Postuar më: 01/11/2018

Momenti për valën e dytë të reformave. Rritja ekonomike po përshpejtohet

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Konferencën e Bankës së Shqipërisë “Politika Monetare, Integrimi Ekonomik dhe Normaliteti i Ri”

Ahmetaj: “Momenti për valën e dytë të reformave. Rritja ekonomike po përshpejtohet”

 

I nderuar z. Kryeministër,

I nderuar Guvernator,

I dashur Erik,

Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë sot të përshëndes konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë, e cila tashmë është kthyer një platformë të konsoliduar, prestigjioze dhe e rëndësishme për të shkëmbyer mendime dhe pikëpamje me ekspertë ndërkombëtarë të ekonomisë mbi temat e rëndësishme të zhvillimit të vendit.

Kriza financiare e vitit 2008 pati një impakt madhor mbi ekonominë globale saqë është bërë normale t’i referohemi gati si epokave të ndryshme “para dhe pas krizës”. Fakti është që shumë aspekte të aktivitetit ekonomik kanë ndryshuar rrënjësisht pas vitit 2008, qofshin këto nga pikëpamjet e infrastrukturës financiare globale apo të sjelljes së aktorëve ekonomikë, si institucionalë, ashtu edhe individëve.

Efektet e krizës së 2008-ës u transmetuan në ekonomi të ndryshme përmes kanalesh të ndryshme. Shqipëria fatmirësisht nuk u përfshi në një recesion “klasik” pas krizës së 2008-ës, por degradimi i performancës së aktivitetit ekonomik u shfaq vit pas viti duke kulmuar në gjendjen e vitit 2012 dhe 2013, 2012-ta kur Shqipëria konsiderohej në kulmin e varfërisë së vet dhe në 2013-ën kur situata e financave publike dhe ekonomike ishte në atë gjendje që edhe na surprizoi, edhe nuk na suprizoi, kur skanuam realitetin.

Ne jemi sot patjetër në një realitet të ri;  ekonomia shqiptare e ka lënë pas vitin e vështirë 2013 dhe pasojat që eventualisht do të shihnim dhe ndjenim të gjithë, nga punonjësit publikë, tek pensionistët, shtresat në nevojë, bizneset, bankat e kështu me radhë, e sigurisht e fatmirësisht që për shkak të përgjegjshmërisë së qeverisë dhe të gjithë aktorëve, duke përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë, kriza greke u la pas. Kriza greke tani është kthyer në një përrallë të së kaluarës.

Në 2013-ën nuk ishte aspak një përrallë, ishte një realitet i mundshëm dhe unë përfitoj në çdo rast të tillë të përmend fjalët e kryeministrit në prezantimin e programit të qeverisë në 2013-ën, në shtator, “përpara kemi një shkëmb, mbrapa kemi një gropë”, që do të thotë se kishim vetëm një rrugë dhe atë rrugë tashmë ne, ju, qyetarët, e kanë parë, e kanë provuar mes dhimbjesh, reformash, suksesesh duke lënë gropën mbrapa dhe shkëmbin praktikisht të thërrmuar.

Ekonomia shqiptare rritet në nivelet 4%. Gjithkush thotë a mjafton? Ky është një debat që nuk ka për të mbaruar kurrë. 4% nuk mjafton, 7% mbase nuk do të mjaftonte, 10% ndoshta për të konverguar sa më shpejt me nivelin e Bashkimit Europian nuk do të mjaftonte, por kur e krahason me 0.8% të 2013-ës apo me riskun e një kolapsi total, sigurisht që 4 është katër herë më shumë dhe vitin tjetër Shqipëria parashikohet 4.3%, që mendohet të jetë më e larta në rajon.

Rritja ekonomike është mbështetur në mënyrë të balancuar si tek konsumi i popullatës, ashtu edhe tek investimet në ekonomi. Shtimi i aktivitetit ekonomik, ndryshe nga sa ndodhte në vitet para 2013-ës, është shoqëruar më në fund me rritje punësimi. Unë sërish nuk do të ndalem asnjëherë së përsërituri dhe besoj që çështja e punësimit është çështja më e rëndësishme e diskutimit mes qeverive dhe aktorëve të tjerë në ekonomi.

