Postuar më: 29/10/2019

Ministrja Denaj prezanton Strategjinë e Rishikuar të Financave Publike 2019-2022

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, lançoi sot Strategjinë e Rishikuar të Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022, në një aktivitet të organizuar nga MFE me mbështetjen e Projektit të AT-MFP financuar nga BE, ku të pranishëm ishin përfaqësues të Delegacionit të BE në Tiranë, përfaqësues të ministrive të linjës dhe institucioneve ndërkombëtare që mbështetën hartimin e strategjisë dhe zbatimin e reformës për financat publike.

Puna disa mujore për rishikimin strategjisë, e cila vjen me një strukturë të re, ka nisur me proçesin e vlerësimit afatmesëm të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, për të vlerësuar ecurinë e reformës gjatë periudhës Qershor 2015- 2018.  Ajo siguron një qasje të harmonizuar të kuadrit strategjik dhe mundëson monitorimin bazuar tregues të matshëm, në bazë të arritjeve të rezultateve.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, pasi falënderoi të gjithë ata që kontribuan në rishikimin e Strategjisë, shprehu bindjen se Strategjia qëndron në themel të një reforme po aq të rëndësishme për Shqipërinë, siç është ajo e  drejtësisë.

“Sepse kjo është një reformë për një ekonomi më të fortë dhe shërbime të përmirësuara për qytetarët. Ajo rrit përgjegjshmërinë, transparencën, eficencën dhe disiplinën fiskale në planifikimin dhe shpenzimin e fondeve publike. Kjo strategji synon të vendosë standarde të reja që kontribuojnë në një proces sa më transparent të planifikimit dhe të shpenzimit të fondeve publike”, u shpreh znj. Denaj.

Përmes kësaj Strategjie, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë mundëson: buxhetimin gjinor, si një përpjekje konkrete për të rritur mundësitë e barabarta mes burrave dhe grave në zhvillimin e vendit dhe transformimin shoqëror; i mundëson pushtetit vendor ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët dhe në mënyrë më transparente; u mundëson qytetarëve të thonë fjalën e tyre për panifikimin dhe shpenzimin e parave publike.

Ministrja theksoi gjatë fjalës së saj se Strategjia, e cila mbështetet në shtatë objektiva specifikë, Plani i Veprimit dhe Rezultatet e Matshme, do të jenë një udhërrëfyes për: Reduktimin e borxhit publik; shlyerjen dhe parandalimin e detyrimeve të prapambetura; mobilizimin e vazhdueshëm për mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore; sigurimin e një lidhjeje më të mirë të planeve strategjikë me Programin e Buxhetit Afatmesëm; një angazhim më të strukturuar dhe në kohë me qytetarët, me organizatat e shoqërisë civile dhe me akademinë në planifikimin, monitorimin dhe raportimin e buxhetit; rritje e përpjekjeve për të përmirësuar shkallën e zbatimit të rekomandimeve dhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian, z. Mario Mariani, vlerësoi progresin e bërë në rishikimin e Strategjisë sa i përket forcimit të elementëve të llogaridhënies, transparencës dhe eficencës. Reforma në menaxhimin e financave publike, theksoi z. Mariani, duhet parë e lidhur ngushtësisht edhe me reformën në administratën publike, përmes së cilës synohet institucione të forta dhe shërbime më të mira për qytetarët shqiptarë.

Përfaqësuesja e FMN-së, znj. Linda Spahia, theksoi rëndësinë e menaxhimit ekeftiv të financave publike, në mënyrë që politikat fiskale të japin efektet e tyre në praktikë.

Nga ana e saj, ekspertja e Bankës Botërore, znj. Hilda Shijaku, u shpreh se Banka Botërore mbetet një partner në reformën e menaxhimit të financave publike dhe vuri theksin në disa prej sfidave që duhet të përballohen nga institucionet shqiptare.

