Postuar më: 15/11/2018

PPP, investime transparente në favor të qytetarëve. Prioritet rrugët dhe shërbimet spitalore

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Parlament:

 

Po marr shkas nga ajo që tha z. Beqja përsa i përket deregulimit dhe përmirësimit të të bërit biznes dhe po gjej rastin që të bëj me qytetarët dhe me deputetët në sallë, një rezyme të diskutimeve të buxhetit, por duke iu referuar pjesës së munguar të debatit përballë, pra pjesës së opozitës.

Përpara se të kap çështjen ku opozita u referua dje, dua të them që diskutimet e buxhetit kanë hyrë në një frymë debatesh reale dhe të shëndetshme brenda mazhorancës, për të vazhduar më tej, më shpejt, më intensivisht, konsolidimin fiskal, pra uljen e borxhit publik dhe ndërkohë dua të ndaj me ju që, ajo që ne si mazhorancë kemi vendosur përsa i përket buxhetit të vitit 2019 është ulja e deficitit në nivele rekord, pra 1.9 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Por, nuk është kjo arsyeja specifike pse unë mora fjalën sot. Nuk është as për të rikonfirmuar bashkërendimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar përsa i përket rritjes ekonomike, që do të vazhdojë të jetë mbi 4%, por doja të kapja një çështje që opozita e ka për qejf dhe e demonizon, është çështja e projekteve të Partneritetit Publik Privat dhe dua ta sqaroj me qytetarët që çështjet e Partneritetit Publik Privat janë të gjitha transparente, projektet janë të gjitha transparente në procedure.

Por unë nuk do të ndalem tek kjo pjesë, sepse “skanimi” i procedurës do të bëhet sot, do të bëhet nesër, do të bëhet sërish e sërish ndër vite në sytë e publikut dhe në sytë e institucioneve që do të duhet të merren me procedurat që ndjekin autoritetet kontraktore.

Ajo që unë dua të theksoj është, nëse e patë dje opozitën, iu referua një shifre për koncesionet, për Partneritetin Publik Privat, tha është mbi 2 miliardë euro dhe këto tha, rëndojnë mbi qytetarët. Unë po i marr një për një:

Rruga e Arbrit që ka nisur me koncesion, kushton rreth 243 milionë euro. Çfarë është kjo rrugë? Pse është kjo rrugë e domosdoshme? Pse do të duhej të bëhej tani dhe jo pas 20 viteve? Sa ka kushtuar? Ajo rrugë do të duhej të bëhej tani, megjithëse buxheti me fondet e veta të drejtpërdrejta nuk kishte mundësi ta bënte dhe hyn në Partneritet Publik Privat, një procedurë totalisht transparente. Por çfarë bën të mundur, sepse nuk po merrem prapë me procedurën? Bën të mundur që dibranët dhe gjithë zona që preket nga rruga të mos presin 20 vjet për rrugën. Ajo që tha dje opozita është e vërtetë, po, janë investime publike në favor të qytetarëve. Unë po e pyes opozitën: Çfarë keni me dibranët? Çfarë keni me dibranët që nuk doni që t’iu bëhet rruga? Si e keni punën me dibranët që nuk doni që ata të kenë rrugën dinjitoze për të ardhur në Tiranë, apo për t’u lidhur dhe me Shkupin nesër në aspektin tregtar, apo të lidhen sot me Durrësin në aspektin tregtar? Çfarë keni me qytetarët e Dibrës? Çfarë ju kanë bërë qytetarët e Dibrës? Nuk ju dhanë katër vota në Parlament? Nuk ju dhanë se nuk e meritonit! Dhe ju nuk e gjykoni dot sovranin.

Çfarë keni me popullin e Shkodrës? Thumanë-Kashar është vazhdim i Rrugës së Kombit. Çfarë keni me kuksianët, çfarë keni me shkodranët, që nuk doni t’iu bëhet rruga? Çfarë arsye keni përtej kësaj? Doni ta lini vendin në mjerim? Pse nuk doni që Shkodra të ketë një autostradë më dinjitoze, të lidhet me Tiranën, me Durrësin apo me kë të duan? Cila është arsyeja? Çfarë doni, që populli i Balldrenit dhe i gjithë veriu të mos ketë rrugë dinjitoze? Cila është arsyeja? Kë urreni? Shkodrën që nuk ju dha 7 vota?! Nuk i meritonit! Lezhën që nuk ju dha 5 vota?! Nuk i meritonit, ia dhanë Partisë Socialiste. Kjo është arsyeja pse i urreni koncesionet. Koncesionet janë investime publike në favor të qytetarëve.

