Postuar më: 18/06/2018

Përmirësojmë kuadrin ligjor për investimet; Incentiva fiskale për sektorët strategjikë.

Fjala e Ministrit Ahmetaj në mbledhjen e Këshillit të Investimeve

Faleminderit,

Kjo është një mbledhje e posaçme edhe për shkak të prezencës së Zv. Presidentit të BERZH-it, Alain Pilloux. Gjithë fokusi i takimit do të jetë klima e investimeve dhe iniciativa që ky Këshill ka ndërmarrë për të përmirësuar ligjin e investimeve. Në këtë tryezë jemi mbledhur disa here. Këshilli i Investimeve tashmë është një sukses i dukshëm, i prekshëm nga sipërmarrja dhe nga qeveria. Në tryezë me Këshillin e Investimeve janë diskutuar, debatuar dhe vendosur shumë çështje që nga fiskale, proceduriale dhe deri tek elementë të klimës së investimeve, në funksion të rritjes së investimeve në tërësi dhe investimeve të huaja në veçanti.

Në prill të këtij viti, ne kishim 3 vjetorin e ngritjes së Këshillit të Investimeve dhe besoj që ka një inventar suksesi tashmë të prekshëm në të gjitha takimet, mbledhjet apo ato që do të duhet të ndiqeshin në vazhdimësi edhe nga ankesat e sipërmarrjes.

Këshilli i Investimeve është kthyer në një avokat të drejtpërdrejtë të investitorëve të sipërmarrjes, jo thjesht duke iu referuar çështjeve specifike, por duke iu referuar çështjeve organike të përmirësimit të klimës së biznesit.

Siç e theksova, sot diskutojmë gjerësisht dhe do të kemi mundësinë të ndajmë mendime dhe qëndrime për kuadrin ligjor për investimet në Shqipëri.

Një javë më parë, statistikat e bilancit të pagesave treguan se në tremujorin e parë të vitit 2018, flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, shënuan shifrën 284 milionë euro, një rritje e konsiderueshme vjetore prej 62 % ose në nivelin më të lartë të 8 viteve të fundit (referuar të njejtës periudhë).

Viti 2017 u mbyll me investime të huaja në nivelin 907 milionë euro. Nëse i referohemi ecurisë dhe krahasueshmërisë së tremujorit të parë të këtij viti me tremujorin e parë të vitit 2017, atëherë besojmë që ky vit do të jetë sërish një rekord, me gati 1 miliard dollar investime të huaja.

Ecuria pozitive e investimeve të huaja direkte si dhe atyre vendase, reflekton trendin e ekonomisë shqiptare në 4-5 vitet e fundit.

Të gjithë ju këtu e kujtoni se deri para vitit 2013 ne kishim një model ekonomik të bazuar tek konsumi dhe remitancat, sigurimi kryesor i të ardhurave nga jashtë, një model ekonomik që dukshëm i kishte ezauruar dhe konsumuar kapacitetet e veta dhe prej vitesh nuk prodhonte më punësim.

Sot, pesë vite pas aplikimit të një qasje të re të zhvillimit ekonomik, të orientuar drejt modelit që bazohet tek eksportet dhe tek investimet, pra tek prodhimi, tek manifaktura, shifrat tregojnë një panoramë krejt tjetër.

Përveç se rritja ekonomike është 4-fishuar, investimet janë kthyer në një nga dy gjeneratorët kryesorë të rritjes, pra investimet e brendshme dhe ato të huaja.

Në të njëjtën kohë, sikurse e thekson edhe raporti i fundit i Bankës Botërore, eksportet neto kanë ndihmuar rritjen ekonomike, veçanërisht eksporti i shërbimeve, përfshirë turizmin dhe eksportin e mallrave.

Në vitin 2017, për herë të parë, punësimi në sektorin jobujqësor kaloi atë të sektorit bujqësor. Sot Shqipëria ka nivelin më të ulët historik të papunësisë 12.5 %, ndërsa punësimi në tremujorin e parë 2018 ka një rritje prej 5% krahasuar me një vit më parë. Krahasuar me rajonin, jemi vendi me punësimin më të lartë të fuqisë punëtore të aftë për punë, 59.2 % dhe papunësinë më të ulët tek të rinjtë, që vijon të zbresë.

Natyrisht që këto zhvillime shtrojnë përpara sfida të mëdha, për shembull në pesë muajt e parë të vitit kemi rreth 28 mijë vende të lira pune të shpallura nga sipërmarrjet pranë zyrave të punës. Kemi diferencën mes aftësive dhe nevojave në tregun e punës, hendek që ngushtohet dhe plotësohet vetëm me teknologji dhe dije, ose thënë ndryshe, duke tërhequr investime të huaja serioze në vend, në nivelin e lartë të zinxhirit të vlerës.

