Postuar më: 06/12/2019

Projektbuxheti 2020-Denaj: Parametrat makro-fiskale nuk ndryshojnë, nuk preken shërbimet

Projektbuxheti i vitit 2020 u diskutua dhe miratua në parim nga Kuvendi i Shqipërisë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, paraqiti para deputetëve në seancë plenare Projektbuxhetin, duke vënë theksin në objektivat kryesorë të tij.

Situata emergjente e krijuar pas tërmetit të datës 26 nëntor ka sjellë dhe nevojën për rishikimin e projektbuxhetit 2020.

Lidhur me këtë çështje, Ministrja Anila Denaj bëri me dije se fondi i veçantë që do të krijohet për rindërtimin do ketë si burim financiar nga buxheti i shtetit, për vitin 2020, 0.4% të Produktit të Brendshëm Bruto. Këtij fondi do t’i bashkohen edhe fondet e mbledhura nga donacionet në portalin e-albania dhe në llogaritë e qeverisë në bankat e nivelit të dytë dhe në Bankën e Shqipërisë.

Pavarësisht situatës së krijuar pas fatkeqësisë natyrore, Ministrja theksoi se parametrat makro-fiskalë pozitivë që janë shënuar në vitet e fundit do të vazhdojnë të jenë të qëndrueshëm edhe për vitin që vjen, me një balancë primare pozitive në nivelin e 0.25%.

Projektbuxheti 2020, tha znj. Denaj, do të mbajë nivelin e investimeve publike në nivelin e 4.7% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe do mbështesë sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia dhe bujqësia, apo reformën në drejtësi.

“Në kuadër dhe të transparencës, është e nevojshme të theksohet që asnjë nga këto diskutime për investime nuk do të preken. I vetmi ndryshim që ne do të diskutojmë në komisionet parlamentare nen për nen është zëri i projekteve të reja. Pse? Sepse mendojmë se projektet e reja përpara tërmetit kanë pasur një adresim nevojash jashtë kësaj situate dhe aktualisht të gjitha projektet e reja do të duhet të ridiskutohen me komisionin e Financave dhe Ekonomisë për tu riadresuar aty ku është e nevojshme, që të përmirësohen si masa parandaluese për situata të ngjashme ose fatkeqësi të tjera natyrore, ashtu edhe për të ndihmuar nevoja të cilat institucione të caktuara do të kenë në mënyrë imediate. Theksoj edhe njëherë që fondi do të jetë një fond më vete”, u shpreh Ministrja.

 

Fjala e Ministres Denaj për Projektbuxhetin e shtetit 2020:

 

I nderuar z. kryetar i seancës,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë,

Sigurisht që tërmeti i datës 26 nëntor që preku vendin tonë krijon një ridimensionim të projektbuxhetit të diskutuar në komisionet parlamentare dhe ne jo pak kemi diskutuar ditët e fundit nëse buxheti do të duhej të ridimensionohej në ndryshime të cilat, sikurse janë propozuar në media apo dhe këtu, do të duhet shkurtonin apo do të duhet të ridimensionin marrëdhëniet kontraktuale të shërbimeve për qytetarët.

Më lejoni të theksoj që për buxhetin e vitit 2020, qeveria dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë mendon që është një buxhet i cili, në këtë ridimensionim, ka dy elementë të rëndësishëm për tu për bërë të qartë dhe për tu sqaruar më pas në diskutimet nen për nen në komisionet parlamentare.

Së pari, diskutimi që lidhet me faktin që brenda buxhetit të vitit 2020 është menduar dhe do të krijohet një fond për rindërtimin e infrastrukturës, për rindërtimin e infrastrukturës së strehimit, e cila, në radhë të parë, do të ketë si burim financiar për vitin 2020 nga buxheti i shtetit 0.4 % të Produktit të Brendshëm Bruto, e cila do të bashkohet me fondet e mbledhura nga donacionet në portalin e-albania dhe në llogaritë e thesarit të qeverisë , sikurse edhe një shumë e konsiderueshme e cila është duke u vlerësuar së bashku me komisionin e Ekonomisë dhe Financave për të vendosur në këtë fond të veçantë që në fillim të vitit, në mënyrë që të vlerësojmë edhe nevojë për likujditet dhe nevojën për rritje të borxhit.

