Postuar më: 20/06/2018

Projekt Buxheti Afatmesëm 2019-2021, buxheti në funksion të qytetarëve

Fjala e Ministrit Ahmetaj në prezantimin e Projekt Buxhetit Afatmesëm 2019-2021

 

Së pari më lejoni t’ju falënderoj për pjesëmarrjen, çka tregon për interesin e madh jo vetëm të institucioneve shtetërore që preken dhe marrin pjesë në proces, por edhe të publikut dhe grupeve që secili nga ju përfaqëson apo është i asociuar.

Transparenca e financave publike është një nga çështjet kyç që preken edhe nga strategjia e menaxhimit të financave publike, vizioni i së cilës është të krijojë një sistem që nxit transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në administrimin dhe përdorimin e burimeve financiare për shërbime më të mira dhe zhvillim të mëtejshëm ekonomik.

Pikërisht për këtë fakt, një nga shtyllat kryesore të kësaj strategjie për periudhën 2014 – 2020 është dhe fuqizimi i sistemeve të transparencës dhe mekanizmave të llogaridhënies, me qëllimin e përmirësimit të cilësisë së shpenzimeve buxhetore që sigurisht, përtej shpenzimeve, përfaqësojnë dhe shërbimet.

Jemi në vitin e katërt të zbatimit të strategjisë dhe me kënaqësi deklaroj këtu se kemi pasur shumë arritje, për një pjesë të të cilave kemi pasur edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët dua t’i falënderoj në veçanti sot të gjithë.

Qëllimi i kësaj tryeze konsultuese është të ndajmë me ju parashtrimet e politikave buxhetore afatmesme të qeverisë qendrore për ciklin buxhetor 2019-2021. Një kuptim më i mirë i financave publike nga qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre rrit besimin e dyanshëm, gatishmërinë për të kontribuar; por edhe ofron kontribute me vlerë për përmirësimin e buxhetit, të cilat jo rrallë mund t’u shpëtojnë zyrtarëve publikë, dhe më pas do të sjell dhe disa shembuj interesantë, t’i ndaj me ju, më tepër për të provokuar në kuptimin më pozitiv të fjalës dhe një debat të mëvonshëm në seancat që do të keni.

 

  • Buxheti për tre vitet e ardhshme ka në qendër qytetarin, rritjen e mirëqenies, rritjen ekonomike, rritjen e aksesit dhe të cilësisë së jetës nga kryeqyteti deri në skajet më të largëta të vendit.

 

Dhe këtu, do të dua që secili nga ju, të eksploroni se si imputet janë kthyer në outpute për qytetarin dhe besoj që gjatë gjithë llogaridhënies që qeveria po bën në territor, është shumë interesante se si qytetarët, nëpërmjet pyetjeve të tyre fare të thjeshta e të drejtpërdrejta, kërkojnë të dinë direkt dhe indirekt edhe transparencën e shpenzimeve buxhetore. E më pas, do të ndaj me ju disa eksperienca për të kuptuar sa e rëndësishme është që, kur themi “buxheti është për qytetarin” ta marrim shprehjen dhe ta dekonstruktojmë në outpute, pra në shërbime konkrete, në investime konkrete apo në politika të prekshme që kanë ndryshuar qoftë edhe për një ditë, për mirë, jetën e një qytetari.

 

  • Rritja e ekonomisë shqiptare vazhdon për të katërtin vit radhazi, edhe për vitin 2017, me një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.84 %. Rritja vlerësohet të jetë në nivelin 4-4.2 % në vitin 2018 dhe ndërkohë që parashikohet të kalojë këtë vlerë në periudhën afatmesme 2019-2021, e përputhur dhe me objektivin e qeverisë në një mesatare katër vjeçare prej 4.5 % rritje ekonomike.

 

Rritja ekonomike mbështetet nga rritja e konsumit, e bazuar në rritjen e besimit të konsumatorëve. Besoj që ju e ndiqni edhe Indeksin, i cili është në rekordet më të larta në 10 vite, të besimit të aktorëve. Rritja e investimeve dhe e eksporteve, në veçanti eksportet e shërbimeve, ku përfshihet dhe turizmi, kanë një kontribut të rëndësishëm. Dje po shikoja shifrat e Indekseve të turizmit, qoftë në volume, qoftë në paga, qoftë në numra vizitorësh, rritja është dyshifrore.

