Postuar më: 09/11/2018

Nxitje e mëtejshme bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Rumanisë

Shqipëri-Rumani, zhvillohet Sesioni i 9-të i Komisionit të Përbashkët Ndër-Qeveritar për Bashkëpunim Ekonomik, Shkencor dhe Teknik

Komisioni i Përbashkët Ndër-Qeveritar për Bashkëpunim Ekonomik, Shkencor dhe Teknik mes Shqipërisë dhe Rumanisë zhvilloi punimet e Sesionit të tij të 9-të në datat 8 dhe 9 Nëntor 2018. Për palën shqiptare ky Komision kryesohet nga Zv.Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Albana Shkurta, ndërsa për palën rumune nga znj. Gabriela Mihaela Voicilă, Sekretare e Shtetit në Ministrinë e Mjedisit të Biznesit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Rumanisë. Në përfundim të punimeve të Sesionit, dy bashkëkryetaret dolën në një deklaratë për mediat. Zv.Ministrja Albana Shkurta theksoi se disa nga fushat ku të dyja palët dakordësuan të vendosin në axhendat e bashëpunimit në vijim janë: turizmi, transporti, energjia bujqësia, mjedisi, komunikimi dhe fusha e Teknologjisë së Informacionit. Gjithashtu, ajo informoi se gjatë ditës së sotme u zhvillua një Forum Biznes mes bizneseve nga Rumania dhe atyre shqiptare, si një mundësi shumë e mirë për të bashkëvepruar dhe diskutuar së bashku mbi sfidat aktuale për ndërtimin e partneriteteve, intensifikimin e mundësive të reja dhe bashkëpunimet tregtare.

Nga ana e saj, znj. Gabriela Mihaela Voicilă vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rumanisë, sidomos ato ekonomike,  kanë mundësi të jenë akoma më të mira dhe se bashkërisht duhet të mbështeten prodhuesit e të dyja vendeve, në mënyrë që të rritet eksporti nga Rumania në në Shqipëri dhe nga Shqipëria për në Rumani, duke përmendur faktin se Shqipëria ka një bregdet shumë të bukur dhe prodhim bujqësor shumë të mirë. Gjithashtu, ajo përmendi disa nga fushat ku ka mundësi bashkëpunimi, si Tekonologjia e Informacionit apo Inovacioni.

 

Zv.Ministrja znj. Albana Shkurta:

Faleminderit për prezencën tuaj sot.

Jam këtu së bashku me homologen rumune znj. Gabriela Mihaela Voicilă, Sekretare e Shtetit në Ministrinë e Mjedisit të Biznesit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Rumanisë, për të ndarë me ju lajmin se më datat 8 dhe 9 nëntor 2018 zhvilluam në Tiranë Sesionin e  9 të Komitetit të Përbashkët Ndër-Qeveritar për Bashkëpunim Ekonomik, Shkencor dhe Teknik mes Shqipërisë dhe Rumanisë.

Duke vlerësuar rëndësinë e dialogut dypalësh, si një mekanizëm për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe perspektivave për çështjet e përfitimit reciprok, takimi i sotëm  refelekton marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira dhe miqësore midis dy vendeve, marrëdhënie të cilat kanë vijuar të thellohen, konsolidohen duke rritur besimin reciprok politik dhe bashkëpunimin ekonomik në fusha të ndryshme.

Për dy ditë, ekspertët tanë shkëmbyen ide dhe pikëpamje me homologët e tyre rumunë, lidhur me promovimin, zgjerimin dhe diversifikimin e  marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit të ndërsjellët tregtar, për të gjetur mekanizmat e duhur dhe instrumentët zbatues për të lehtësuar dialogun, konkretizuar bashkëpunimin dhe kaluar në një fazë më të avancuar dhe me projekte konkrete.

Turizmi, transporti, energjia bujqësia, mjedisi, komunikimi dhe fusha e Teknologjisë së Informacionit ishin disa nga sektorët ku të dyja palët dakordësuan të vendosin në agjendat e tyre për bashkëpunim në vijim, deri në takimin e radhës, i cili do të zhvillohet në Bukuresht.