Kemi interes të shprehur drejtpërsëdrejti në një sërë sektorësh që për ne janë strategjikë: turizmi, ICT, energji, bujqësi, infrastrukturë, manifakturë.

Shqipëria sot ka investime serioze në sektorin minerar, hidrokarbure, gaz dhe energji. Ka emra të njohur si TAP, Statkraft, SHELL, apo kompani të tjera që janë prezent dhe kanë kontribut të rëndësishëm në tregun dhe në ekonominë shqiptare.

Kemi prezencë po kaq të rëndësishme në sektorë të tjerë. Para disa ditësh firmosëm me kompaninë Forchner një ofertë që i hap rrugë një investimi të ri të kësaj kompanie ku do të punësohen rreth 1 mijë punonjës.

Kemi interes të avancuar nga një kompani gjermano-zviceriane për ndërtimin e një porti jahtesh dhe mjete luksoze lundrimi, dhe Lufthansa IT Solution, nuk është më sekret, është këtu për të bërë  potencialisht një partnership për të prodhuar për kërkesën globale në industrinë e software-ve, duke punësuar inxhinierë dhe specialistë të kualifikuar.

Shumë shpesh kemi debate mes nesh, edhe kur i referohemi praktikave më të mira ndërkombëtare apo praktikave të vendeve fqinje, në rajon, përsa i përket investimeve. E mbani mend besoj, (sigurisht e përdor në të drejtë të Shqipërisë por edhe në të mirë të rajonit) kur u krijua para disa vitesh një legjendë urbane, i referohesha rëndom, ku madje edhe shumë investitorë i referoheshin Maqedonisë si vendi që tërhiqte më shumë investime dhe kur filluam t’i krahasonim me shifra apo me sektorë, Shqipëria ishte 3 herë më shumë. Sigurisht që debati është në funksion të rritjes së investimeve, por është mirë të kuptojmë së fundi edhe vendin e Shqipërisë, interesin që kanë investitorët për Shqipërinë dhe pozicionin në tregun rajonal që afron Shqipëria.

Shqipëria, siç e theksova, ka avantazhe të lidhura me lokacionin gjeografik, daljen në det, pasuritë natyrore, minerare dhe hidrike, popullsinë në moshë të re, koston e ulët akoma të fuqisë punëtore. Kemi dhe një avantazh shumë të madh në aspektin e politikave. Ndryshe nga sa ndodh shpesh në vende që politikën e nxitjes së investimeve e bazojnë vetëm në aspektin fiskal, ne kemi zgjedhur një kombimim, në këndvështrimin tim shumë të duhur, midis incentivave fiskale, rritjes së produktivitetit të sektorëve dhe përmirësimit të shërbimeve publike.

Në aspektin fiskal, këto ditë jemi edhe në kohën e diskutimeve dhe konsultimeve të paketës fiskale. Kemi lehtësim të rëndësishëm për sipërmarrjet në disa sektorë.

Në turizëm, sot në Shqipëri aplikohet TVSH e reduktuar për turizmin 6%, për shërbimet e akomodimit dhe ushqimit brenda strukturave të hotelerisë.

Në anën tjetër, po promovojmë agroturizmin. Sipërmarrjet e licencuara në sektorin e agroturizmit do të përfitojnë ulje të tatim-fitimit nga 15 në 5 %. Pra, nuk ka rëndësi sa sipërmarrje e madhe do të jetë në agroturizëm, do të trajtohet me 5 % tatim-fitimi dhe normë të reduktuar të Tatimit të Vlerës së Shtuar prej 6 % për shërbimet e akomodimit dhe përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja për qëllim agroturizmi.

Sektori energjetik, me qëllim nxitjen dhe lehtësimin e investimeve në fushën e energjisë diellore, do të përfitojë përjashtim nga TVSH për një gamë të gjerë të linjave teknologjike, makinerive dhe pajisjeve.

Në sektorin e bujqësisë, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor do të përfitojnë rimbursimin e TVSH-së në masën 20 %, si të ishin një fermer, por tashmë pa limit në aspektin e qarkullimit, dhe do të trajtohen me tatim- fitimi të reduktuar nga 15 në 5 %.

Një lëvizje shumë e rëndësishme është dhe rishikimi i tavanit të tatim-fitimit, që praktikisht e ul me tre herë ngarkesën fiskale për bizneset e prekura. Tatim-fitimi për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë ulet me tre herë, nga 15 % në 5 %. Me këtë masë, rreth 91 %, që i bie afërsisht 95 mijë ndërmarrje në Republikën e Shqipërisë, përfitojnë lehtësim të ngarkesës fiskale me tatim-fitimin ose 0 ose 5 %. Besoj që këtë të mërkurë e gjithë paketa kalon edhe në Këshillin e Ministrave.