 

Koha kur kishte rritje ekonomike, e pa shoqëruar me punësim ka mbaruar. Besoj që në në referencë statistikore, përtej debatit politik që natyrshëm bën politika, diku me emocion, diku e bazuar te statistika, do të duhet t’i referohemi krijimit të vendeve të reja të punës në katër vitet e fundit.

Besoj është shumë e thjeshtë t’i referohemi statistikës që në 1 janar të 2013-ës kanë qenë 431 mijë vende pune, ndërsa në prill të vitit 2018 nga borderoja e Tatimeve janë gati 667 mijë vende të reja pune. Debati a janë vende të reja apo janë vende të reja dhe të formalizuara besoj që humbet vlerën kur shkojmë tek qytetari, ai qytetari që punonte në të zezë dhe sot punon në të bardhë. Për sistemin, ai është një vend i ri pune dhe janë gati 35% e vendeve të punës që janë krijuar në katër vitet e fundit.

E mbani mend kur, përtej kësaj tryeze, është bërë debat politik se çfarë është modeli i ri ekonomik e provokimet majtas-djathtas dhe në qendër të debatit politik. Ky është modeli i ri ekonomik, i cili nuk bazohet thjesht tek një ekonomi merkantiliste, por është e fokusuar tek rritja e vendeve të punës, nëpërmjet rritjes së prodhimit në zinxhirë me vlerë të shtuar të ekonomisë.

Jua sjell debatet nga PBA tek fasoni, apo nga PBA tek librat e arsimit, apo nga PBA tek sigurimi i 600 mijë shqiptarëve që janë të pasiguruar, jo më kot, sepse janë të lidhura pazgjidhshmërisht në një proces të tërë ekonomik dhe financiar.

Dhe, i gjithë debati tek sektori fason ishte “po kjo ekonomi do të rrijë te vlera modeste”? Po ta shikoni, dhe gradualiteti ka rëndësinë e vet, sot logjika është e fokusuar tek prodhimi dhe tek eksporti. Besoj që, shumëkush nga ju natyrshëm i referohet statistikave. Eksportet e Majit janë gati 24% më të larta se Maji i vitit të kaluar dhe për 5-mujorin, është dyshifrore rritja e eksporteve, është 12.4%. Na bën të gëzohemi, na bën të mendohemi, na bën edhe të analizojmë.

Po ju hedh në tryezë edhe një konseguencë të një debati shumë intersant që kishte dhe ka të bëjë me kursin e këmbimit, që ka dëmtuar eksportet. Patjetër që në zinxhirin dhe transaksionin financiar dhe ekonomik, eksportet për shkak të mbivlerësimit të Lekut kanë atë dëmin e vet që është thjesht i përllogaritshëm. Megjithatë, po ta shikoni, rritja e eksporteve në volume dhe në zgjerim tregjesh tredon dy elementë: pikë së pari, volumet kanë rikuperuar goditjen që mund t’i ketë dhënë kursi i këmbimit dhe që patjetër i ka dhënë; së dyti, po të shikojmë përtej shifrave, ka një konseguencë-konkluzion shumë të thjeshtë: ekonomia shqiptare dhe eksportet shqiptare janë bërë më konkurruese, besoj dhe analiza do ta tregojë në muajt apo në vitin që vjen, që është rritur produktiviteti. Pra, një konkluzion që do të duhet të mbështetet me shifra, sepse ka arsye përtej asaj që unë iu referova, eksportit.

  • Punësimi vijon trendin e tij rritës – ai është rritur në të gjithë sektorët e ekonomisë me një kërcim pozitiv serioz prej gati 5 % në tremujorin e parë të viti 2018 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë këtij viti, papunësia është ulur në nivelin më të ulët historik në 12.5 % ose me një rënie prej gati 1.7 % në bazë vjetore.

