Postuar më: 06/09/2019

Ministrja Denaj: Reformat kanë ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit

Reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare kanë ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit. Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, gjatë aktivitetit të zhvilluar për prezantimin e Indeksit të Politikave të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme 2019 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, nga OECD.

Ministrja theksoi se qeveria shqiptare është angazhuar prej disa vitesh, në zbatimin e reformave për konsolidimin e stabilitetit makroekonomik në vend, të cilat kanë bërë të mundur që në vitin 2018, Shqipëria të shënojë rritje ekonomike prej 4.3%, më të lartën e 10 viteve të fundit, si dhe një shkallë të ulët papunësie prej 12.3%.

Duke pasur parasysh faktin se rreth 99.8% e kompanive në Shqipëri janë Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, Ministrja tha se, kjo e vendos qeverinë përpara një përgjegjësie shumë të madhe të reformave që ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë në të ardhmen.

Gjithashtu, Ministrja përmendi disa nga lehtësitë që ofrohen sot për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, si mbështetja buxhetore nëpërmjet fondeve që menaxhohen nga AIDA, por edhe përfitimet nga projekte që ofrohen me mbështetjen e donatorëve, si BE, GIZ apo BERZH.

Duke iu referuar rezultateve të raportit të OECD, Ministrja Denaj tha se ato do të shërbejnë si nxitje për qeverinë shqiptare në hapat që do të ndërmerren në të ardhmen për përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të të bërit biznes.

“Shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që të jemi më afër biznesit të vogël dhe të mesëm në veçanti, për të krijuar një klimë jo vetëm më të mirë dhe të përshtatshme biznesi, por dhe për të stimuluar me politika shtesë nevojat e tyre për zhvillim në të ardhmen, dhe që këto indekse në vlerësimin e tyre të radhës të jenë më pozitive”, u shpreh znj. Denaj.

 

Fjala e Ministres Denaj:

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Të ndëruar përfaqësues dhe kolegë të OECD-së,

Së pari dëshiroj t’ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë lançim kombëtar të Indeksit të  Politikave të Ndërmarrjeve të vogla dhe të Mesme 2019 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, si dhe për ekipin që ka punuar për këtë raport, për gjetjet dhe rekomandimet, për të përcaktuar më tej hapat konkretë që qeveria shqiptare do të ndjekë, për të përmirësuar treguesit në të ardhmen.

Qeveria Shqiptare është angazhuar prej vitit 2013 për konsolidimin e stabilitetit makroekonomik, rritjen e punësimit, zhvillimin e infrastrukturës, zhvillimin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por jo vetëm. Duke synuar një reformë gjithëpërfshirëse në disa aspekte, realizoi në vitin 2018 tregues shumë të mirë makroekonomikë, duke filluar nga rritja ekonomike me treguesin më të lartë në 10 vitet e fundit, 4.3 % ritëm rritjeje dhe një shkallë të ulët papunësie në 12.3%, i cili duket që ka tendencën ulëse edhe në tremujorin e parë të këtij viti, ku u shënua 12.1 %.

Rreth 99.8% e kompanivë në Shqipëri janë SME dhe kjo e vë qeverinë shqiptare përpara një përgjegjësie shumë të madhe të të gjitha reformave që ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë në të ardhmen.

Së pari, reforma e deregulimit: 99,5% e shërbimeve për taksapaguesit janë dixhitalizuar dhe 100% e kompanive përdorin online sistemin sot. Nga muaji prill 2018, platforma e-Albania mundëson regjistrimin online të ndërmarrjeve, si dhe kryerjen e të gjitha pagesave në mënyrë elektronike.

