Postuar më: 31/07/2018

Reforma në drejtësi, shtylla e raportit të DASH. Ndryshimet në ligjin për PPP përjashtojnë ofertat e pakërkuara në shumë sektorë

Reforma në drejtësi, shtylla e raportit të DASH. PPP, menaxhimi i risqeve përmes rregullave të menaxhimit financiar; ligji i ri përjashton ofertat e pakërkuara në shumë sektorë.

 

E thirrëm këtë konferencë për shtyp, edhe në referencë të raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve në Shqipëri, një raport që duhet parë në thellësi, si një referencë e drejtëpërdrejtë e zhvillimeve ekonomike, por edhe klimës së biznesit në shumë vite.

Si qeveri dhe si politikbërës na takon ta shohim qoftë në retrospektive, qoftë në perspektivë apo edhe në zhvillimet korente. Ajo që raporti thekson është domosdoshmëria në vazhdim e përmirësimit të klimës së biznesit, të të bërit biznes dhe tërheqjes së investimeve të huaja.

Në raport ka referenca të drejtpërdrejta për korrupsionin në drejtësi dhe këtu dua që t`ju tërheq vëmendjen tek një nga paragrafet e raportit, ku drejtpërsëdrejti i referohet praktikisht korrupsionit në drejtësi, si një nga problemet kryesore të të bërit biznes. Nëse e shikoni, ka një fjali të rëndësishme ku thuhet: “Nëse do të implementohet plotësisht, reforma në drejtësi do të dekurajojë korrupsionin, do të promovojë investimet e huaja dhe të brendshme dhe do të lejojë Shqipërinë për të konkurruar më suksesshëm në ekonominë botërore”.

Pikë së pari kjo është vendosje e gishtit drejtpërsëdrejti ne plage. Në të njëjtën kohë, kjo është një thirrje për të gjithë ata që tentojnë të pengojnë reformën në drejtësi dhe Vettingun që të mos vazhdojnë ta bëjnë, sepse është kundër qytetarëve shqiptarë. Është thirrje e drejpërdrejtë që, ata të cilët kanë tentuar dhe tentojnë të pengojnë reformën në drejtësi, automatikisht vendosen kundër interesave të qytetarëve dhe dua t`ju kujtoj qytetarëve që është kjo maxhorancë, është kjo qeveri, që ka iniciuar dhe po mbështet më të gjitha instrumentat implementimin e reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi është edhe shtylla e raportit.

E dyta, kur thashë që duhet ta shohim në retrospektivë, patjetër që ka probleme dhe çështje për t’u përmirësuar në ambientin e të bërit biznes dhe në ambientin ekonomik shqiptar. Kjo nuk është fare e diskutueshme që përmirësimi është domosdoshmëri dhe në krye të axhendës të kësaj qeverie, por për një sekond dua të tërheq vëmendjen tek mjedisi politik dhe siguria. Është shumë interesante. Thotë “violenca politike është e rrallë. Zgjedhjet dhe tranzicioni në 2017 ishin të qeta, si rallë më parë”. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit risjell në vëmendje që forcat e sigurisë së atëhershme kanë vrarë 4 protestues në Janar të vitit 2011. Ata që dalin dhe flasin për klimën e biznesit sot paradite, janë ata që kanë vrarë në 2011.

Departamenti Amerikan i Shtetit me të drejtë tërheq vëmendjen për prokurimet publike dhe  PPP-të.

Unë dua t’ju sjell një statistikë të fundit për reduktimin e përqindjes së negocimeve pa shpallje, në numër dhe në përqindje. Pra, përqindja e negocimeve pa shpallje në vitin 2018 ka rënë në 8% dhe përfaqëson vetëm 3% të vlerës totale. Patjetër që reforma që ne kemi nisur në procedurat e prokurimit është e rëndësishme, është dinamike dhe patjetër që ka nevojë për përmirësim të vazhdueshëm. Por, duhet thënë dhe duhet theksuar se çfarë është bërë në këtë fushë dhe patjetër, çfarë duhet bërë më shumë në këtë fushë.

Po brenda prokurimeve dhe tenderimeve do t’ju sjell disa informacione interesante nga menaxhimi i kontratave, që me të drejtë raporti i referohet shumë saktë. I kam sjellë publikut dhe ju disa kontrata rrugësh, për të treguar se çfarë prokurimesh janë bërë dikur. Tiranë-Elbasan, për shkak të prokurimit të projektit, kosto fillestare e prokuruar 309 milionë në vitin 2012. Sot ka shkuar 449 milionë për shkak të kontraktimit dhe projektit pa asnjë logjikë.