Debati 12.5%, 13.5%, 11.5%, ndoshta në këto tryeza ka një lloj sensi, por do të dua që të konceptojmë shumë qartë që përtej atij 12.5%,  ka qytetarë që sot, ndryshe nga 4, 5, 6, 7 apo 3, apo 2 vite më parë, sot kanë një punë dhe në finale, përtej qëllimit të konsolidimit të shifrave, objektivi kryesor është rritja e mirëqenies nëpërmjet rritjes ekonomike, rritjes së punësimit. Dhe, kur na shikoni kur bëjmë debat për shifrat apo personalisht kur e them, me naivitet por me vërtetësi, lumturohem kur shoh rënie të papunësisë, sepse çdo shifër në teritorr është e lidhur me një fytyrë, është e lidhur me një kryefamiljar, me një djalë të ri, me një vajzë të re, që më në fund ka gjetur punë dhe ky është qëllimi edhe i politikave ekonomike, dhe në finale ky është dhe qëllimi i të gjithë atyre që bëjnë politikë dhe që shkojnë dhe votohen, pra janë të lidhura zinxhir.

Ulja e papunësisë tek të rinjtë. Shumë është bërë dhe shumë kemi për të bërë, megjithëse praktikisht papunësia tek të rinjtë në Shqipëri është më e ulëta në rajon. Asnjëri nga ne nuk mund të krenohet me këtë sepse vazhdon të jetë akoma shumë e lartë, është larg asaj që ne kemi pritshmëri brenda këtij mandati dhe këtu po ndaj me ju objektivin e qeverisë për papunësinë, për ta zbritur në nivelin një shifror. Besoj që, duke parë edhe zhvillimet e fundit ekonomike, edhe Indekset e ndjeshme në disa sektorë, kishin rritje të fondit të pagave, të pagës mesatare, të volumeve dhe të numrit të punësimit. Pra, dje po shikoja me vëmendje të tre Indekset në të gjithë sektorët, duke përfshirë dhe tregtinë me pakicë, diku me rritje modeste e diku me rritje të konsiderueshme, të gjitha kishin trend pozitiv dhe besoj që në ekspozenë ekonomike që do të bëjmë në fillim të korrikut për zhvillimet 6-mujore ekonomike, do të jemi pak më të detajuar për të ndarë me publikun, në detyrim të transparencës, të gjitha këto detaje por sigurisht që, siç i referohemi, ekonomia është edhe perceptim dhe përderisa ka lajme të mira, modestisht patjetër duhet t’i ndajmë lajmet e mira me grupet e interesit, me qytetarët, e patjetër dhe me median.

  • Me buxhetin afatmesëm qeveria do të vijojë masat e saj të integruara për mbështetjen e arsimit profesional, orientimin e kurrikulave ndaj nevojave të tregut të punës dhe modernizimin e tyre, si edhe mbeshtetjen për trajnim dhe punësim të kategorive të veçanta.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit bën mijëra ndërmjetësime për punësim çdo muaj, sipas modelit të shërbimit i bazuar në partneritetin me biznesin, ndërkohë që qeveria do të forcojë rolin e saj duke integruar funksionin e menaxhimit të arsimit dhe formimit profesional me lidhjen me tregun e punës. Është një nga sfidat. Një pjesë e juaja ka kontakt të drejtpërdrejtë me tregun e punës dhe ju e kuptoni shumë mirë atë “gap” që ekziston midis asaj që nevojitet në tregun e punës dhe asaj që ofrojnë kurikulat e arsimit profesional dhe kjo është një sfidë për ne, për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë që është përgjegjëse tashmë për politikat e arsimit profesional.

