Postuar më: 24/05/2019

Ministrja Denaj: Politika fiskale që ndihmojnë dhe incentivojnë fermerin dhe vetëpunësimin

“Formalizimi dhe zhvillimi i bujqësisë, bashkëveprim mes qeverisë- institucioneve financiare dhe fermerit”

Gjatë një vizitë në qarkun e Beratit, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar (AASF) me temë “Zgjidhje Inovative për Financimin e Bujqësisë dhe Agrobiznesit Shqiptar”.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, përfaqësues nga BERZH, fermerë dhe sipërmarrës të agrobiznesit në qarkun e Beratit.

Në fjalën e saj në këtë takim, Ministrja Anila Denaj tha se Qeveria, së bashku me partnerë të rëndësishëm të vendit, ka mbështetur sektorin e bujqësisë me një sërë programesh mbështetëse të cilat kanë si qëllim nxitjen dhe zhvillimin e sektorit.

Më konkretisht, programi AASF synon të motivojë institucionet financiare të financiare në zinxhirin e vlerës së agrobiznesit nëpërmjet programeve të financimit dhe asistencë teknike; duke siguruar që qasja në financa për sektorin e agrobiznesit të mundësohet në dy mënyra: linjë kredie dhe / ose shpërndarjen e riskut të portofolit për institucionet mikrofinanciare (IMF) dhe bankat.

“Institucionet përfitojnë nga një mbulim i parë i rrezikut të humbjeve që u vihet në dispozicion nga Qeveria Shqiptare. Vlera totale e kontributit nga BERZH dhe Qeveria Shqiptare mundësuar për garancinë e kolateralit në total arrin vlerën 180 milion euro. Përfituesit përfundimtarë të AASF janë fermerët, sipërmarrësit dhe kompanitë që janë të angazhuar në prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore, prodhimin dhe tregtinë e pajisjeve bujqësore, logjistikën, ofruesit e shërbimeve të agrobiznesit, tregtarët me shumicë dhe pakicë”, u shpreh znj. Denaj.

Ministrja Denaj theksoi më tej se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e orientuar drejt politikave fiskale që ndihmojnë dhe incentivojnë fermerin dhe vetëpunësimin.

Skema e personave të vetëpunësuar në bujqësi ka bërë që tashmë të ofrojë një mbrojtje për të vetëpunësuarit në bujqësi, duke përfshirë edhe pensionet, barrëlindjen, si dhe vizitat mjekësore dhe kompensimin e çmimit të barnave mjekësore në rast sëmundje.  Kjo skemë është e stimuluar dhe financohet në shuma të konsiderueshme fondesh nga buxheti i shtetit dhe mjafton që fermeri të paguajë kuotën vjetore minimale.

“Për secilin fermer të siguruar, si të vetëpunësuar në bujqësi, në zonat fushore buxheti i shtetit subvencionon 46% të kuotës vjetore dhe për secilin fermer të siguruar, si të vetëpunësuar në bujqësi, në zonat malore buxheti i shtetit subvencionon 59% të kuotës vjetore”, th znj. Denaj.

Një vëmendje i veçantë po i kushtohet tashmë zhvillimit të arsimit profesional, si në investimin në kushtet dhe ambientet mësimore, ashtu edhe në shtimin e degëve profesionale në ndihmë të bujqësise dhe agroturizmit.

Ministrja vuri theksin në lehtësimet fiskale që qeveria ka bërë për sektorin bujqësor, si heqja e TVSH për makineritë dhe pajisjet, lehtësim i barrës fiskale për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (Koperativat), duke reduktuar 3 fish tatim fitimin dhe ulur kufirin 5 milion të skemës së autofaturimit, etj.

Referuar ndryshimeve në Paketën Fiskale të vitit 2019 për sektorin e bujqësisë, Ministrja Denaj tha se duhet të bëhen më shumë përpjekje për të formalizuar infrastrukturën lokale dhe për të patur një ndërlidhje më të mirë mes fermerit dhe agropërpunuesit, në mënyrë që të rritet ekonomia e shkallës.  Znj. Denaj vuri theksin në nevojën për formalizimin e sektorit, në mënyrë që të ketë një zhvillim akoma dhe më të madh të tij.

“Sot është një moment ku ne duhet të bashkëveprojmë më shumë me njëri-tjetrin për të incentivuar këtë sektor, ne si Qeveri nga një anë, Institucionet Financiare dhe vetë fermeri përmes formalizimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të tij – pasi programet dhe partnerët tanë janë të gatshëm për të na asistuar në çdo moment”, tha Ministrja.

