Postuar më: 08/10/2020

Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit me BERZH për integrimin në BE të Shqipërisë dhe 40 mln euro grant për zhvillimin e Turizmit dhe Infrastrukturës

 

Qeveria shqiptare nënshkroi sot në një ceremoni virtuale Memorandumin e Mirëkuptimit me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në mbështetje të procesit të integrimit me BE-në.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga Kryeministri z. Edi Rama dhe Presidenti në Detyrë i BERZH z. Jürgen Rigterink në prani edhe të  Ambasadorit të BE-së në Tiranë z.Luigi Soreca.

Palët angazhohen përmes këtij memorandumi të shndërrojnë në objektiv të përbashkët integrimin e Shqipërisë, përmes fuqizimit ekonomik, forcimit të marrëdhënieve publik-privat, rritjes së ndërlidhjes rajonale dhe investimeve në sektorë të rëndësishëm.

Gjithashtu Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj firmosi me presidentin e BERZH edhe dy marrëveshje për zhvillimin e Turizmit dhe Infrastrukturës.

Firmosja e sotme nga Znj. Denaj dhe Z. Rigterink, e Marrëveshjeve të fiancimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BERZH për Programin për Zhvillimin e Turizmit dhe Infrastrukturës në Shqipëri, është në shumën totale prej 100 milionë euro nga të cilat 40 milionë euro janë grant dhe 60 milionë euro kredi.

Programi synon rritjen e kontributit të turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm ndaj rritjes ekonomike të Shqipërisë. Do të zbatohet në bashkinë Fier, Berat, Shkodër dhe Korçë dhe do të ketë si objektiva të veçantë:

-rritjen e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së ofertës turistike;

-rritjen dhe ruajtjen e pasurive kulturore, natyrore, etj;

– zhvillimin lokal dhe të qëndrueshëm të infrastrukturës;

– përmirësimin e eko-sistemit inovativ dhe të nxisë krijimin e bizneseve.

Përmes këtyre marrëveshje parterët financiarë ndërkombëtarë konfirmojnë edhe një herë mbështetjen e qeverisë shqiptarë për reformat që po ndërmerr në dobi të përafrimit të procesit të integrimit me BE-në, si dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit në terma afatmesme dhe afatgjata.