Dua të sjell një shembull të thjeshtë,  ka shumë kompani që kanë kaluar në nivelin e lartë të zinxhirit të vlerës, që prodhojnë për eksport dhe nuk prodhojnë për eksport atë fasonin e dikurshëm që, në këndvështrimin tim, është një industri, një sektor dinjitoz dhe një prodhues vendesh pune dhe të mirash ekonomike, por gjithsesi qëllimi është që të jemi lart në zinxhirin e krijimit të vlerës. Elementi i parë kritik ose elementi i parë që shumica e investitorëve ndajnë me ne, është se akoma nuk gjejnë në tregun e punës ato aftësi që përputhen me sfidën e tyre ekonomike dhe me konkurrueshmërinë që ato kompani do të duhet të gjejnë në tregun shqiptar për të prodhuar për eksport. Dy shembuj të thjeshtë mund t’jua sjell. Ju e keni dëgjuar disa herë nga unë, jo pa qëllim e sjell si shembull kompaninë gjermane Forchner, e cila ka vendosur të investojë potencialisht në Shqipëri me një fabrikë të prodhimit të pjesëve automotive, që nga telat e sofistikuar e deri te pajisje të tjera. Sfida është gjetja e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe ka vendosur që potencialisht, nëse në finale do të investojë në Shqipëri, përtej fabrikës do të bëjë dhe një akademi teknike. Pra, për të kuptuar se çfarë sfide kemi përpara dhe këto nuk i them më kot, as për të bërë politikë, por po ua them që PBB-ja nuk është një qënie që jeton në vetvete. Buxheti nuk është një qenie që jeton atje për të matur se sa të mirë kanë qenë Ministri i Finavcave, apo stafet, ne këtu, që mbajtëm deficitin atje, parimarin këtu, ulëm borxhin atje. Këto janë elementë që janë të lidhura të gjithë me teritorrin ekonomik dhe në fund, do të bëj një konkluzion, sipas meje, që po e diskutonim pak më parë, se çfarë do të thotë dhe çfarë duhet të kuptojë PBA-ja për njerëz si puna jonë dhe për të gjithë ata që janë përfaqësues të komuniteteve.

  • Dua të theksoj se politikat tona fiskale gjatë viteve të ardhshme do të vazhdojnë të mbështesin lehtësimin e sipërmarrjes dhe garantimin e rritjes së qëndrueshme që më në fund, prodhon punësim. Por, biznesi duhet edhe të kontribuojë për shoqërinë. Për këtë, qeveria po ndërmerr masa që në partneritet me biznesin të mundësojë më në fund, pas mbi 20 vjetësh, respektimin e kuotave të punësimit për personat me aftësi të veçanta.

Sa u përket politikave fiskale, ne kemi propozuar rritjen e pragut nga 8 në 14 milionë për bizneset që tatim fitimin e kanë 5 %, pra duke lehtësuar tre herë për një numër të madh sipërmarrjesh tatimin e fitimit. Sot, pas dy orësh në qeveri do të kalojë kjo që sapo thashë. Do të kalojnë lehtësirat fiskale në sektorin e agroturizmit. E mbani mend debatin përpara më pak se një viti, në vjeshtë të 2017-ës, kur kaluam paketën e Turizmit dhe çdokush, ndoshta edhe ju apo përtej nesh, menduan që pse qeveria po mbështet 4 dhe 5 yjet? Kemi qenë, jemi dhe do të jemi shumë të qartë pse e kemi bërë. Duam të tërheqim investime në fushën e turizmit. Duam që ta fusim Shqipërinë në hartën jo thjesht të turizmit popullor, por dhe të turizmit ku shpenzimet e atyre që vizitojnë Shqipërinë të jenë në nivele të larta, që vlera e shtuar që mbetet në Shqipëri të jetë gjithmonë dhe më e madhe.

Por, në të njëjtën kohë, kemi avancuar dhe pjesën tjetër të lehtësimit të agroturizmit, me qëllim promovimin e turizmit të një tipi tjetër, që fatmirësisht gjeografia e Shqipërisë dhe diversiteti gjeografik (deti, pylli, mali, rëra, bukuritë natyrore etj.) kanë mundësi ta afrojnë. Por, mos harroni që agroturizmi ka në potencë të vet një mundësi shumë të madhe për të afruar punësim në zona që nuk janë prekur njëlloj nga zhvillimi ekonomik. Besoj se e ndoqët statistikën e fundit të Institutit të Statistikave se si në qarqe të ndryshme rritja ekonomike ishte ndryshe, se si në qarqe të ndryshme fuqia blerëse ishte ndryshe, se si punësimi në qarqe të ndryshme ishte ndryshe. Kur themi se është rritur 3.84 % , njësoj është rritur në Kukës? Jo. Njësoj është rritur në Korçë? Jo. Njësoj është rritur në Fier? Jo. Njësoj është rritur në Tiranë? Jo. Njësoj është rritur në Sarandë? Jo. Sigurisht që diskutimi përtej 3.84 përqindëshit do të duhet të thellohet në cilësi dhe në terrenin ekonomik për të parë se si zhvillimi ekonomik ka prekur qytetarë në terrene të ndryshme ekonomike dhe pastaj për të mitiguar nëpërmjet politikave, instrumenteve gjithashtu, atë pjesë që nuk është prekur njësoj nga zhvillimi ekonomik. Dhe, në të njëjtën kohë, do të avancojmë lehtësi fiskale po sot përsa i përket Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, si ulja e tatim fitimit nga 15 % në 5%.