Në vitin 2018, Investimet e Huaja direkte presim që të jenë përsëri në nivele të kënaqshme dhe më besoni që të paktën në aspektin nominativ do të jenë shifra rekord.

Nuk ishte e lehtë të vinim në këtë realitet të sotëm ekonomik. Qeveria Shqiptare ndërmori një sërë masash të guximshme dhe jo të lehta për të evituar situatën e vështirë ku ndodhej vendi në vitin 2013.

Në vitin 2013, po të njëjtët aktorë, kuptohet me emra të ndryshëm, kanë diskutuar se si do të tejkalohej kriza, ndërsa këtu sot flitet a po kalojmë në një politikë normale monetare apo instrumente të tjerë ekonomikë që kanë të bëjnë me nivelin e dytë të reformave dhe kanë të bëjnë me kërcimin e dytë të rritjes ekonomike.

U reformua tërësisht sektori energjetik i cili ishte totalisht në kolaps, u ndërhy në reformën e pensioneve për të shndërruar skemën në një projeksion të qëndrueshëm, reforma administrativo-territoriale reduktoi nga 374 njësi, në 61 njësi. Duket si aritmetikë e thjeshtë, në fakt ka qenë një ushtrim politik dhe administrativ tejet i guximshëm dhe i vështirë, si dhe reforma në arsimin e lartë etj.

Sigurisht këtu nuk mund të lë pa përmendur reformën e financave publike, së bashku me FMN, Bankën Botërore, Komisionin. Sot ne numërohemi në vendet me transparencë të kënaqshme, të lartë, në financat publike.

Vlen të përmendim se në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë (BB, FMN, EBRD) zhvilluam një Reformë të gjerë të modernizimit të sistemit financiar në vend. Viti 2016, shumëkush këtu e mban mend, ka qenë një vit debatesh përsa i përket reformës në sistemin financiar. Gjatë mandatit të shkuar u rishikuan ligjet e “Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare”, u shtuan kapacitetet e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, u miratua ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”. U ndërmor një strategji e plotë për uljen e nivelit të kredive me probleme që kërkoi nga ndryshimi i Kodit Civil, e deri në ndryshimin e tarifave të shërbimit të përmbarimit. Sot, Non Performing Loans, pra kreditë me probleme, kanë shkuar nga 24% në vitin 2014 në 13.3% në 2018 dhe vazhdojnë të ulen.

Falë këtyre ndërhyrjeve, nga më domethënëset në sistemin financiar Shqiptar, sot sistemi është shumë më i sigurt dhe më i pajisur me mjete për të përballuar situata të vështira. Aktualisht sistemi është likuid dhe po kap nivelet e profitabilitetit përpara krizës.

Dje ka dalë dhe raporti “Doing Business”. Një nga elementët që ka përmirësuar pozicionin e Shqipërisë me dy vende, duken pak, po në fakt është shumë punë mbrapa, është edhe reforma financare, një nga elementët e reformës financiare.

Reforma e Menaxhimit të Financave Publike, e asistuar gjithashtu nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Europian, rishikoi pjesën dërrmuese të kuadrit legjislativ të financave publike (Ligjin e Huamarrjes, Ligjin e Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit, Ligjin Organik të Buxhetit etj).

Për sa i përket politikës fiskale, Qeveria e Shqipërisë është e vendosur për të vazhduar konsolidimin fiskal derisa niveli i borxhit publik të arrijë në nivele të pranueshme për një vend si i yni dhe debati se sa është i pranueshëm borxhi publik për Shqipërinë, gjithmonë diskutimi fillon nën 50 % të Prodhimit të Brendshëm.

Tashmë faktet dhe shifrat janë gjykuesi më i mirë i paketës së reformave të ndërmarra.  Borxhi publik është në një trajektore rënëse për të tretin vit radhazi dhe buxheti afatmesëm i prezantuar tashmë shpreh qartësisht synimin tonë për uljen e tij edhe në vitet në vazhdim. Sot borxhi publik është në nivelin e 68.9% ndërsa bilanci primar parashikohet për të katërtin vit radhazi të jetë pozitiv, për vitin 2019 projektuar në nivelin suficit  +0.5% të Prodhimit të Brendshëm.