Përfaqësuesi i SECO, Ambasada Zviceriane, z. Patrik Meier, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria sa i përket konsolidimit fiskal dhe përmirësimin e financave publike, ku rezultate të prekshme vërehen në uljen e borxhit apo zbatimin dhe raportimin e buxhetit. Strategjia e rishikuar e financave publike, tha z. Meier, tregon angazhimin e qeverisë për vazhdimin e konsolidimit fiskal.

Gjatë  aktivitetit, Ministrja Denaj dhe përfaqësuesi i BE, z. Mario Mariani, prezantuan tre fituesit e Çmimeve të Thirrjes për Artikullin më të mirë mbi reformën në financat publike.

 

Fjala e Ministres Denaj:

I nderuar Mario, Të nderuar përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri,

Të nderuar përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar,

Të nderuar përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian,

Të nderuar përfaqësues të Ambasadës Zviceriane,

Të nderuar përfaqësues të USAID,

Të nderuar përfaqësues të UNDP,

Të nderuar pjesëmarrës të Organizatave të Shoqërisë Civile,

Të nderuar pjesëmarrës,

Jo pa qëllim përmenda një listë të gjatë të ftuarisht jo vetëm për të uruar mirëseardhjen por për të shprehur që në fillim të këtij prezantimi mbështetjen që gjithë këto organizata i kanë dhënë këtij projekti shumë të rëndësishëm. Një falënderim të veçantë për të gjithë ju dhe ekipin e Ministrisë së Financave që ariti të bënte të mundur një avancim të rëndësishëm në një reformë shumë të rëndësishme për Shqipërinë.

Kam kënaqësinë të prezantoj sot Strategjinë e re të Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022, e miratuar së fundmi, një sukses i arritur bashkërisht, duke shprehur bindjen se kjo strategji qëndron në themel të një reforme po aq të rëndësishme për Shqipërinë, siç është ajo e  drejtësisë.

Pse? Sepse kjo është një reformë për një ekonomi më të fortë dhe shërbime të përmirësuara për qytetarët. Ajo rrit përgjegjshmërinë, transparencën, eficencën dhe disiplinën fiskale në planifikimin dhe shpenzimin e fondeve publike.

Kjo strategji synon të vendosë standarde të reja që kontribuojnë në një proces sa më transparent të planifikimit dhe të shpenzimit të fondeve publike. Përmes saj, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë mundëson:

  • buxhetimin gjinor, si një përpjekje konkrete për të rritur mundësitë e barabarta mes burrave dhe grave në zhvillimin e vendit dhe transformimin shoqëror.
  • i mundëson pushtetit vendor ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët dhe në mënyrë më transparente.
  • u mundëson qytetarëve të thonë fjalën e tyre për panifikimin dhe shpenzimin e parave publike.

Puna për rishikimin e kësaj strategjie ka nisur vitin e kaluar, kur Ministria e Financave dhe e Ekonomisë ndërmori proçesin e vlerësimit afatmesëm të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, për të vlerësuar ecurinë e reformës për gjatë periudhes 2015-Qershor 2018 dhe për të arritur në një proces, i cili sot prezantohet te ju.

Është bërë një punë shumë intensive për të ardhur sot me një dokument të ri strategjik, të cilin kam kënaqësinë ta prezantoj dhe ta ndaj nëpërmjet mediave edhe me qytetarët shqiptarë që na ndjekin nëpërmjet ekranit.

Më lejoni të nderuar pjesëmarrës, që të bëj një përmbledhje të shkurtër të këtij se çfarë ka në thelb kjo strategji dhe pse erdhi nevoja e ndryshimit.

Së pari, nga gjashtë objektiva specifikë apo ish-shtylla që ka patur strategjia e kaluar 2014-2020, strategjia e re do të këtë shtatë shtylla. Kemi ristrukturuar shtyllën e tretë Ekzekutimi i Buxhetit, duke e ndarë në dy objektiva specifike. Kjo shtyllë ka qënë komplekse dhe largonte vëmendjen nga nje shtylle shume e rendesishme siç është mobilizimi i të ardhurave. Tani këto dy shtylla do të marrin vëmendjen e duhur duke saktësuar se:

  • njëri objektiv që synon mobilizimin e të ardhurave të brendshme nëpërmjet përmirësimit të Administratës Tatimore dhe Administratës Doganore;
  • objektivi tjetër vendos një fokus për rritjen e efikasistetit në ekzektimin e buxhetit.