  • Buxheti 2019 – 2021 synon të çojë përpara disa reforma dhe investime strukturore në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare:
  • Investimet në infrastrukturë rriten në mënyrë domethënëse në krahasim me periudhën e mëparshme. Në vitin 2018 ka filluar zbatimi i Programit 1 miliard për Rindërtim dhe besoj e patë inaugurimin e fillimit të punimeve në Rrugën e Arbrit përpara më pak se një jave.
    • Rruga e Arbrit, për të cilën filluan punimet e do të përfundohet në këtë cikël buxhetor që paraqesim sot, është një ndërmarrje madhore që jo vetëm siguron lidhjen e verilindjes me kryeqytetin, por tregje të reja, mundësi të reja për zhvillimin ekonimik, të turizmit dhe bujqësisë; si edhe lidhjen me akset rajonale ekonomike.
    • Akset Thumanë – Vorë – Kashar, Kashar – Rrogozhinë, Milot – Balldren, Orikum – Dukat dhe Kardhiq – Delvinë, janë projekte madhorë që do të rrisin dukshëm konektivitetin e njerëzve dhe mallrave duke përmirësuar dukshëm aksesin dhe zhvillimin e zonave turistike si në jug ashtu edhe në veri të vendit.

Brenda Ministrisë së Financave ne diskutojmë shumë shpesh, gati përditë. Ka ndonjë logjikë outputi, siç i referohemi në teknikën tonë të përditshme, gjithë ky investim në infrastrukturë? Nëse i mendojmë akset një nga një, po ta shohim se çfarë jemi duke bërë me këto investime, më duhet të them që është nga ato herët e para që investimet në infrastrukturë kanë konceptin e shtyllës kurrizore, të krijimit të një aksi konektiviteti Veri-Jug, dhe pa devijuar nga logjika e përmirësimit të infrastrukturës drejt destinacioneve turistike.

Aksi Delvinë-Kardhiq bën të mundur që zona Gjirokastër-Sarandë-Përmet, sidomos Gjirokastër-Përmet, që nuk preket njëlloj nga zhvillimi ekonomik për një milionë arsye, integrohet në zonën turistike, në një paketë të mundshme turistike për shkak të infrastrukturës që bëhet shumë e thjeshtë. Saranda nga qyteti i Gjirokastrës bëhet 25-30 minuta që do të thotë se çfarëdo lloj oferte turistike që do të ofrojë Shqipëria në Sarandë, tani bëhet paketë së bashku me Gjirokastrën dhe, nëse doni, së bashku me bukurinë natyrore apo ushqimin bio të Përmetit.

Pra, po ta shikoni, zbresim nga PBA-ja në programe, në projekte, tek qytetari, te përmirësimi i jetës në terrene e qarqe të ndryshme ekonomike.

Po flasim për autostradën Blu. Do presim 80 vjet ne? Do presim 100 vjet që ta bëjmë? Jo. Do të hedhim investim kuturu, si dikur? Këtë nuk e them fare politike. Do të hedhim investime, do të hapim një tender me 100 mijë dollarë për 20 milionë dollarë që të mos bëhet kurrë, që pastaj ajo PBA-ja të mos ketë thelb, të mos ketë sens, të mos ketë logjikë inputi dhe outputi? Jo. E gjithë logjika e investimit është që të krijojë një damar, të krijojë një bosht konektiviteti në funksion të ekonomisë, në funksion të qytetarëve, Veri-Jug dhe outputi të jetë i prekshëm.

