Postuar më: 23/10/2018

Nuk ka kthim pas. Mbyllja e lojërave të fatit brenda 31 dhjetorit 2018!

Miratohet në Komisionin e Ekonomisë Projektligji për ndryshimet në Ligjin e Lojërave të Fatit.

Fjala e Ministrit Ahmetaj:

 

Besoj se është shumë i qartë, i shprehur dhe publikisht, qëndrimi i qeverisë në lidhje me mbylljen e kazinove elektronike në 31 Dhjetor 2018 dhe avancimin e kësaj logjike të shprehur nga Kryeministri i Shqipërisë, me vullnet politik dhe tashmë të zyrtarizuar, për mbylljen e kazinove elektronike, basteve sportive, sallave të bingos, basteve me gara në pistë dhe në reflektim të mëtejshëm të kësaj logjike, dhe asaj që teknikisht i referohemi si lojërat e fatit elektronike në distancë, pra online.

Pra, për ta sqaruar opinionin publik, qeveria ka një pozicion tashmë të konsoliduar zyrtar, të avancuar edhe me këtë Komision. Në 31 Dhjetor 2018 mbyllen kazinotë elektronike, mbyllen bastet sportive, mbyllen bastet për garat në pistë, mbyllen sallat e bingove dhe mbyllen lojërat e fatit elektronike në distancë, pra online.

Gjithë ajo bolori politike që është shpalosur nga opozita në mbrojtje të të gjithë atyre që kanë abuzuar me këtë sektor, që po mbyllen aty për t’i hapur këtu, po mbyllin këto që t’i japin monopol, atij, asaj, këtyre, sot vërtetohen që janë vetëm bolori politike. Qeveria e ka shumë të qartë qëndrimin e vet, në 31 Dhjetor të këtij viti mbyllen të gjitha ato kategori që unë iu referova.

Kjo sqaron njëherë e mirë pozicionin e mazhorancës, të qeverisë dhe të Kryeminstrit, përsa i përket iniciativës që ne kemi avancuar së fundmi.

Patjetër që ka një periudhë për ta përgatitur deri në 31 Dhjetor. Ka kaluar dhe një vendim qeverie, i cili pezullon Autoritetin e Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit deri në ristrukturim të plotë të tij, i ka dhënë autorizimin Ministrit të Financave me urdhër t’i tregojë Autoritetit të Monitorimit të Lojërave të Fatit se çfarë do të duhet të bëjë deri në periudhën që ristrukturohet plotësisht dhe detyrat do të jenë lufta kundër informalitetit, ndihma ndaj të gjithë kompanive që do të mbyllen, plotësimi i dosjeve për inventar, informimi  publik për procesin e mbylljes. Këto janë ato detyra që Autoriteti do të ketë. Në të njëjtën kohë, ndërpriten të gjitha ato procese për aplikim lejesh apo rinovim lejesh.

Në të njëjtën kohë do të avancojme dhe atë qëndrim, ku do ta themi specifikisht në ligj që ndalohen reklamat audiovizive për bastet apo publiciteti në media të ndryshme për lojërat e fatit.

Dua të sqaroj opinionin publik dhe të gjithë ata që kanë qejf bolorinë politike në lidhje me lojërat e fatit. Është shtuar dhe pika 2.2, vetëm për të sqaruar opinionin, sepse praktikisht në teknikën e ligjit kemi qenë shumë të qartë, pas datës 31 Dhjetor 2018 asnjë shoqëri nuk mund të vendosë apo të afrojë lojëra fati sipas konceptit, funksionit të VLT-së, përveç rasteve që i parashikon ligji në kazinotë, apo në kazinotë me 5 yje, siç është ligji.

Pra, nuk ka as VLT dhe dua ta sqaroj pse është vendosur kjo këtu. Kjo ka të bëjë me Lotarinë Kombëtare. Lotaria kombëtare ka një pretendim që i lejohet në bazë të ligjit të dikurshëm të para 2013-ës që të vendoste VLT, lojëra fati poshtë e lartë. Nuk ka të drejtë, zero. Është shumë e qartë. Për ne ka qenë shumë e qartë. Për mua personalisht ka qenë shumë e qartë. Kam mbajtur qëndrim zyrtar edhe në takimet me Lotarinë Kombëtare. Tani, së bashku me Komisionin, po e materializojmë dhe në ligj, nuk ka VLT.

Për qytetarët, duhet ta shpjegoj, VLT-të janë një formë e sofistikuar e kazinosë elektronike dhe kjo ndalohet me ligj, pavarësisht se Lotaria Kombëtare mund të pretendojë që e ka pasur, e paska marrë si të drejtë në ligjin e veçantë përpara vitit 2013.

Kjo besoj e sqaron njëherë e mirë gjithë situatën e lojërave të fatit. Unë jam i bindur që ne kemi qytetarët me vete dhe jam i bindur që mundësi për ata që për fat të keq do të gjenden për një moment pa punë, ka, qoftë nëpërmjet trajnimeve që afron Shërbimi Kombëtar i Punës, apo rikualifikime për shkak të aftësive që mund të kenë pasur, të reflektuara dhe të lidhura me punën që kanë berë deri tani.

Më duhet të them që gjithsesi industria do të krijojë vitin tjetër një diferencë në të ardhurat buxhetore, po kjo për ne nuk ka pikë rëndësie. Po jua them edhe si Ministri përgjegjës i të ardhurave, kjo nuk ka pikë rëndësie për ne. Ne po e sfidojmë administratën tatimore dhe doganore që të mbledhë ato para që vinin nga lojërat e fatit në terrenin ekonomik. Sfidë është për Tatimet, sfidë është për Doganat, sfidë është për ISSH-në, sfidë është për mua personalisht, patjetër, për të mbajtur atë trajektore të konsolidimit fiskal, uljes së borxhit, të mbajtjes poshtë të defiçitit që do e diskutojmë, do të jetë rekord i ulët, 1.9%.

Thënë kjo, kjo mazhorancë, kjo qeveri sot konsolidon përpara publikut, sepse me veten e vet e ka të konsoliduar qëndrimin përsa i përket lojërave të fatit.

Unë këtu do të ndaloj dhe besoj që mund të ketë pyetje, mund të ketë referime, ose mund të ketë opinione. Jemi në gatishmëri që ta përfundojmë sot njëherë e mirë gjithë setin e ndryshimeve.

Faleminderit.