Ju sjell një shembull tjetër për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me menaxhimin e kontratave. Shkodër-Hani i Hotit nga 26 milionë në 43 milionë, një skandal më vete në prokurime dhe projektime të asaj kohe. Apo rruga Damës-Tepelenë që ka shkuar dy-fish në krahasim me projektin dhe tenderimim.

Përsa i përket Partneritetit Publik Privat, raporti me kujdes i referohet një numri të caktuar të konçesioneve dhe Partneritetit Publik Privat. Këtu ka dy elementë:

Elementi i parë është i transparencës. Po ta shikoni, nga viti 2004 deri në vitin 2013, (dhe për kuriozitetin tuaj, vetëm në gusht të vitit 2013 janë bërë 21 kontrata koncesioni). Nëse do ta ngrinim në përqindje, 10 % e totalit të kontratave të koncesionit janë bërë në gusht të vitit 2013, 20 ditë para se të dorëzonin detyrat qeveria e asaj kohe.

Po të bëjmë një krahasim interesant, numri i koncesioneve që është bërë deri në 2013-ën është 178 koncesione. Ndërsa, numri që kjo qeveri ka bërë në 4 vite e gati 9 muaj, është vetëm 39. Imagjinoni, 178 me 39, dhe ndërkohë oferta të pakërkuara përpara 2013-ës janë 173. Mos e harroni Skanimin, mos e harroni Markimin, mos i harroni Pullat Fiskale, e mos i harroni të tjerat. Oferta të pakërkuara gjatë këtyre 4 viteve e 9 muaj janë 15, ndërsa 24 janë oferta të kërkuara.

Këtu dua të ndaloj një sekond dhe të ndaj me ju një moment qartësie, sepse ka një moment që stigmatizohet instrumentit i Partneritetit Publik Privat. Për qartësi dhe ndarje informacioni, Partneriteti Publik Privat nuk është shpikur në Shqipëri. Është një instrument, i cili përdoret pa asnjë përjashtim nga e gjithë bota. Në të gjithë vendet e botës, në rajon, në Evropë, apo përtej, e përdorin Partneritetin Publik Privat. Dua ta thjeshtësoj në qartësi se çfarë është një Partneritetet Publik Privat tek rrugët e do mundohem ta bëj shembullin jashtëzakonisht shumë të thjeshtë për qytetarët. Po marr Rrugën e Arbrit. Rruga e Arbrit, me mundësitë që ka buxheti sot, nuk është e mundur të ndërtohet. Që do të thotë se, nëse do t’i lëmë qytetarët e Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë të presin deri kur buxheti i shtetit të bëhet gati, do të duhen 15-20 vjet. Atëherë, çfarë bën qeveria? Qeveria vendos të thërrasë si partnerë aktorët privatë në mënyrë që rrugën që qytetarët e Dibrës do ta kishin vetëm pas 15 vitesh, ta kenë brenda 3 vitesh, e ndërkohë buxheti i shtetit të paguajë për 10 e 13 vite në vazhdim. Cila është sfida? Sfida është që të menaxhohen risqet dhe kontratat.

Por ju e patë, unë ju solla shembuj prokurimesh, se çfarë ka ndodhur atëherë, ndërsa tani kemi vendosur rregulla të rrepta të menaxhimit të financave publike, që nuk lejojnë kalimin e kostos totale brenda llogarisë së investimeve më shumë se 5 % e të ardhurave të vitit të kaluar. Pra thënë në fjalë të thjeshta, tani rregullat e rrepta të financave publike kanë mundësi të menaxhojnë të gjitha risqet dhe ministritë e linjës që janë autoritet kontraktor, qoftë Infrastruktura, qoftë Bujqësia, qoftë Mjedisi, Turizmi, Shëndetësia apo Arsimi që janë autoritete kontraktuese, brenda vetes kanë njësi të cilat rakordojnë risqet e këtyre kontratave, që është sfidë më vete patjetër, dhe këtu së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar kemi bërë një punë të vazhdueshme për t’i forcuar njësitë e menaxhimit të këtyre kontratave, dhe ndërkohë ministria e Financave është autoriteti që menaxhon dhe nuk lejon kapërcimin e kuadrit makroekonomik, pra të niveleve të paracaktuara të financimeve në total, qoftë të koncesioneve apo të investimeve të tjera.