 

Fjala e Ministres Denaj:

E nderuar Zj. Zëvendësministre e Bujqësisë,

I nderuar Z. Coliagneli,

Të nderuar pjesëmarrës,

Bujqësia është një sektor i rëndësishëm ekonomik në Shqipëri që gjeneron rreth 20% të PBB-së (krahasuar me mesataren 2% në BE) dhe është burimi kryesor i punësimit në zonat rurale, duke llogaritur rreth 40% të popullsisë së punësuar në këtë sektor (kundrejt 3% në BE). Sfida kryesore mbetet transformimi i bujqësisë nga një sektor prodhues për nevojat lokale në një sektor modern të orientuar drejt komercializimit dhe konkurrueshmërisë së tregut ndërkombëtar.

Ndonëse kushtet klimaterike dhe përbërja e tokës janë të favorshme për zhvillimin e produkteve bujqësore në Shqipëri, sërish sektori karakterizohet nga problematika të shumta. Në zonat rurale, ku ky sektor ka dhe përqëndrimin më të madh, ende vihen re mungesa e investimeve në infrastrukturë dhe burime njerëzore, si pasojë edhe e vakumit në çështje strukturore dhe ligjore.

Në këtë kuadër disa prej sfidave që has bujqësia shqiptare sot, përfshin askpekte si më poshtë:

  • Fragmentim të lartë të tokës së punueshme;
  • Mungesë të inputeve teknologjike, infrastrukturës së shpërndarjes dhe sistemeve të menaxhimit
  • Mospasja e një strategjie marketingu dhe shitjeje të produkteve
  • Pamundësi për të plotësuar kushtet minimale të kredimarrjes siç është kolaterali
  • Mungesa e titujve të pronësisë
  • Infrastruktura e pazhvilluar dhe mungesa e shërbimeve të mbështetjes bujqësore
  • Vakume ligjore

Përveç sfidave të sipërpërmendura strukturore, qasja e kufizuar në financa është një tjetër pengesë për rritjen ekonomike në këtë sektor. Agrobiznesi është shumë i nënvlerësuar nga sistemi financiar kur bëhet fjalë për kredidhënie. Bujqësia përbën vetëm 2% të totalit të kredimarrjes në ekonomi. Arsyet për nivele të tilla të ulëta financimi janë të rrënjosura si në krahun ofertues (bankat dhe institucionet e tjera financiare) ashtu edhe në atë të kërkesës (fermerët dhe agrobizneset).

Institucionet Financiare vendase janë treguar konservatore ndaj kreditimit të sektorit të bujqësisë. Kjo pasi, financimi i këtij sektori mbart rreziqe më të larta, të cilat kërkojnë aftësi specifike për ti menaxhuar dhe kosto të larta operacionale. Si rezultat, bankat nuk kanë investuar përgjithësisht në produkte dhe ekspertiza teknike për të ndërtuar kapacitete efektive agro-kredituese.

Nga ana tjetër, agrobizneset shpesh nuk janë në gjendje të plotësojnë kërkesat e nevojshme për t’u financuar. Mungesa e kolateralit, licencave, planeve të biznesit dhe niveli i përgjithshëm i informalitetit në këtë sektor janë pengesa serioze për marrjen e financimit. Në këtë kuadër lind nevoja për mundësimin e një mekanizmi të integruar i cili do të mund të ndërmjetësonte lidhjen mes burimeve të financimit dhe biznesit që ka nevojë për të.

Në përgjigje të këtyre sfidave me të cilat ballafaqohen agrobizneset shqiptare sot, Qeveria Shqiptare dhe partnerë të tjerë të rëndësishëm të vendit tonë siç janë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bashkimi Evropian, USAID dhe Qeveria Japoneze kanë mbështetur këtë sektor vital me një sërë programesh mbështetëse të cilat po nxisin zhvillimin e këtij sektori.

Përmendim këtu programin AASF, i cili synon të motivojë institucionet financiare të financiare në zinxhirin e vlerës së agrobiznesit nëpërmjet programeve të financimit dhe asistencë teknike;

duke siguruar që qasje në financa për sektorin e agrobiznesit të mundësohet në dy mënyra: linjë kredie dhe / ose shpërndarjen e riskut të portofolit për institucionet mikrofinanciare (IMF) dhe bankat. Institucionet përfitojnë nga një mbulim i parë i rrezikut të humbjeve që u vihet në dispozicion nga Qeveria Shqiptare. Vlera totale e kontributit nga BERZH dhe Qeveria Shqiptare mundësuar për garancinë e kolateralit në total arrin vlerën 180 milion euro.