Sigurisht që është shumë e rëndësishme të theksojmë që parametrat makro-fiskalë të cilat gjatë pesë viteve të fundit kanë qenë treguesit kryesorë pozitivë të financave publike do të vazhdojnë të jenë të qëndrueshëm dhe për vitin që vjen dhe balanca primare pozitive do të vazhdojë të qëndrojë pozitive në nivelin e 0.25%.

Megjithatë, është shumë e rëndësishme t’i shikojmë si procese që do të shkojnë dhe do të vlerësohen në nivel të informacionit dhe të transparencës, paralelisht si buxheti i diskutuar në Parlament, ashtu edhe elementi shtesë, ai i fondit që përmenda pak më parë.

Më lejoni që para se të ndalem te diskutimi i buxhetit 2020, të falënderoj në radhë të parë të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjithë bizneset shqiptare, të gjithë bashkëkombasit shqiptarë në gjithë vendet në botë, të cilët kanë dhuruar si në platformat qeveritare, ashtu edhe në platforma të tjera. Është një shenjë shumë e lartë solidariteti dhe ky financim është e sigurt që do të ndihmojë jo pak të gjitha familjet në nevojë dhe në rindërtimin pas kësaj fatkeqësie natyrore.

Njëkohësisht, më lejoni të falënderoj edhe të gjithë bashkëpunëtorët dhe institucionet ndërkombëtare, të cilët në një komunikim të drejtpërdrejt që kam bërë si Ministre e Financave dhe Ekonomisë në ditët që pasuan këtë fatkeqësi, kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur dhe ndihmuar në disa aspekte MFE për të realizuar objektivat e saj madhorë.

Lidhur me projektbuxhetin 2020, është e rëndësishme të theksojmë disa elemente të rëndësishme për të cilat kemi diskutuar dhe në komisionet parlamentare, si ruajtja e indikatorëve të financave publike duke mbajtur investimet në nivelin e 4.7% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe duke u fokusuar në sektorët prioritarë si Arsimi, Shëndetësia dhe Bujqësia, për të cilët ne kemi diskutuar në zëra të veçantë se çfarë nënkupton rritja e investimeve në këta sektorë.

Në kuadër dhe të transparencës, është e nevojshme të theksohet që asnjë nga këto diskutime për investime nuk do të preken dhe është e rëndësishme të themi që këto investime mbështesin, në radhë të parë:

Për sektorin e Arsimit:

  • Mbështetje e vazhdueshme për studentët në kuadër të Paktit me Universitetin;
  • Tekste shkollore falas për rreth 230-250 mijë nxënës;
  • Ndërtime të reja, apo rikonstruksione për mbi 180 objekte arsimore;
  • Transport i 28-30 mijë nxënësve djem dhe vajza që kanë vendbanim mbi 2 km nga shkolla;
  • 1300-1400 nxënës djem dhe vajza të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë me kuotë ushqimore;
  • Uljen e madhësisë së grupeve/klasave të fëmijëve në kopshte nga raporti aktual mesatar 18 fëmijë për një edukatore në raportin 15 fëmijë për një edukatore, duke siguruar 440 edukatorë shtesë për vitin 2020;

Për sa i takon sektorit të Shëndetësisë:

  • Rikonstruksionin e 120 Qendra shëndetësore për vitin 2020;
  • Ilaçe të rimbursuara për 1000 pacientë më shumë se sa vitet më parë;
  • Efektivitet të shtuar në shërbimet shëndetësore (Reduktimin e kohës aktuale prej 45 ditësh të pritjes për ekzaminime të rëndësishme (rezonancë, skaner) etj;
  • Shërbimi i kontrollit bazë (check-up) falas për 475 mijë pacientë në vit, 50% burra e 50% gra
  • Shërbim cilësor dhe gjithëpërfshirës për më shumë se 50% të nënave të reja dhe mbi 80% të foshnjave vajza e djem.

 

Bujqësia do të jetë po ashtu një prioritet i shtuar:

Një vëmendje e veçantë ka pasur dhe do të ketë, edhe pas diskutimeve që jemi duke bërë, siguria e digave dhe baseneve ujore të cilat jo vetëm për situatën aktuale që na ndërgjegjëson dhe më shumë, por edhe në projektbuxhetin e vitit 2020, kishte një vëmendje shumë të rëndësishme, me gati 1 miliardë lekë investime vetëm në këto formate investimesh, për të mundësuar që programi i infrastrukturës, ujitjes dhe kullimit të jetë i mundur të parandalojë fatkeqësi dhe të mos reagojmë vetëm post-fatkeqësish.