Pra, të mos i stigmatizojmë, por të fokusohemi tek menaxhimi i këtyre kontratave dhe menaxhimi i risqeve. Ju solla shembullin e Rrugës së Arbrit. Pyeteni një qytetar të Shqipërisë ose një qytetar të Dibrës, “do të presësh 20 vite për rrugën apo ta bëjmë tani dhe ne ta paguajmë ndër vite, në 13 apo 15 vite”?. Ky është thelbi i një koncesioni. Kur shikoni që del një politikan apo një pseudo profesionist dhe flet për PPP-të, koncepti i PPP-ve është ky në ndërtimin e rrugëve. Ka një infrastrukturë që është e domosdoshme për vendin, nuk e bëjmë dot me burimet e buxhetit, ftojmë privatin për ta bërë dhe afrojmë rrugën nga 20 vjet që do të ishte e mundur, e kthejmë të mundshme në 1, 2 apo 3 vite menjëherë.

Sfida mbetet tek menaxhimi i risqeve, menaxhimi i kostove dhe procedura sa më transparente e për këtë dua të ndaj me ju dhe një tjetër element ligjor. Kryeministri i ka kërkuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të nisë amendimin e ligjit të Partneritetit Publik Privat, të koncesioneve, që do të thotë që shumë shpejt ne do të paraqesim në Parlament heqjen e mundësisë së ofertës së pakërkuar në shumë sektorë, sidomos tek infrastruktura, që do të thotë se duke filluar ndoshta nga mesi i vitit tjetër nuk do të ketë më oferta të pakërkuara, kryesisht në infrastrukturën rrugore, pra do të ketë vetëm oferta të kërkuara.

E ndërkohë, brenda planit buxhetor afatmesëm janë menaxhuar me kujdes të gjitha kërkesat për financim për investimet publike, duke përfshirë edhe PPP-të, pa cënuar asnjë nga parametrat makroekonomikë, përkundrazi duke vazhduar ulur borxhin. Për dijeninë tuaj, mundësia që borxhi të shkojë në 67 % në fund të këtij viti dhe në 65 % në fund të vitit tjetër është reale. Këtu matet dhe qeveria.

Për të treguar se çfarë ka ndodhur në ekonomi unë dua të kaloj shumë shpejt tek papunësia dhe punësimi, t’i kujtoj qytetarëve shqiptarë që sot janë gati 670 mijë të punësuar në Republikën e Shqipërisë dhe jemi duke folur për borderotë, për listë pagesat. Besoj që shumëkush ndoshta e ka ndjekur, kur unë si Ministër Financash kam çuar në Parlament për transparencë gjithë listë pagesën e Republikës së Shqipërisë, për t’ja treguar opozitës, pozitës dhe shqiptarëve që 670 mijë frymët, fytyrat dhe emrat janë realë, janë njerëz që shkojnë në punë në mëngjes dhe janë gati rreth 230-240 mijë më shumë të punësuar se sa kanë qenë në 1 janar të vitit 2013.

Përtej kësaj, dua të ndaj një informacion përsa i përket investimeve të huaja. Kemi shumë për të bërë përsa i përket përmirësimit të klimës, shumë për të bërë. Raporti me të drejtë vëren defekte që do të duhet t’i korrigjojmë, patjetër. Gjithë përpjekja është dinamike. Tremujori i parë i vitit 2018 ka një shifër shumë të mirë që na bën të besojmë që dhe ky vit do të jetë një vit shumë i mirë për investimet e huaja.

Do të kthehem për ta mbyllur tek thembra e Akilit, tek reforma në drejtësi. I bëj thirrje të gjithë atyre që nuk dinë ta lexojnë raportin dhe dalin e mundohen të shajnë, të mallkojnë e të nxijnë, që Departamenti Amerikan i Shtetit, qeveria amerikane iu bën thirrje atyre nëpërmjet këtij raporti, për të mos penguar Vetingun, për të mos penguar reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi, siç thotë dhe raporti, i ka të gjitha mundësitë ta kthejë ekonominë e Shqipërisë në ekonomi konkurrente në ekonominë rajonale dhe patjetër dhe në ekonominë globale.

Pyetje: Në raportin e DASH theksohet herë pas herë për presione që u bëhet investimeve të huaja për të favorizuar biznese të lidhura me politikën, për t’i marrë si nënkontraktorë. Çfarë do të bëni ju pas kësaj për të përmirësuar klimën e biznesit që investitorët e huaj të ndjehen të barabartë në garat me bizneset e brendshme, të lidhura me politikën ose jo, në mënyrë që edhe produkti, investimi që ata do të bëjnë të jetë më i madh dhe më i ndikueshëm në ekonominë e vendit? Duket sikur nuk po shikojmë ende investime të mëdha, ekonomia duket sikur është një çështje e brendshme e Shqipërisë dhe jo e ndihmuar me investime nga jashtë.