Po kështu, nga korriku 2017, ne kemi nisur një reformë transformuese për shërbimet publike dhe uljen e peshës së burokracisë, që është një indikator që shpesh e hasim dhe në raportet Doing Business apo dhe në Anketat e Dhomave dhe Shoqatave të ndryshme të biznesit, si shqetësim për t’u adresuar.

Është një reformë tërësore që synon lehtësimin e marrjes së shërbimit publik në kohë dhe kosto të reduktuar; deregulimin e tregut dhe lejet, licencat dhe autorizimet e shumta e të panevojshme; dixhitalizimin dhe ofrimin e shërbimeve online përmes platformës së unifikuar së qeverisë e-Albania. Reforma po vazhdon. Ka përfshirë Tatimet, Doganat, Qendrën Kombëtare të Biznesit, Sigurimet Shoqërore, Inspektoratin e Punës dhe një sërë institucionesh të tjera shtetërore.

Sot, vërtetimet e Tatimeve dhe një sërë deklaratash doganore plotësohen online në vetëm dy minuta. 13 pagesa në Tatime sot bëhen online. Vlerësimi i deklaratave doganore në import bëhet në një qendër të unifikuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, online, pa kosto dhe duke reduktuar apo eleminuar atë negociatën tradicionale midis sipërmarrjes dhe oficerit të Doganës. Ekstraktet e Qendrës Kombëtare të Biznesit gjenerohen lehtësisht online. Unë besoj që në raportet e ardhshme do të shohim të reflektuar impaktin e këtyre lehtësive në perceptimin e biznesit për klimën e të bërit biznes në Shqipëri.

Prej disa kohësh tashmë kemi një diskutim me AIDA-n apo me institucione të tjera për ligjin e ri për investimet. Personalisht jam i angazhuar, që nga viti 2015 në hartimin e një kuadri të plotë nxitës për investimet e huaja, që përfshin katër ligje, shtylla të rëndësishme: është ligji për zonat e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik që ne i referohemi si ligji i zonave të lira; ligji për turizmin; ligji për Partneritetin Publik Privat; dhe ligji për investimet strategjike.

Shqipëria ka adoptuar prej kohësh një legjislacion liberal dhe veçanërisht sa i takon investimeve të huaja në vend, i mbështetur në parimin e mosdiskriminimit ndërmjet investitorëve vendas dhe të huaj.

Ndryshe nga disa vende të rajonit, të cilat nuk e kanë një ligj të veçantë për investimet, siç është Kroacia dhe Maqedonia, Shqipëria ka institucionalizuar dhe një sërë mekanizmash mbrojtës për investitorët.

Ligji për investimet strategjike parashikon statusin e veçantë, ku kontratat miratohen potencialisht në Parlament, në bazë të kërkesës së investitorëve. Arbitrazhi është një format kryesor sot i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Koncepti i avokatit të biznesit në Shqipëri është rregulluar me Avokatin e Tatimpaguesve për çështjet e lidhura me Tatimet, ndërsa themelimi i Gjykatës Administrative i jep zgjidhje çështjeve të kësaj natyre.

Së fundmi, me formatimin e ri të kabinetit qeveritar ka një Ministër Shteti për Sipërmarrjen që mbron interesat dhe nxit dialogun mes palëve.

Kuadri ligjor për shoqëritë tregtare, si rregull, nuk parashikon barierra për themelimin e shoqërive tregtare me kapital 100 % të huaj.

Lidgjet më të rëndësishme që adresojnë çështje që lidhen me investimet janë: ligji për investimet e huaja, siç e theksova; për investimet strategjike, për zonat e lira.

Unë besoj që dhe ky Këshill ka funksionuar si avokat i sipërmarrjes, i investitorëve duke kapur çështje themelore që shqetësojnë sipërmarrjen.

E rëndësishme për ne është që në çdo zhvillim të kornizës ligjore të garantojmë qartësi, transparencë dhe parashikueshmëri për çdo investitor që dëshiron të investojë në Shqipëri. Dhe në këtë fushë, parimi kryesor i zhvillimit të legjislacionit, është të identifikojmë së bashku të gjithë elementët e kornizës aktuale dhe të bëjmë ndryshimet përkatëse nëse duhet, për të përmirësuar funksionimin e tyre dhe jo vetëm, por edhe të vendosim për elementë të rinj të kuadrit ligjor, që i paraprijnë qëllimeve ambicioze të qeverisë sonë për rritjen ekononike, diversifikimin, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë, dhe rrjedhimisht mundësive për investime të rëndësishme e punësim.

Të rejat e fundit