Postuar më: 03/07/2019

Ministrja Denaj: Prodhimet shqiptare të standardizuara sipas kritereve të BE

Gjatë një vizite në mjediset e kompanisë “Kraco”,  Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, evidentoi ritmin pozitiv të rritjes së eksporteve në zërin e ushqimeve dhe pijeve në fillim të këtij viti, në katër mujorin e parë të vitit 2019. Konkretisht, për këtë 4-mujor ritmi i rritjes për këtë zë llogaritet me masën e 17.8% krahasuar me një vit më parë.

Sektori i eksporteve në veçanti në sektorin e ushqimeve dhe pijeve, është një potencail shumë i madh i zhvillimit ekonomik që ndikon si në rritjen e punësimit,  të treguesve të të ardhurave, por edhe një prezantim shumë i mirë i Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.

Ministrja Denaj tha se, për këtë ritëm meritë ka menaxhimi efektiv nga vetë bizneset dhe sigurisht edhe mbështetja që  në sektorë të caktuar ka dhënë qeveria shqiptare. Kanë qënë vetë iniciativat e bizneseve për pjesëmarrjen në panaire, të cilat së bashku edhe me ndihmën e AIDA-ës mund të intensifikohen më shumë në vitet në vijim. Në këtë aspekt është e rëndësishme të shikojmë sesi biznesi prodhues ose sektori prodhues të gjejë më tepër hapësirë në panairet ndërkombëtare me mbështetjen e AIDA-ës në vijim.

Sipas sipërmarrësit Sokol Kraja, prodhimet e kësaj kompanie janë të një cilësie të lartë. Ato gjenden sot në shumë tregje europiane, por mbi të gjitha janë produkte të cilat janë të çertifikuara. Vetëm pak kohë më parë nga kjo kompani ka marrë çertifikatën IFS, International Food Standard, e cila është çertifikata më e lartë që ekziston në fushën e ushqimit dhe është e vetmja kompani në Shqipëri që e ka marrë këtë çertifikatë për këtë standard.

Ndërkohë, zoti Kraja thekson se për të rritur prodhimin dhe mbi të gjitha për të realizuar një incentivë për blerjen e lëndës së parë në vend, ka nevojë për të realizuar proçesin e sterilizimit, pastrimit dhe pasurimit në Shqipëri dhe jo në Gjermani që e kryen aktualisht. Që kjo të ndodhë, kërkohet një investim për standardet ndërkombëtare në vlera të konsiderueshme, të cilat janë pjesë e formatit të aplikimit në skemat IPARD dhe me mbështetjen që AZHBR-ja do t’i japi dhe fondet nga  skemat e mbështetjes së garancisë, do t’i japin biznesit në të ardhmen që ky investim prej dy deri në tre million euro të realizohet dhe të mundësojë që të zhvillojë një zjnxhir të tërë vlerash në ekonomisë agroindustriale, duke filluar nga blerja e lëndës së parë në vend  të disa produkteve, siç është molla, bimët medicianle, produktet e tjera të cilat janë pjesë e komponentit të produkteve të tij finale dhe të mundësojë zhvendosjen e blerjes nga importi me blerjen në vend.

Ministrja Denaj theksoi edhe njëherë rëndësinë që ka prodhimi vendas, i cili jo vetëm siguron rritje ekonomike të qëndrueshme, siguron punësim të qëndrueshëm, por mbi të gjitha siguron një reklamim të produkteve “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare. Ky është synimi afatgjatë që kanë edhe disa kompani të tjera, të cilat në momentin që kalojnë elementin e konkurrueshmërisë dhe të cilësisë janë të denja të konkurrojnë me të gjithë kompanitë evropiane në rajon dhe më gjerë.