Protokolli që ne sapo nënkshkruam, besojmë se do të shërbejë si një platformë për t’u zbatuar nga institucionet tona relevante, gjatë muajve në vijim.

Po ashtu sot, më herët zhvilluam edhe një forum biznesi me pjesëmarrjen e rreth 15 bizneseve nga Rumania dhe dyfishin e tyre nga Shqipëria. Forumi i biznesit ishte një mundësi për të bashkëvepruar dhe diskutuar së bashku mbi sfidat aktuale për ndërtimin e partneriteteve, intensifikimin e mundësive të reja dhe bashkëpunimet tregtare.

 

Duke i vlerësuar si bashkëpunëtorët tanë dhe aktorë të  rëndësishëm në këtë proces,  kompanitë dhe bizneset qofshin këto të mëdha, të mesme dhe të vogla do të kenë gjithmonë  vëmendjen, inkurajimin dhe mbështetjen tonë për investime, biznes dhe partner.

 

Znj. Gabriela Mihaela Voicilă, Sekretare e Shtetit në Ministrinë e Mjedisit të Biznesit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Rumanisë:

 

Ishte një kanaqësi për mua të isha sot këtu bashkë me zonjën Zv.Ministre në punimet e komisionit të përbashkët. Paralelisht me takimin dypalësh që patën tani me zonjën Zv.Ministre, mund t’ju informoj se po zhvillohet një takim me biznesmenë që kanë ardhur nga Rumania. Në pjesën e parë të Forumit të Biznesit morëm pjesë edhe ne, bashkë me zonjën Zv.Ministre dhe mund t’ju them me siguri që u larguam nga ai Forum me bindjen e plotë se marrëdhëniet midis dy popujve tanë, veçanërisht marrëdhëniet ekonomike, mund të jenë dhe me të mira se sa janë.

Në fillimin e shekullit të kaluar, shefi i shtetit rumun krijoi një prioritet kombëtar, i cili i referohej mbështetjes që do të jepte Rumania për shtetin e ri shqiptar. Këtë miqësi mes dy vendeve tona, si një siguri që e kemi ndjerë dhe ne rumunët, dhe ju shqiptarët, kështu që mund të kemi besimin se mund të bëjmë tregti shumë herë më të mirë së bashku, të mbështesim këtu bashkërisht prodhuesit nga të dyja vendet, në mënyrë që mund të bëjnë eksport nga Rumania në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Rumani, sepse ju keni një bregdet shumë të bukur dhe prodhim bujqësor shumë të mirë. Por me siguri që edhe prodhimet rumune janë tepër të vlerësuara në tregun shqiptar dhe mund të them se volumi i eksporteve në vijim do të rritet. Sigurisht që dhe në fushën e IT kemi kompani eksperte shumë të mira në Rumani dhe sigurisht që ata mund të vijnë me ekspertizën e tyre për t’ju ndihmuar në lidhje me bërjen e disa projekteve në fushën e IT-së, e në vazhdim jemi të bindur që mund të zhvillojmë aktivitetin dhe në fushën e klasterave, sepse ky lloj sistemi ndihmon shumë firmat e vogla që të zhvillohen.

Sigurisht që dhe në fushën e inovacionit ramë dakord që të bashkëpunojmë sepse në realitetin e sotëm kush nuk zhvillohet në fushën e inovacionit nuk mund t’i reziztojë dhe presionit të globalizimit.

Mund të them se kohët e fundit pata nderin të isha në një panel me themeluesin e kompanisë e kompanisë Ali Baba. Në momentin që ke nevoja dhe në momentin që gabon me siguri që lind dhe progresi. Rumania dhe Shqipëria në këtë moment kanë disa nevoja, dëshirojnë më shumë, motiv për të cilin jam e bindur se së bashku do të gjejmë zgjidhjet më të mira.

Ju falënderoj dhe ju ftoj të vizitoni Rumaninë. Jam e sigurt që do ju pëlqej shumë, ashtu siç dhe mua më pëlqeu shumë Tirana.