Së dyti dhe shumë e rëndësishme: Rishikimi afatmesëm i Strategjisë dhe i Planit të Veprimit ishte një domosdoshmëri, si një rishikim që synon përshtatjen me një mjedis dinamik. Synim ishte ndryshimi i orientimit të përqasjes nga aktivitete dhe prioritete në arritje dhe rezultate, edhe si rezultat i vlerësimeve të bëra nga partnerët ndërkombëtarë. Ndryshimet vijnë gjithashtu me objektivin për të krijuar përputhshmëri me modelet e suksesshme të Strategjive, që përdor Qeveria Shqiptare sot.

Së treti, kemi bërë një rishikim të indikatorëve. Këto indikatorë matës së Efektivitetit do të rrisin dhe efektivitetin e Strategjisë. Kemi kërkuar të kalojmë në indikatorë, të cilët na lejojnë të masim në kohë reale edhe përmes sistemeve, ecurinë e financave publike. Në këtë formë dhe përmes identifikimit paraprak të problematikave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë mund të vlerësojë në vazhdimësi masat e marra, politikat në realizim e për rrjedhojë të bëjë rishikimet e nevojshme në kohën e duhur.

Indikatorët Kyç të Përformancës në këtë dokument strategjik do të shërbejnë si një hartë e financave publike, ku ne vlerësojmë ekonominë përmes indikatorëve sasiorë (nivelin e deficitit, të borxhit publik etj.)  dhe vlerësojmë proceset e përvitshme përmes indikatorëve cilësore.

Strategjia, Plani i Veprimit dhe Rezultatet e Matshme do të jenë një udhërrëfyes për:

  1. Reduktimin e borxhit publik;
  2. Shlyerjen dhe parandalimin e detyrimeve të prapambetura;
  • Mobilizimin e vazhdueshëm për mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore;
  1. Sigurimin e një lidhjeje më të mirë të planeve strategjikë me Programin e Buxhetit Afatmesëm;
  2. Një angazhim më të strukturuar dhe në kohë me qytetarët, me organizatat e shoqërisë civile dhe me akademinë në planifikimin, monitorimin dhe raportimin e buxhetit;
  3. Gjithashtu, synohet rritja e përpjekjeve për të përmirësuar shkallën e zbatimit të rekomandimeve dhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sot në këtë takim përmbyllës të këtij procesi kaq të rëndësishëm, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dëshiron edhe njëherë të falënderojë Organizatat e Shoqërisë Civile për angazhimin e tyre gjatë hartimit të strategjisë, të cilat kanë mundur të japin kontributin e tyre nëpërmjet Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Kosultimet publike gjatë muajit Korrik.

Përfitoj nga rasti që t’i ftoj të gjithë Organizatat e Shoqërisë Civile të bëhen pjesë e procesit edhe në fazën e monitorimit të zbatimit të strategjisë së re. Shpresojmë në angazhimin dhe në pjesëmarrjen Tuaj aktive, si një partner kryesor që mund të përmirësojë cilësinë e kësaj reforme.

Shqipëria po ndërmerr reforma të rëndësishme, të cilat sigurisht kanë nevojë për kohën e tyre dhe jemi falënderues që në gjithë këtë proces nuk jemi vetëm. Kjo strategji është një dëshmi për nevojën e bashkëveprimit të të gjitha hallkave dhe të gjithë aktorëve dhe është një histoi suksesi.

Prandaj, në emër të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ju falënderoj të gjithëve, jo vetëm për pjesëmarrjen tuaj, por për të gjithë rrugëtimin që kemi bërë deri më sot dhe atë që na pret në vijim.

Faleminderit!