Gjithashtu, kemi të shoqëruar për herë të parë edhe një program shumë të maturuar mirëmbajtjeje. Akoma nuk kemi mjaftueshmërisht para për ta shoqëruar gjithë paketën e domosdoshme të mirëmbajtjes në milimetra rrugë, por ama kemi filluar të krijojmë një traditë serioze brenda PBA-së. Këtë vit, në mos gabohem, janë gati 3.4 miliardë lekë, të ndara në 1.8 dhe 1.6 midis fondeve me financim të brendshëm dhe fondeve me financim të Bankës Botërore, për mirëmbajtjen e rrugëve. Nuk ka qenë asnjëherë kështu. Do të jetë akoma më mirë. Çdo muaj, çdo vit që kaloi do të konsolidojë këto lloj programesh të cilat kanë të bëjnë me outputin, që aty te Programimi ynë Afatmesëm Buxhetor do të duhet të jenë ADN-ja e të menduarit kur ne fillojmë krijojmë ato tabelat, që qytetarët ta kuptojnë që përtej tabelave ka shërbime të cilat materializohen për ta dhe për sipërmarrjen. Ndryshe, kemi mbetur tek tabelat dhe kemi krijuar asnjë gjë.

Programi i 100 fshatrave, si një model i ri i zhvillimit rural përmes një programi që përfshin infrastrukturë, agroturizëm, trashëgimi kulturore dhe nxitje të punësimit, parashikon përmirësimin në infrastrukturë për të trajtuar një nga problemet themelore të zhvillimit të qëndrueshëm, pabarazinë në zhvillimin ekonomik mes zonave urbane dhe rurale. Zhvillimi i infrastrukturës kombëtare me kombinimin e investimeve të targetuara do të synojë krijimin e poleve tërheqëse për zhvillimin anembanë në Shqipëri.

 

Furnizimi me ujë është një tjetër prioritet i qeverisë Shqiptare e cila gjen mbështetje në PBA-në e viteve 2019 – 2021. Qeveria shqiptare, me ndihmën e partnerëve të huaj, do të investojë mbi 130 milionë euro për të financuar investimet mbi bazë performancën për shoqëritë e ujësjellësve, bazuar në studime paraprake për 11 bashki kryesore në të gjithë vendin.

Bujqësia është një sektor në rritje i ekonomisë shqiptare. Krahas programit të 100 fshatrave, i cili synon infrastrukturë dhe zhvillimin e agrobiznesit e agroturizmit, vazhdon mbështetjen për bujqësinë. Vetëm në vitin 2018, 2.6 miliardë lekë nga buxheti i shtetit financohen për mbështetjen e feremrëve – kjo mbështetje do të vijojë në rritje gjatë trevjeçarit të ardhshëm.

Këtu sërish dua t’ju tërheq vëmendjen për të kuptuar se si jemi munduar t’i lidhim programet në funksion, në rastin konkret të bujqësisë, ku sot po kalojmë uljen e tatim fitimit për shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, nga 15 në 5 %. Por, çfarë logjike ka 2.6 miliardëshi i lekëve apo gati 90 milionë euro të IPARD-it, apo instrumenti i mbështetjes që kemi krijuar me BERZH-in? A ecën dot bujqësia jonë me njësi të copëzuara me nga një dynym? Jo, nuk ecën dot. Do të jetë primitive. Atëherë, si e furnizojmë vazhdueshmërinë e rritjes së prodhimit? Me një instrument struktural, i shoqëruar me një instrument fiskal. Pra ato “kooperativat” vullnetare, të mbështetura qoftë nga politikat fiskale, qoftë nga politikat e subvencionimit apo të investimit, sigurisht që tentojnë ta koorporatizojnë bujqësinë, do të thotë që të fillojnë të krijojnë zinxhire vlere për të rritur njësitë e prodhimit, për të rritur produktivitetin në bujqësi, me qëllim që të rrisim eksportin dhe të rrisim të mirat materiale për bujqësinë. E fillojmë pastaj t’i agregojmë të gjithë ato instrumente, IPARD-in, instrumentin mbështetës të garancisë, rimbursimin e fermerit që ka qenë vetëm 800 mijë dollarë, sot është 22 milionë dollarë, apo mbështetjen buxhetore prej 2.6 miliardë lekë.

