Postuar më: 11/09/2019

Ministrja Denaj takohet me përfaqësues të BERZH, në fokus bashkëpunimi për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, zhvilloi një takim me përfaqësues të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të kryesuar nga znj. Zsuzsanna Hargitai, Drejtore Rajonale për Ballkanin Perëndimor dhe z. Matteo Colangeli, përfaqësues i BERZH-it për Shqipërinë.

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi Strategjinë 5-vjeçare të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Shqipëri, bashkëpunimin në fushat e përbashkëta të interesit dhe në koordinimin e angazhimit të qeverisë dhe BERZH-it për zhvillimin e sektorëve prioritarë në vend.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi me BERZH-in, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përmirësimit të klimës së biznesit; forcimit të kapaciteteve të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme; avancimit teknologjik dhe edukimit financiar; si dhe zhvillimit të sektorit energjetik.

Ministrja Denaj falënderoi BERZH-in për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë, duke e konsideruar atë një partner të rëndësishëm në ecurinë pozitive të reformave drejt një rritje ekonomike të qëndrueshme.