Postuar më: 12/12/2018

Paketa e Solidaritetit 2018, miratohen shpërblimet për pensionistët dhe njerëzit në nevojë

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit vendimin “Për Shpërblimin e Pensionistëve për Festat e Fundvitit 2018” dhe vendimin për  “Për shpërblimin dhe kompensimin e disa kategorive të veçanta, për festat fundvitit 2018”.

Këto dy vendime janë vazhdim i Paketës së Solidaritetit, që tashmë është kthyer në një traditë për fundin e vitit, si shprehje e vemednjes dhe kujdesit për të moshuarit dhe shtresat në nevojë.

Paketa e Solidaritetit 2018 parashikon një shpërblim në masën 5 mijë lekë për cdo pensionist në Republikën e Shqipërisë. Fondi I parashikuar për këtë kategori është rreth 3.2 miliardë lekë.

Nga shpërblimi i parashikuar në këtë projekt vendim do të përfitojnë 655, 610 pensioniste dhe përfitues te tjerë nga të cilët mbi 511,700 jene pensionistë në pension pleqërie, 72,750 persona në pension invaliditeti, 52,620 persona në pension familjar, dhe mbi 18 540 persona te tjerë qe në trajtim financiar me pension social, pension apo trajtim të veçantë financiar si minatorë të nëntokës, punonjës të ish – ndërmarrjeve ushtarake dhe ushtarakë në pension të parakohshëm.

Paketën e solidariteti e përfitojnë edhe disa kategori në nevojë si familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike; familjet që kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së; individë përfitues të statusit paraplegjik dhe tetraplegjik; si dhe personat që përfitojnë statusin e të verbrit.

Masa e ndihmës për këto kategori është 3 000 (tre mijë) lekë, për person/familje. Sipas kategorive janë parashikuar të përfitojnë rreth 69,005 persona me Aftësi të Kufizuar dhe 56 214 familje që përfitojnë Ndihmë Ekonomike. Efektet financiare të këtij projektvendimi përlogariten në vlerën 396 milionë lekë.