Buxheti për arsimin mban një nivel konstant prej 3% ndaj PBB në tre vitet që vijnëVetëm shpenzimet për mbulimin e shpenzimeve të transportit të mësuesve dhe nxënësve rriten me 30 % në këtë program buxhetor: si edhe për kompensimin e teksteve shkollore për gati 190 mijë nxënës. Buxheti vijon financimin për rritjen e numrit të mësuesve ndihmës; ndërkohë që po çohet përpara modeli i shkollave komunitare, me financimin e 20 – 25 milionë lekë në vit për fonde për të mbuluar shpenzimet për kuotë ushqimore të nxënësve me nevoja të veçanta  për rreth 1000-1400 nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë.

Shëndetësia vijon të mbetet prioritet i Qeverisë, ku synimi kryesor mbetet të garantojë mbulimin universal të nevojave të popullatës për kujdes mjekësor parësor dhe dytësor, për të siguruar përmirësimin në cilësinë e shëndetit të popullatës. Buxheti për këtë sektor do të vazhdojë të ruajë një nivel konstant në terma realë prej 2.9 % të PBB në periudhën 2019-2021. Fokusi i këtij sektori për këtë periudhë do të jetë identifikimi në kohë dhe parandalimi i sëmundjeve të ndryshme në popullatë, ndërkohë që do të zgjerohet kategoria e ilaçeve që përfshihen në skemën e rimbursimit në mënyrë që të përfitojnë gjithnjë e më shumë qytetarë që janë pacientë. Ndërkohë, në shërbimin spitalor synohet që të përmirësohet cilësia e shërbimit dhe zgjerimi i tyre.

Ndihma ekonomike mbetet në të njëjtat nivele si më parë, rreth 4.9 miliardë lekë në vit, por përmirësohet ndjeshëm targetimi i familjeve në nevojë falë skemës së pikëzimit të mbështetur nga Banka Botërore. Ky buxhet parashikon integrimin në tregun e punës të kategorive të ndryshme të grupeve të pafavorizuara nga pikëpamja sociale dhe ekonomike përmes rregullimit të formave të mbështetjes së ndërmarrjeve sociale, dhe masave të tjera të nxitjes së punësimit për kategoritë në nevojë, por edhe mbështetjen me shërbime sociale e paketa shëndetësore për këto familje.

Besoj e mbani mend debatin që kemi bërë për vendimin e qeverisë ku buxheti i shtetit do të financojë arsimin profesional, pra kurse profesionale, për ato familje që marrin ndihmë ekonomike ose që kanë dalë nga ndihma ekonomike. Për çdo anëtar të një familjeje që përfiton ndihmë ekonomike, që kërkon të futet në tregun e punës duke u rritur profesionalisht, buxheti do t’i paguajë për një muaj, dy muaj apo periudhën e kursit dhe formimit profesional 55 mijë lekë të vjetra. Pra, një anëtar familje do të marri gati sa mesatarja e ndihmës ekonomike. Mesatarja e ndihmës ekonomike është 53.8 mijë lekë të vjetra.

Edhe për pagesat e Personave me Aftësi ndryshe, si rezultat i mirëadministrimit të programit të pagesave të aftësisë së kufizuar si dhe zbatimit skemës së re të vlerësimit sipas modelit bio-psiko-social, bazuar në standardet e Organizatës Botërore të Shëndetit, krijohet një sistem shërbimesh integruese, të cilat kombinojnë pagesat me shërbimet e përkujdesit social. Përfitimet e aftësisë së kufizuar do të rishikohen dhe do të mundësohet mbështetja me pagesa më të larta të atyre individëve më aftësi të kufizuar që kanë fatkeqësisht një gjendje shëndetësore më të rënduar dhe që kanë më shumë barriera për t’u përfshirë në jetën shoqërore. Në të njëjtën kohë, synohet ri-integrimi i personave me aftësi të kufizuar, aty ku është e mundur, në tregun e punës nëpërmjet incentivave të parashikuara në legjislacionin përkatës dhe në atë që ne po përmirësojmë së fundmi.

