuar në nenin 5 të projektligjit të buxhetit 2019, të përcaktohet specifikisht tavani i shpenzimeve për këtë skemë me 10.5 miliardë lekë, për të incentivuar më tej ndërmarrjen e kësaj reforme të domosdoshme.

Bujqësia, do të vazhdojë të përfitojë në terma realë 0.6% të PBB për periudhën 2019-2021 ku synohet:

  • Rritja e sipërfaqes së tokës bujqësore që i ofrohet shërbimi i ujitjes nga 65.3% në 2019 në 61% të totalit potencial prej 360 mijë hektarë tokë në vitin 2021
  • Numri i fermerëve të mbështetur nga Skemat Kombëtare me mesatarisht 3600 përfitues në vit (kosto vjetore 6 miliardë lekë) Fillimi i skemës së IPARD do ta rrisë shumë më tej këtë numër përgjatë 2019-2021
  • Rritja e sipërfaqeve të mbjella me dru frutor nga 31 mijë hektarë në vitin 2019 në 38 mijë hektarë në vitin 2021
  • Rritja e sipërfaqes së mbjellë me perime në sera nga 1,750 hektarë në vitin 2019 në 2,010 hektarë në vitin 2021

Infrastruktura, e cila do të përfitojë fonde të konsiderueshme përgjatë 2019-2021. Për dijeninën tuaj, dy sektorët të mirëfinancuar janë bujqësia, siç ua shpjegova më lart, dhe infrastruktura, edhe për shkak të hapjes së nja kantieri super të madh në të gjitha rrugët e Shqipërisë. Te infrastruktura, siç e theksova, do të përfitojë fonde të konsiderueshme përgjatë 2019-2021, rreth 2.8 % të PBB, ku synohet:

  • Kompletimi i akseve rrugore nacionale si: Rruga e Arbrit, Thumanë – Vorë – Kashar, Kashar – Rrogozhinë; Milot – Balldren dhe Orikum – Dukat brenda vitit 2021 (janë pjesë e projektit 1 Miliard për Rindërtim)
  • Kompletimi i pjesës dërrmuese të segmenteve rrugore në vazhdim me Financim të Brendshëm brenda vitit 2021, si: Kardhiq – Delvinë, Elbasan – Banjë, By – Pass Shkodër, By – Pass Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës;
  • Kompletimi i segmenteve rrugorë brenda 2021 me financim të huaj si: By Pass i Fierit, By Pass i Vlorës, Qukës – Qafë Plloçë; dhe në mars të këtij viti bëhet plotësisht i kalueshëm dhe Tiranë-Elbasan.
  • Ulja e numrit të aksidenteve me pasojë humbje jetë njerëzish dhe numri i pikave të zeza me 23%.
  • Fondi i mirëmbajtjes së rrugëve 2019-2021, më i larti i 25 viteve të fundit.

 

Nxitja e Punësimit, ku synohet:

  • Punësimi në total prej 7,260 të papunë nga grupet e veçanta;
  • Përfshirja në programet e nxitjes së punësimit të praktikave profesionale të rreth 2,250 të rinj të sapodiplomuar në Arsimin e Lartë;
  • Punësimi në total i rreth 900 grave kryefamiljare me fëmijë në ngarkim dhe vajza nëna;
  • Trajnimi nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit të rreth 5,100 të papunëve të trajtuar më parë me ndihmë ekonomike;

Shpenzimet për Buxhetin Vendor për të tretin vit radhazi do të vazhdojnë të mbështesin Reformën Administrativo-Territoriale dhe Reformat e Decentralizimit. Në projektbuxhetin e vitit 2019, burimet e financimit të vetëqeverisjes vendore do të rriten me 5 miliardë lekë ose 11% më shumë se sa ato të vitit 2018. Mos harroni që krahasimisht rritja e shpeznzimeve të qeverisjes qëndrore me qeverisjen vendore, qeverisja vendore rritet me ritëm dy fish më të lartë, pra te shpenzimet, se sa qeveria qendrore. Ndër masat më të rëndësishme përmendim  miratimin dhe zbatimin rigoroz të ligjit për financat e vetëqeverisjes vendore; dhe reformën për taksën e ndërtesave me ngritjen e strukturave të posaçme dhe krijimin e kadastrës fiskale. Të gjitha këto dëshmojnë vullnetin dhe seriozitetin e Qeverisë për decentralizim dhe zbatimin e reformës administrative-territoriale.

