Postuar më: 18/06/2020

Rivlerësimi i pasurisë,  të shtyhet afati  deri në fund të 2020

 

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e radhës propozimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj për shtyrjen e afatit të aplikimit të ligjit “Për vlerësimin e pasurisë së Paluajtshme”, i cili u miratua në fund të vitit 2019 si pjesë e Paketës Fiskale të vitit 2020.

Afati për shtyrjen e aplikimit të këtij ligji do të jetë deri në fund të vitit 2020, nga data 30 shtator 2020 që është parashikuar aktualisht.

Ky propozim i Ministres së Financave dhe Ekonomisë vjen si pasojë e situatës së krijuar në vend nga pandemia e COVID-19, e cila ka ndikuar në shumë procese të punës së administratës shtetërore, përfshirë edhe ato të Agjencisë së Kadastrës Shtetërore, e cila është përgjegjëse për marrjen e aplikimeve nga qytetarët që duan të rivlerësojnë pasurinë.

Nga periudha 17 janar 2020, datë në të cilën ka hyrë në fuqi ligji nr.90/2019 deri në 17 mars 2020, kohë kur nisi marrja e masave të veçanta gjatë periudhës së pandemisë të shkaktuara nga Covid -19, numri i aplikimeve për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme është 15 071.  Ndërkohë për periudhën 18 mars-22 maj numri i aplikimeve  është 4835.  Pra siç shihet situata e krijuar nga covid-19 ka sjellë një rënie të dukshme të numrit të aplikime për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me prej 68 %.

Nëpërmjet ligjit Nr. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” synohet nxitja e formalizimit me vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme pasi, edhe në vitet e kaluara, rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme ka përbërë një ndër aktet ligjore më me interes për qytetarët, duke çuar në rivlerësimin e mbi 160 mijë pronave. Miratimi në fund të vitit të kaluar të këtij ligji synonte t’i ofronte edhe njëherë qytetarëve  mundësinë  e  rivlerësimit   të  pasurive  të  paluajtshme.