Paketa e reformave tashmë e ka dhënë ndikimin e saj në ekonominë e vendit jo vetëm në adresimin e problematikave të evidentuara, por edhe në shtimin e besimit të aktorëve ekonomikë. Shtimi i konsumit në ekonomi, mbajtja e një niveli të lartë të investimeve të huaja direkte, shtimi i pranisë së ndërmarrjeve të huaja në vend si dhe operacioni i suksesshëm i fundit i emetimit të Eurobondit, qartësisht tregojnë për një besimin në rritje në ekonominë tonë.

Ndonëse vendi po rritet me një nga ritmet më të larta të rajonit, përsëri ne jemi të bindur se ka ende hapësira të reja për ta shtuar atë. Një nga qëllimet kryesore të daljes në Eurobond, përpos menaxhimit të borxhit dhe të likuiditetit, ka qenë edhe krijimi i hapësirës së tregut të brendshëm në kreditim, ku me keqardhje mund të them që sistemi bankar akoma nuk po i përgjigjet rritjes dhe sfidës së rritjes ekonomike të vendit. Rritja e kredisë për biznesin ende mbetet e moderuar dhe nuk po luan plotësisht rolin që ka në ekonomi. Besojmë se pas hapave të shumta që Qeveria ka marrë, së bashku me Bankën e Shqipërisë, për të lehtësuar sistemin bankar, është koha që ky sektor të kryejë një nga funksionet e tij kryesore në rialokimin e kapitalit përtej pozicioneve të ekspozuara që ka me qeverinë.

Jam i bindur se pas kreditimit të mjaftueshëm, ritmet e rritjes kanë potencialin për t’iu kthyer vlerave të para vitit 2008, duke pasur një impakt të rëndësishëm në jetën ekonomike të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Prandaj duhet patjetër që të gjithë aktorët të punojmë së bashku, si partnerë të mirë për të përshkuar një rrugë të gjatë, të vështirë por të sigurt në suksesin e saj.

Ne jemi të ndërgjegjshëm se nuk e kemi luksin për të ndaluar ritmin e reformave në vend. Do ju sjell një moment nga një mbledhje qeverie para dy javësh, kur në diskutimin e zakonshëm që bën qeveria, Kryeministri parashtroi të gjithë atë që ne presim përpara si kabinet apo edhe si mazhorancë dhe po përfitoj nga rasti për ta thënë këtë, “ka ardhur koha për ritmin e dytë të reformave, ka ardhur koha për valën e dytë të reformave në vend”. Një vend dështon pas suksesit të parë të reformave nëse ndalon dhe tenton të shijojë atë që ka arritur në një mandat apo në disa vite, dhe kjo nuk është kjo mazhorancë, nuk është kjo qeveri. Ndërkohë, procesi i hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian është një sfidë shumë e rëndësishme politike dhe administrative.

Këto sfida mbeten prezente edhe në kuadër të një ambienti më të paparashikueshëm ndërkombëtar, që nga zhvillimet e fundit politike, nga ato që po ndodhin me financat publike e jo vetëm në ekononinë Italiane, me atë që ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me tendencën për rritje të interesave. Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me drejtimin e Bankës Qendrore Europiane dhe mund të jetë një gjerman, mund të jetë një hollandez, por sigurisht që politikat do të kenë reflektimin e tyre të ndryshuar.

Qeveria shqiptare e ka treguar tashmë gatishmërinë për të ndërmarrë masat e nevojshme për të përmirësuar produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë së vendit, për ta përgatitur atë për të operuar në tregun e përbashkët. Mbetemi të fokusuar për të nxitur përdorimin optimal të faktorëve të rritjes për t’u përballuar me sfidat që cënojnë rritje dhe maksimalizojnë përfitimet që sjell integrimi.

Duke e mbyllur i uroj konferencës sukses dhe një sesion të fryshëm në diskutimet që vijojnë.

Faleminderit.