Përfituesit përfundimtarë të AASF janë fermerët, sipërmarrësit dhe kompanitë që janë të angazhuar në prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore, prodhimin dhe tregtinë e pajisjeve bujqësore, logjistikën, ofruesit e shërbimeve të agrobiznesit, tregtarët me shumicë dhe pakicë.

Një tjetër aspekt është ai ku Agrobizneset mund të përfitojnë gjithashtu nga programi i Këshillimit të BERZH-it për Biznesin e Vogël (ASB) një program i mbështetur nga BERZH, i cili ofron konsulencë për zhvillimin e strategjisë, marketingut, ristrukturimin teknik dhe fushat tjera të zhvillimit institucional nga ekspertët ndërkombëtarë dhe lokalë.

Ndërkohë vlejnë për tu përmendur gjithashtu skemat shumë të suksesshme të IPARD mbështetur nga Bashkimi Evropian, mbështetja e madhe për këtë sektor nga USAID, Qeveria Japoneze, etj.

Sigurisht që Qeveria Shqiptare, dhe ministria e Financave është e orientuar dhe në vijim drejt politikave fiskale që ndihmojnë dhe incentivojnë fermerin dhe vetëpunësimin. Skema e personave te vetëpunësuar në bujqësi ka bërë që tashmë të ofrojë një mbrojtje për të vetëpunësuarit në bujqësi, duke përfshirë edhe pensionet, barrëlindjen, si dhe vizitat mjekësore dhe kompensimin e çmimit të barnave mjekësore në rast sëmundje.

Kjo skemë është e stimuluar dhe financohet në shuma të konsiderueshme fondesh nga buxheti i shtetit dhe mjafton që fermeri të paguajë kuotën vjetore minimale.

Cilësojmë se për secilin fermer të siguruar, si të vetëpunësuar në bujqësi, në zonat fushore buxheti i shtetit subvencionon 46% të kuotës vjetore dhe për secilin fermer të siguruar, si të vetëpunësuar në bujqësi, në zonat malore buxheti i shtetit subvencionon 59% të kuotës vjetore.

Gjithashtu në kujdes i veçantë i është kushtuar zhvillimit të arsimit profesional si në investimin në kushtet dhe ambientet mësimore ashtu edhe në shtimin e degëve profesionale në ndihmë të bujqësise dhe agroturizmit.

Hoqëm TVSH për makineritë dhe pajisjet, importimi i kafshëve të gjalla, ushqime kafshësh dhe pajisje që nevojiten gjatë transportit të tyre, për të gjitha shërbimet veterinare. Si dhe kemi lehtësuar barrën fiskale për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (Koperativat), duke reduktuar 3 fish tatim fitimin dhe ulur kufirin 5 milion të skemës së autofaturimit.

Në fakt pati diskutime, sepse po cënohet fermeri. Ne kemi analizuar skemën jo vetëm me strukturat tona të brendshme, por edhe me kolegë internacionalë, të cilët na kanë thënë që skema është e mirë, por ne duhet të bëjmë akoma më tepër përpjekje që të formalizojmë infrastrukturën lokale, të bëjmë një ndërlidhje më të mirë midis fermerit-agropërpunuesit dhe të arrijmë që të mbështesim si një grup zhvillimin për të çuar përpara dhe për të rritur ekonominë e shkallës. Megjithatë, në muajin mars, qeveria shqiptare u angazhua dhe në një skemë rimbursimi, 10 lekë për litër për çdo fermer i cili grumbullon qumështin te agropërpunuesit, si një skemë bujqësore. Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet strukturave të saj, është duke impelementuar me metodologji të caktuara. Jemi të bindur që fondet mund të jenë të rishikueshme por kuptohet kontributi vjen me sa më shumë ekonomia formalizohet. Jemi të gjithë në të njëjtën anë dhe mendoj si ministritë përkatëse, ashtu edhe fermerët- agropërpunuesit, patnerët tanë, ashtu dhe bankat, mund të bëjnë pak për ta sjellë këtë ekonomi në ato tregues të cilët jo vetëm të superojnë 20 % e PPP-së, por dhe në kreditim të mos jenë më në 2 %.

Unë ju ftoj në shumë në një bashkëpunim komunikimi sot dhe besoj që do të jetë i frytshëm për sa kohë të gjithë aktorët janë këtu.

Faleminderit.