Për ato biznese që kanë marrëdhënie me Doganat, Dogana “paperless” është jo më pak e rëndësishme për tu përmendur në këtë reformë deregulimi apo dixhitalizimi, pasi 93% e deklaruesve nuk takojnë më asnjë punonjës por vetëm sistemin on line, ku mund të operojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sigurisht që mund të ketë ende shumë kritika në raport me pikat doganore në kufi, me orët e gjata, por ne jemi pjesë e një marrëdhënieje dhe një marrëveshjeje më të gjatë dhe më të gjerë, ajo e CEFTA-s dhe besojmë që në mbledhjen me të afërme, atë të dhjetorit, të realizojmë marrëveshjen brenda kuadrit MAP REA dhe të realizojmë që edhe këto procese të adresohen në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mbështetja për zhvillimin e SME-eve nuk ndodh vetëm me procese automatizimesh, por njëkohësisht edhe me mbështetje financiare, ashtu edhe me donacione, të cilat fatmirësisht ne nuk na kanë munguar dhe falënderoj të gjithë donatorët që kanë gjetur mënyrën dhe formën për të na ndihmuar në disa komponentë, duke filluar nga donacionet për të mbështetur rritjen e inovacionit në SME, si GIZ me ProjektIdea, projekti “EU for Innovation”, por edhe me ndihmën buxhetore për të rritur më tej konkurrencën nëpërmjet mbështetjes që jep AIDA.

Njëkohësisht, është shumë i rëndësishëm aksesi në financë, ku ka ende shumë për të bërë, por nuk mund të lë pa përmendur projekte të rëndësishme të mbështetura nga Bashkimi Europian, si COSME; RCGF mbështetur nga KfW; AASF mbështetur nga EBRD, tre projekte të cilët ndihmojnë bizneset e vogla dhe të mesme të aksesojnë sistemin financiar në një komponent shumë të rëndësishëm, kolaterali që shpesh herë vjen me problematika dhe i munguar, ose në mungesë ekzistence të plotë të tij, ose kur dokumentet nuk janë të gjitha proporcionale siç i kërkon sistemi bankar.

Në ndihmë të SME-ve janë edhe ngritja e kapaciteteve të brendshme. Prej vitit 2019, moduli i sipërmarrjes është përfshirë në kurrikulat e arsimit profesional, në përputhje me kërkesat e tregut.

Mendojmë që në arsimin profesional kemi shumë ende për të bërë dhe këtu mund të mendojmë jo vetëm rritjen e bashkëpunimit të bizneseve SME me shkollat tona profesionale dhe me zyrat e punës, që është një platformë që ne do të donim ta zhvillonim më shumë në të ardhmen e të shikonim frytet e tij sikurse shumë vende të BE sot i shijojnë, por edhe të shikonim mundësinë që komponentë të ndryshëm të donatorëve të zhvillonin, sidomos në ngritjen e kapaciteteve të qeverisjes më të mirë në këto ndërmarrje SME, duke filluar nga mbështetja që mund të jepet në aspektin e pasqyrave financiare, por jo vetëm, edhe të menaxhimit efektiv të këtyre ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për t’i bërë gati për gjithë sfidat në vijim.

Një reformë tjetër shumë e rëndësishme është ajo e investimeve, ku Shqipëria jo vetëm është angazhuar të zhvillojë një reformë në kuadër të zbatimit të MAP REA, duke u fokusuar në hartimin e një ligji të ri dhe në rishikimin e BITs (44 Marrëveshjeve bilaterale të investimeve), por sikurse e kam lançuar edhe më herët, ne jemi duke përfunduar fazën finale të konsultimit publik për Ligjin e Unifikuar të Investimeve, nga i cili do të ketë përfitime konkrete në:

  • rrjedhjen e kapitalit shtesë;
  • krijimin e vendeve të reja të punës;
  • transferimin teknik dhe menaxherial të dijeve, etj.

Së fundmi më lejoni të falënderoj ekipin e OECD për këtë raport, të cilin unë e lexoj pozitivisht dhe si një raport nxitës për ne, edhe për biznesin që është aktori kryesor, me përpjekjet e tij të shumta për përmirësime në një klimë që gjithmonë synohet të jetë më e përmirësueshme, por që ka sfidat e veta, ku indikatorë si të mësuarit rreth sipërmarrjes dhe sipërmarrja e grave në veçanti kanë tregues pozitivë, apo shërbimet mbështetëse dhe aftësia e ndërmarrjeve janë tregues që kanë pasur edhe vlerësimin më të lartë.

Njëkohësisht shpreh dhe angazhimin e qeverisë shqiptare, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që të jemi më afër biznesit të vogël dhe të mesëm në veçanti, për të krijuar një klimë jo vetëm më të mirë dhe të përshtatshme biznesi, por dhe për të stimuluar me politika shtesë nevojat e tyre për zhvillim në të ardhmen, dhe që këto indekse në vlerësimin e tyre të radhës të jenë më pozitive.

Faleminderit.