Në Infrastrukturën Rrugore, për periudhën 2020-2022 synohet kompletimi i disa segmenteve rrugore me financim të brendshëm, si Kardhiq – Delvinë, Elbasan – Banjë, By – Pass Shkodër, By – Pass Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës, të cilat në dy vitet e ardhshme shihen të kompletuara.

Në aspektin e infrastrukturës rrugore, rritja e sigurisë rrugore në të gjithë akset kombëtare, ku synohet që të ulet numri i aksidenteve me pasojë humbje jetë njerëzish dhe numri i pikave të zeza me 23%, sipas Strategjisë Kombëtare të Transportit.

Buxheti 2020 do të plotësojë gjithashtu të gjitha nevojat financiare të të gjitha institucioneve të reja, të krijuara nga paketa e Reformës në Drejtësi.

Më lejoni të theksoj se vetëm në vitin 2019 fondi për të realizuar ngritjen e këtyre institucioneve, në aspekt të fondieve të pagave dhe gjithë infrastrukturës për këtë qëllim, ka qenë 2.6 miliardë lekë dhe së bashku me 1.3 miliardë lekë të vitit tjetër ky fond merr një vëmendje të shtuar prej 3.9 miliardë lekë dhe është e rëndësishme të theksojmë që ky është një parakusht për të realizuar një reformë të suksesshme në drejtësi, me një strukturë të plotë në të gjithë elementët e saj.

Shpenzimet e fondeve speciale që përfshijnë shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, nuk preken dhe vijojnë të planifikohen në vlerën prej 188.6 miliardë lekë për vitin 2020.

Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2020 parashikohet në masën 137.5 miliardë lekë ose 7.7% e PBB, raport thuajse i njëjtë me vitin 2019, nga e cila për indeksimin e pensioneve është parashikuar një fond prej 2.52 miliardë lekë.

Duhet të theksojmë këto se kjo skemë i rëndon tashmë më pak buxhetit të shtetit, krahasuar me 5-6 vite më parë, si pasojë e dy faktorëve kryesorë: së pari, uljes së nivelit të informalitetit në tregun e punës; dhe së dyti, rritjes së nivelit të punësimit dhe kontribuesve.

Gjithashtu, kjo skemë për vitin 2020 në buxhetin e saj përfshin:

  • Mbulimin e efekteve financiare të skemave të reja të përfitimeve, naftëtarë minatorë të cilat pas rishikimit parashikohet të sjellin një efekt financiar të harmonizuar prej rreth 1.45 miliardë lekë.
  • Mbështetjen me të ardhura mesatarisht nga 744-792 mijë persona që kanë përfituar dhe përfitojnë pensione publike, pensione suplementare si dhe një sërë të ardhura të tjera të parashikuara me ligje si dhe, vendime të veçanta si dhe vendime kompensuese të Këshillit të Ministrave.
  • Numri mesatar i kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore parashikohet mbi 820 mijë persona me një rritje në masën 4% më shumë se i pritshmi i vitit 2019.

 

Në skemën e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2020 janë parashikuar në rreth 44 miliardë lekë ose 2.5% e PBB nga rreth 42 miliardë lekë të parashikuara në fund të vitit 2019. Edhe për vitin 2020 parashikohet një tavan prej 11 miliardë lekë për skemën e rimbursimit të barnave, për të mundësuar një efektivitet të këtij shërbimi.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total rreth 4,5 miliardë lekë. Nga rreth 1.9 miliardë lekë që ky fond ishte në 2013, ky fond është rritur nga viti në vit dhe mendohet që në 2022 të shkojë në 5.5 miliardë lekë.

Rritja e fondit të kompensimit në vlerë të pronarëve bëhet në mbështetje të reformës së ndërmarrë nga qeveria për trajtimin e ish-pronarëve pjesë e së cilës është kompensimi në vlerë për t’u realizuar brenda periudhës 10-vjeçare, të parashikuar dhe në ligji.

