Produktet Alkoolike dhe Duhanit


I nënshtrohen pagesës së akcizës, birra, vera, pijet e fermentuara, ndryshe nga vera dhe produktet alkoolike të ndërmjetme dhe alkooli etilik që prodhohen në impiante përpunimi nën regjimin e magazinës fiskale nga depozituesit e miratuar. Autoritetet doganore mund të autorizojnë prodhimin në impiante të ndryshme nga magazinat fiskale me kusht që të përdoren produkte që kanë paguar akcizë dhe kjo akcizë të mos jetë më e ulët se ajo e produktit të përftuar nga përzierja e tyre.

Prodhimi nga ana e një privati të produkteve alkoolike të destinuara ekskluzivisht për përdorim vetjak të familjarëve dhe miqve të tij, nuk ka nevojë për pajisjen me autorizim me kusht që prodhimi i përftuar të mos jetë objekt i asnjë aktiviteti shitje dhe të mos tejkalohet limiti lejuar për përdorim familjar: 100 litra raki në vit , 200 litra verë në vit.

Të gjithë përdoruesit e kazanëve të distilimit duhet të deklarojnë dhe të pajisen me autorizim përdorimi pranë autoriteteve doganore kompetente

Alkooli Etilik:

Alkooli etilik paguan akcizë me tarifë bazuar në hektolitrin anhidër të produktit në temperaturë 20 o Celsius.

Me alkool etilik do të kuptohen:

të gjitha produktet që kanë një shkallë alkoolometrike efektive mbi 1,2 % ndaj  volumit dhe që klasifikohen në kodet nk 2207 dhe 2208, edhe kur janë pjesë e një produkti të një kapitulli tjetër të nk;

Produktet që kanë një shkallë alkoolometrike efektive mbi 22 % ndaj volumit dhe që klasifikohen në kodet nk 2204, 2205 dhe 2206;pijet alkoolike që përmbajnë produkte të tretura ose jo.

Rakia

Me Raki do të kuptohet një pije alkoolike e prodhuar nga rrushi ose nga frutat e fermentuara dhe të distiluara.

Emërtimi ‘Raki’ përdoret vetëm për pijen alkoolike të prodhuar në mënyrën e përshkruar me lart në pikën 1 dhe që prodhohet në Shqipëri.

Rakia paguan akcizë me tarifë bazuar në hektolitrin anhidër të produktit në temperaturë 20 o Celcius

Birra

Me Birrë do të kuptohet:

1. Çdo produkt i kodit 2203 të NK, që ka një forcë alkoolike ndaj volumit më të madhe se 0.5 %

2. Çdo produkt që është përzierje e birrës dhe pijeve jo alkoolike që klasifikohet në Kodin 2206 të NK, që ka një forcë alkoolike ndaj volumit  më të madhe se 0.5%

3. Birra i nënshtrohet akcizës me tarifë bazuar në sasinë e hektolitrave me shkallë alkoolometrike.

Vera

“Verë të qetë”, janë të gjitha produktet që klasifikohen në kodet 2204, dhe 2205, të NK,

1. Të një shkalle alkoolometrike faktike mbi 1.2 %  por jo mbi 15 % ndaj volumit, me kusht që alkooli që përmban produkti i gatshëm të jetë përftuar tërësisht nga fermentimi;

2. Të një shkallë alkoolometrike faktike mbi 15 % por jo mbi 18 % ndaj volumit, me kusht që të jetë prodhuar pa u pasuruar dhe që alkooli që përmban produkti i gatshëm të jetë përftuar tërësisht nga fermentimi.

Taksimi i Verës së qetë bëhet për hektolitër të produktit të përfunduar

Vera e Shkumëzuar

“Verë e shkumëzuar”, janë të gjitha produktet që klasifikohen në kodet 2204 10, 2204 21 10, 2204 29 10 dhe 2205, të NK të cilat plotësojnë njëkohësisht kushtet e mëposhtme:

paraqiten në shishe të mbyllura me tapë në formë kërpudhe që fiksohet nga kapse ose tela dhe që kanë presion të anhidritit karbonik në lëng të paktën 3 bar;
kanë një shkallë efektive alkoolometrike mbi 1.2% por jo mbi 15 % ndaj volumit me kusht që alkooli që përmban produkti i gatshëm të jetë përftuar tërësisht nga fermentimi.

Taksimi i  “Verës  së shkumëzuar” bëhet për hektolitër të produktit të përfunduar.

Pije të tjera të Fermentuara:

“Pije të tjera të fermentuara të qeta” do të kuptohen të gjithë produktet që klasifikohen në kodet 2204 dhe 2205 të NK, që kanë:

1. Një shkallë alkoolometrike faktike mbi 1.2 % por jo mbi 10 % ndaj volumit;

2. Një shkallë alkoolometrike faktike mbi 10% por jo mbi 15% ndaj volumit me kusht që alkooli i produktit të jetë përftuar tërësisht nga fermentimi.

Produkte të Ndërmjetme:

“Produkte të ndërmjetme”  janë të gjithë produktet që klasifikohen në kodet 2204, 2205 dhe 2206 te NK, që kanë një shkallë alkolometrike  efektive mbi 1.2 % të volumit por nën nivelin e 22% të volumit.

Konsiderohet “produkt i ndërmjetëm” çdo pije e fermentuar e qetë me shkallë alkoolometrike efektive mbi 5.5 % të volumit dhe që nuk përftohet tërësisht nga fermentimi, si dhe çdo pije e fermentuar, e gazuar me shkallë alkoolometrike efektive mbi 8.5% të volumit dhe që nuk përftohet  tërësisht nga fermentimi.

Produktet alkoolike të ndërmjetme i nënshtrohen pagesës së akcizës me të njëjtën tarifë që ka produkti i gatshëm matur në hektolitra.

Produktet e Duhanit:

Produktet e duhanit përfshijnë: cigaret, purot, cigarillos; duhanin dhe zëvendësuesit e tij që klasifikohen në kapitullin 24 të NK

Akciza për cigaret llogaritet për 1000 copë, ndërsa për purot dhe cigarillot për kg. Baza e llogaritjes së akcizës për duhanin e grirë dhe duhanet e tjera të tymosshëm do të jetë 1 kg