Buxheti Vendor

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2019 janë parashikuar në masën 51.14 miliardë lekë, të cilat zënë 2.9% të PBB-së nga 2.3% që zinin në vitin 2013. Pjesa më e madhe, mbi 60% e këtyre shpenzimeve shkojnë për investime dhe shërbime publike për komunitetet vendore. Burimi kryesor i rritjes së shpenzimeve vendore për vitin 2019 vjen kryesisht nga rritja e të ardhurave nga taksat dhe tarifat e veta si dhe nga rritja e transfertës së pakushtëzuar të përgjithshme.

Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore për vitin 2019 parashikohet të kenë një rritje me mbi 3.8 miliard lekë më shumë se sa plani i vitit 2018 ose e thënë ndryshe me një rritje prej 21%, ndërkohë krahasuar me vitin 2015, të ardhurat vendore parashikohen me një rritje të konsiderueshme rreth 90 përqind. Kjo rritje e nivelit të të ardhurave do të vazhdojë si rrjedhojë e ndarjes më të drejtë dhe transparente të financave për njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmirësimin e vazhdueshëm të skemës së financimit të funksioneve të veta si dhe rritjes së burimeve të financimit të njësive të vetëqeverisjes vendore. Gjithashtu, reforma që ka filluar në taksën e pronës, konkretisht për taksën mbi ndërtesat dhe ngritjen e kadastrës fiskale parashikohet të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e të ardhurave në buxhetin vendor për vitin 2019 dhe për vitet e tjera në vazhdim.

Në buxhetin vendor të vitit 2019, në vijim të reformës administrativo-territoriale dhe decentralizimit, vënd të rëndësishëm zë reforma e financimit të arsimit parashkollor. Për vitin 2019, fondet për pagat e edukatorëve do të rriten me 9.1% në krahasim me vitin 2018. Në të njëjtën kohë, do të përmirësohet sistemi i ndarjes së fondeve ndërmjet bashkive.

Nga ndryshimi i skemës së sipër përmendur, ku fondet ndaheshin sipas numrit të edukatorëve, konform praktikave të mira ndërkombëtare, financimi i këtij funksioni për vitin 2019 do të  bazohet kryesisht në numrin e nxënësve (fëmijë 3-6 vjeç), si një kriter më objektiv për përcaktimin e nevojave për shpenzime.

Kështu, 60% e transfertës për arsimin parashkollor do të ndahet bazuar në numrin e fëmijëvë (3-6 vjeç) dhe 40% do vazhdojë të ndahet mbi numrin e edukatorëve, për ta balancuar. Nga kjo reformë në buxhetin e vitit 2019, nuk do ketë asnjë bashki që humbet fonde, përkundrazi pjesa më e madhe e bashkive do të jenë fituese në fonde për këtë shërbim. Kështu, si rrjedhojë e kësaj reforme, do të punësohen 438 mësuese (edukatore) më shumë se sa në vitin 2018, të cilët do të shkojnë në 32 bashki të cilat kanë një nevojë më të madhe për shtimin e edukatorëve, e matur nga raporti “fëmijë për edukatorë”.

Kjo reformë do ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e madhësisë mesatare maksimale të grupeve në kopshte nga 26 në 18 nxënës për edukatore, dhe madhësisë mesatare kombëtare nga 18 në 15 nxënës për edukatorë, duke krijuar kështu parakushte për një sistem më efikas.

Buxheti vendor i vitit 2019 do të jetë buxheti në të cilin gjen zbatim të plotë gjithashtu ligji për financat e vetëqeverisjes vendore, ku jo vetëm ka fonde më shumë se sa në vitet e mëparshme, por tashmë kemi dhe një kuadër të plotë procedurash, rregullash dhe kriteresh të menaxhimit financiar vendor çka garanton efiktivitet dhe eficiencë në përdorimin e parave publike në nivel vendor.

Faleminderit.