Shpenzime të tjera sociale janë programuar në masën 24.6 miliardë lekë, që përfshijnë:

  • Shpenzimet për pagesën e papunësisë në nivelin 600 milionë lekë. Dëshiroj të theksoj këtu se shpenzimet për këtë zë kanë ardhur në rënie të vazhdueshme që prej vitit 2014 ku shënuan 900 milionë lekë.

Është e rëndësishme të theksohet se ky është një rezultat pozitiv jo në kontekstin e efektit buxhetor, por në aspekt të shifrave që janë të dukshme drejt elementit pro-punësim dhe ne kemi regjistruar nivelin më të ulët të papunësisë në vitin korent.

 

  • Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar në nivelin 21 miliardë lekë. Për rritjen e eficencës dhe efektivitetit të këtyre dy skemave që zënë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve totale buxhetore, aktualisht po bashkëpunohet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në mënyrë që të kemi një kalim efektiv të personave nga njëra skemë, ajo e mbështetjes sociale, te skema e mbështetjes me punësim dhe integrimi në tregun e punës në mënyrë të plotë. Ne besojmë se ky bashkëpunim dhe të gjitha politikat për të adresuar këto nevoja kanë realizuar jo pak një mbështetje të të dy komponentëve.

Jemi besimplotë se pas ndërmarrjes me sukses të këtyre reformave, me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë, do të kemi mundësi t’u ofrojmë përfituesve të këtyre skemave pagesa më dinjitoze.

 

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2020, planifikohet në masën 1.7 miliardë lekë, përkatësisht 1.4 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 300 milionë lekë fond kontigjence për financimin e reformës në sistemin e drejtësisë.

Lidhur me buxhetin e Pushtetit Vendor për vitin 2020, dëshiroj të theksoj që parametrat e tij janë të pandryshuar duke shënuar një nivel total prej 57 miliard lekë, ose rreth 5.7 miliardë lekë më shumë fonde për shërbime dhe investime publike vendore, sesa viti aktual.

Njëkohësisht, do të dëshiroja që të ftoja të 61 Bashkitë të miratojnë buxhetet e tyre, të miratojnë njëkohësisht edhe të gjithë paketën që ndihmojnë procesin e vendosjes së Kadastrës Fiskale në rrugën e operacionalitetit të plotë, si dhe marrjen e masave që në bashkëpunim me MFE të realizojmë zbatim të një projektligji i cili, në afatmesëm, do të krijojë jo pak fonde për pushtetin vendor, në mënyrë që të krijojë një efektivitet më të lartë të shpenzimeve buxhetore.

Siç e thashë edhe në fillim të diskutimit për prezantimin e buxhetit, ky prezantim në të gjithë komponentët që përmenda më sipër nuk është aspak i ndryshëm në vlera nga ai që kemi diskutuar në komisionet parlamentare.

I vetmi ndryshim që ne do të diskutojmë në komisionet parlamentare nen për nen është zëri i projekteve të reja. Pse? Sepse mendojmë se projektet e reja përpara tërmetit kanë pasur një adresim nevojash jashtë kësaj situate dhe aktualisht të gjitha projektet e reja do të duhet të ridiskutohen me komisionin e Financave dhe Ekonomisë për tu ria dresuar aty ku është e nevojshme që të përmirësohen si masa parandaluese për situata të ngjashme ose fatkeqësi të tjera natyrore, ashtu edhe për të ndihmuar nevoja të cilat institucione të caktuara do të kenë në mënyrë imediate.

Theksoj edhe njëherë që fondi do të jetë një fond më vete. Do të ketë një nevojë për të sqaruar si në momentin aktual për ato fonde që mblidhen nga donacionet, ashtu edhe fonde në vijim, që transparenca është një element shumë i rëndësishëm. Është një element i rëndësishëm çdo vit, jo vetëm në momentet e kësaj situate dhe të donacioneve.

MFE, për portalin e-albania dhe për të gjitha donacionet që merren nëpërmjet llogarive të Thesarit dhe ato në Bankën e Shqipërisë, në faqen e saj të internetit ka një rubrikë të veçantë, ku informacioni përditësohet çdo ditë, sikurse edhe për shpenzimet që kanë ndodhur deri tani. Shpenzimet që kanë ndodhur deri tani janë shpenzime që nuk janë mbështetur nga fondet e donacioneve.

Faleminderit!