Njëkohësisht me modernizimin e skemave, parashikohet edhe ngritja e shërbimeve të reja të përkujdesit social nëpërmjet financimit nga Fondi Social, ku synohet një bashkëpunim efektiv me Njësitë e Qeverisjes Vendore në mënyrë që të rritet mbulimi me shërbime në të dyja nivelet e qeverisjes për individët në nevojë dhe vulnerabël.

Një vend të veçantë në PBA 2019-2021 zë gjithashtu dhe mbështetja financiare për Buxhetin e Qeverisjes Vendore. Nëpërmjet ligjit të ri nr.68, datë 27.04.2017, “Për financat e vetëqverisjes vendore”, Njësive të Qeverisjes Vendore i ofrohen më shumë burime financiare nga buxheti qendror në dispozicion të tyre dhe, ç’është më e rëndësishmja, të qëndrueshme dhe të pacënueshme. Njëkohësisht, ky ligj parashikon një gjithëpërfshirje të komuniteteve vendore dhe shoqërisë civile në të gjitha proceset kyçe të buxhetimit afatmesëm dhe të menaxhimit të financave vendore në përgjithësi.

Si konkluzion, para se ta mbyll përfundimisht fjalën time, do t’ju bëja një pyetje që na e kthenit mbrapsht si pyetje: Çfarë është PBA-ja dhe pse e bëjmë PBA-në? E këtu, në këndvështrimin tim, ka tre shtylla kryesore brenda kësaj logjike:

Pikë së pari, tek PBA-ja mishërohen të gjitha politikat dhe prioritetet e qeverisë.

E dyta, ka një rëndësi të veçantë në raportin që sjell gjithë Programimi Afatmesëm në inpute dhe në outpute, që do të thotë po shpenzojmë çfarë, për të marrë mbrapsht për qytetarët dhe për vendin çfarë?

E treta, sigurisht që është e panogociueshme, është në funksion të ruajtjes së shëndetshmërisë fiskale dhe financiare të vendit, në atë logjikën e kuadrit makro që i referohemi në vazhdimësi.

Të treja këto shtylla na çojnë tek qëllimi, tek objektivi, përmirësimi jetës, i shërbimeve, për qytetarët, për sipërmarrjen dhe zhvillimin ekonomik i vendit.

Çfarë janë inputet e çfarë janë outputet, ju solla shembullin e teksteve. Janë gati 190 mijë nxënës. Pra, një politikë e thjeshtë e shumë sociale. Jemi vend i varfër e nuk e kemi luksin të bëjmë çudira, e megjithatë nuk kemi bërë pak në raport me mundësitë tona në aspektin social.

E dyta, mos harroni që në 1 janar të 2017-ës përfshimë të gjithë shqiptarët në skemën e përfitimit nga rimbursimi i ilaçeve dhe mos e lexoni thjesht si një fjali politike. Në terrenin e përditshëm, sadopak lehtëson hallin e një qytetari, është output. Ky është qëllimi.

Pra, ju solla disa shembuj, që nga infrastruktura e madhe, që nga zhvillimi i madh ekonomik, deri te jeta e përditshme e qytetarëve. Nëse në punën tonë ne nuk i lidhim këto, atëherë riskojmë të ndahemi nga qytetarët, riskojmë të bëjmë buxhete që nuk kanë efekt tek qytetarët dhe sigurisht që pastaj të humbasim edhe atë lidhjen që duhet të jetë e natyrshme, organike midis asaj që bën një qeveri, një trupë politike, me atë që ndodh në terrenin ekonomik.

Ju falënderoj për vëmendjen dhe do t’ju lutesha që të jemi sa më intensivë në dialog me njëri-tjetrin në mënyrë që të çohemi nga kjo tryezë më të përgjegjshëm, më të mësuar dhe me ndjesinë që ju jeni aty për të na monitoruar në vazhdimësi.

Faleminderit.

Të rejat e fundit