Ministri Ahmetaj:  Kalojmë edhe njëherë tek slide i investimeve. Siç e shikoni, numrat janë domethënës. Në vitin 2016 janë gati 938 milionë euro investime, në vitin 2017 janë 908 milionë euro dhe viti 2018, më 284 milionë euro të tremujorit të parë i ka të gjitha gjasat të shkojë në 950-980 milionë euro dhe ato janë investime të huaja të gjitha. A kemi mundësi për më shumë? Po. Ka emra shumë të mirë që kanë ardhur. Shell-i është një emër dinjitoz, nuk kam nevojë ta prezantoj, që mori Bllokun e 4-t vetëm përpara disa muajsh. Ka kompani të tjerë në energjetikë që tashmë po veprojnë prej disa vitesh. Forchner është një kompani gjermane që prodhon pjesë këmbimi për makina (tela të cilësisë së lartë të sofistikuar për të gjitha llojet e makrave, që nga makinat më të thjeshta deri te më të sofistikuara) dhe ka bërë kërkesë për zgjerim aktiviteti në Durrës, për të bërë një investim me mbi 1 mijë punonjës të përfshirë, dhe Akademinë Teknike gjithashtu. Pyetja juaj është e drejtë. Unë do u jap dy shembuj të abuzimit me nënkontraktor. E dini çfarë ka ndodhur me Bypass-in e Fierit? Në historinë politike dhe të investimeve publike në Shqipëri ajo që ka ndodhur me Bypass-in e Fierit është qesharake. Kompanisë italiane i është dhënë me forcë në 2011-ën nënkontraktori dhe dështoi. Presionet me investitorët e huaj te Rapiscani i dini, kanë dalë në median amerikane dhe në mediat shqiptare. Ajo që ne po bëjmë është mbi të gjitha lufta për të pasuar një drejtësi që të garantojë të gjithë investitorët e huaj dhe të vendit, me një drejtësi ashtu siç duhet, pra të fortë, të drejtë, kemi mundësi që të tërheqim më shumë investime të huaja.

E dyta është deregulimi, pra Reforma e Shërbimeve Publike dhe administratës, në atë drejtim shkon. Nuk ndodhin të gjitha për një ditë. E gjitha është betejë, ndryshe do i kishim mbaruar këto vite e vite më parë por mos harroni që janë reforma që nuk ka guxuar t’i prekë njeri. Kush ka guxuar këtu në 27 vite të bëjë reformë në drejtësi? Askush! Kjo maxhorancë! Kush ka guxuar këtu të bëjë reformë të financave publike për t`i kthyer në transparente të gjitha shërbimet publike dhe shpenzimet publike? Kjo maxhorancë! Kush e ka bërë reformën në energji? Kjo maxhorancë! Kush e ka bërë reformën në pensione? Kjo maxhorancë! Kush po e bën reformën në shërbime? Prapë kjo maxhorancë! Kur vijmë te debati a është mjaft, jemi shumë larg asaj që duhet të jemi dhe reforma e të bërit biznes është dinamike, se jemi në garë edhe me vende që janë po kaq “agresive” për të tërhequr investime të huaja. Me të drejtë raporti i DASH i referohet edhe paketave lehtësuese fiskale që janë të freskëta, që janë në test në ambientin ekonomik për të tërhequr investime të huaja.

Transparenca e prokurimeve, kufizimi i prokurimeve me negociatë të drejtëpërdrejtë, reforma në drejtësi, transparenca e të gjitha procedurave në ministritë prokuruese të linjës apo autoritetet kontraktore, patjetër që e përmirësojnë atë proces. Gara e minimizon, e zhduk atë fenomen dhe unë ju solla shembuj të rrugëve që kanë dështuar dikur, që janë dyfishuar, është shprehje e drejtëpërdrejtë e asaj që ju iu referuat me të drejtë dhe unë nuk po them që është një fenomen që është zhdukur, por do të duhet të fokusohemi tek ajo që jemi duke bërë dhe që kemi nevojë të bëjmë më shumë, tek bërja transparente e procedurave dhe fokusimi te procedurat e hapura, që të ketë sa më shumë konkurentë vendas dhe të huaj, në mënyrë që rezultantja të jetë pozitive, pjesëmarrja sa më e madhe, me kapacitete sa më konkuruese të operatorëve dhe të kemi punë publike me cilësi në favor të qytetarëve.

Faleminderit.