Çfarë keni me ata të sëmurët e Dializës që marrin dializë, çfarë keni? Çfarë keni që doni t’i bëni të vuajnë? Çfarë keni me ta që doni t’i bëni të vuajnë përtej vuajtjes që kanë? Ju të opozitës, çfarë keni? Cila është arsyeja që ju nuk doni që ata ta marrin shërbim dhe nuk doni që të marrin shërbim ashtu siç duhet të marrin dhe nuk doni që të marrin shërbim aty ku e marrin? Me 80 mijë lekë ka qenë dikur, falas sot, ju nuk doni. Pse nuk doni? Çfarë interesi keni që ata të vuajnë përtej vuajtjes që kanë?

Pse nuk doni që të sterilizohen pajisjet në spitale ashtu siç i ka hije një spitali normal? Pse doni që të infektohen ata të pafat që shkojnë aty për shkak të sëmundjes? Cila është arsyeja?

Këto janë koncesionet. Pse nuk doni që qytetarët të shkojnë të kontrollohen, të bëjnë check-up falas? Cila është arsyeja? Çfarë keni me shëndetin e qytetarëve? I keni vënë çmim jetës?

Pse nuk doni të pastrohen plehrat e Tiranës? Pse nuk doni? Çfarë arsyeje keni? Keni probleme të procedurës dhe të kostos? Aty e keni. Aty do të jenë letrat, aty është procedura, do shihen sot, do shihen nesër, do shihen ndër vite.

Çfarë keni me popullin e Vlorës? Nuk doni që të bashkohet me Himarën? Çfarë keni me popullin e Gjirokastrës që nuk doni që të bëhet By-Pass-i? Çfarë problemi keni?

A, ju doni ato koncesionet e pullave fiskale?! Doni ato koncesionet e skanimit?! Ato doni ju? E dini sa i kushton shqiptarëve koncesioni skanimit? Jemi i vetmi vend në Evropë që e bëjmë. I vetmi vend në Evropë. Rrugë me koncesion, me PPP, bën e gjithë bota, e gjithë Evropa. Shërbime spitalore bën gjithë Evropa, gjithë bota. Skanim bëri vetëm Shqipëria. Vetëm Shqipëria në të gjithë Bashkimin Europian dhe në Evropë. Vendi pararojë me skanim. E dini sa i kushton biznesit? I kushton 22 milionë euro, se i kushtonte 40 por ia ulëm ne. Po buxhetit e dini se sa i kushton? 19 milionë dollarë! Këta flasin për konçensione. Pullat fiskale, e dini ju se ka raste që janë më shtrenjtë se akcizat? E dini? Nga këto konçensione duan këta? Ne bëjmë konçensione për rrugë, rrugën e Dibrës, rrugën e Kombit, rrugën e Shkodrës, rrugën e Vlorës, dializën, check-up-in, inceneratorët kundër plehrave, apo i doni njerëzit që të mbyten, që të vijnë si “zombie” pastaj dhe t`ju votojnë juve nga Azia? Janë shërbime publike, dua ta dëgjojnë qytetarët se dalin aty dhe recitojnë konçensione, PPP, konçensione, PPP.

Rruga e Arbrit është Partneritet Publik Privat. Do bëhet. Me paratë e buxhetit do bëhej pas 20 viteve. Jo, do bëhet tani, se i duhet Dibrës, i duhet Shqipërisë. Po, do ta paguajë buxheti për 13 vjet, patjetër! Do bëhet patjetër edhe Balldreni. Do bëhet patjetër edhe Thumanë-Kashar. Po patjetër do bëhet edhe Tiranë-Durrës, se është aksi, është arteria kryesore e vendit dhe do paguhet ndër vite, për 15 vite.

Apo Tiranë – Elbasan apo Tiranë – Durrës. Tiranë-Durrës do bëhet me toll. Asnjë lek nga buxheti i shtetit. Po pse i demonizojmë? E dini pse i demonizojmë?

Po ju bëj një llogari shumë shumë të shkurtër. Çdo shërbim, çdo rrugë, çdo aset, çdo investim që bën kjo mazhorancë, i vret këta, se largohen nga pushteti, ngelen aty te 20 përqindëshi që kanë ngrirë, ndërsa ne nuk i masim me numër votash, i masim me përgjegjshmëri ndaj qytetarëve. Të më dalin dhe të më thonë, çfarë kanë me popullin e Dibrës, çfarë kanë me popullin e Shkodrës, çfarë kanë me popullin e Durrësit, çfarë kanë me të sëmurët me dializë, çfarë kanë me ato që shkojnë në spitale dhe pastaj aty i kanë procedurat, le t’i kontrollojnë, ndër ditë, ndër javë, ndër vite.

Faleminderit!