Postuar më: 04/09/2019

Ministrja Denaj: Plani Operacional po jep rezultate pozitive, tatimet dhe doganat realizojnë të ardhurat 100% në gusht

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, doli sot në një konferencë të përbashkët për shtyp me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, z. Arlind Gjokuta, dhe zv.Ministrin Elton Haxhi, me anë të së cilës informoi opinionin publik mbi rezultatet e zbatimit të Planit Operacional të luftës kundër informalitetit për muajin gusht.

Ministrja Denaj bëri me dije se gjatë muajit gusht ka një realizim në masën 100 % të planit të të ardhurave nga tatimet, doganat dhe kontributet, të cilat janë rritur me gati 4.7% ose rreth 1.6 miliardë lekë më shumë në krahasim me muajin gusht të vitit të kaluar.

Për periudhën 8 mujore të ardhurat u rritën me 3.8% ose rreth 9.7 miliardë lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Kjo performancë, theksoi znj. Denaj, ka bërë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të vijojë me korrektesë zbatimin e kalendarit të rimbursimeve të TVSH-së, ku vetëm gjatë muajit gusht janë rimbursuar 1,68 miliardë lek, ose 42% më shumë se muaji gusht i vitit të kaluar .

“Për periudhën  8 mujore janë rimbursuar 11,8 miliardë lek TVSH biznesve nga 9.22 miliard lekë gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2018, ose 2.6 miliardë lek më shumë ose 28.7% rritje”, tha Ministrja.

Rezultate mbi zbatimin e masave të Planit Operacional kundër informalitetit dhanë edhe drejtorët e Administratave Tatimore dhe Doganore.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve informoi se për periudhën 4 korrik-3 shtator janë kryer 4460 kontrolle nga Administrata Tatimore, ku janë konstatuar 1882 shkelje të legjislacionit tatimor.  Në fokus parësor të punës sonë për pjesën e mbetur të vitit do të jenë deklarimet e pagave, në bashkëpunim edhe me Inspektoriatin e Punës”, u shpreh znj. Ibrahimaj.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave informoi se që nga fillimi i zbatimit të Planit Operacional janë kryer 1454 kontrolle, nga të cilat kanë rezultuar me shkelje 90 raste.

“Në total detyrimi i subjekteve shkon 220 milionë lekë. Fokusi kryesor ka qenë sektori i karburanteve në të cilin janë kryer kontrolle të detajuara në magazinat e lira dhe rafineritë e prodhimit, si dhe në subjektet konsumatore apo përdorues të lëndëve djegëse që janë produkt i akcizës”, u shpreh z. Gjokuta.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave bëri me dije se në vijim Plani Operacional do të fokusohet në kontrollin e karburanteve për anijet e peshkimit, kontrollin e lëndëve të para që do përdoren për prodhimin e pijeve alkoolike, ka nisur të kryhet iventari i fuçive të birrës dhe rakordimi i pullave fiskale, ndërkohë që në fokus të veçantë do të edhe kontrolli i tregtisë informale të duhanit të grirë.

 

Fjala e Ministres Denaj:

Sikurse ju kemi komunikuar, ritakohemi sot për takimin mujor për të ndarë bashkë me ju rezultatet e zbatimit të masave të luftës ndaj informalitetit për muajin gusht nga administratat tona fiskale.

Muaji Gusht u karakterizua me përshkallëzim të masave duke mbajtur fokusin tek tatimpaguesit e mëdhenj dhe duke proceduar deri në bllokim të aktivitetit të bizneseve.

Ndër rezultatet e para që dua të ndaj me ju, është realizimi 100% i planit të muajit Gusht të të ardhurave nga tatimet, doganat dhe kontributet, së bashku. Të ardhurat e muajit gusht u rritën me rreth 4.7 % ose rreth 1,6 miliard lekë më shumë krahasuar me Gushtin e vitit të kaluar.

Ndërsa për periudhën 8 mujore, të ardhurat u rritën rreth 3,8 % krahasuar me një vit më parë ose rreth  9.7 miliard lek më shumë se viti i kaluar.

Kjo performancë ka bërë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të vijojë zbatimin me korrektesë të kalendarit të rimbursimeve të TVSH.

Vetëm gjatë muajit gusht  janë rimbursuar  1,68 miliard lek, ose 42% më shume se muaji Gusht i vitit të kaluar .

Për periudhën  8 mujore janë rimbursuar 11,8 miliard lek TVSH biznesve nga 9.22 miliard lekë gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2018, ose 2.6 miliard lek më shumë ose 28.7% rritje.

Ndër rezultatet e tjera pozitive që janë shënuar në muajin Gusht, në sajë të masave që kemi marrë në luftën ndaj informalitetit evidentohet:

Gjatë muajit Gusht 2019, qarkullimi total i regjistruar në pajisjet fiskale pati një rritje prej 25% më shumë se viti i kaluar. Sektorët të cilët kanë regjistruar rritjen më të lartë të qarkullimit janë sektori i tregtisë, me 31% më shumë se gusht vjet, sektori i shërbimit me 16% dhe sektori i prodhimit me 14%. Njësitë akomoduese dhe bar-restorantet shënuan një rritje të qarkullimit rreth 23% më shumë si gusht i vitit të kaluar.

Pavarësisht problematikave që kemi pasur në sektorin e turizmit, kemi rritje të ndjeshme të deklarimit në furnizmin e shërbimit të akomodimit, pra në hoteleri. Gjatë muajit Gusht, qarkullimi me pajisjet fiskale në këtë sektor u rrit në 23% në krahasim me gushtin e vitit të kaluar. Ndërsa krahasuar për periudhën 8 mujore të ketij viti, konstatohet rritje prej 12.4% më shumë se viti i kaluar.

Sipas të dhënave të administratës tatimore, rezulton se në gusht janë regjistruar rreth 8 mijë punonjës të rinj më shumë se gusht i vitit të kaluar, ndërsa në QKB janë regjistruar rreth 1115 biznese të reja.

Siç dhe jeni në dijeni, nga data 19 Gusht kemi lancuar portalin “Stop Informalitetit”. Deri tashmë kanë ardhur rreth 1233 denocime në këtë portal, nga të cilat 1025 kanë qënë për administratën tatimore. 616 e këtyre denoncimeve janë verifikuar nga strukturat tona tatimore duke zbatuar në mënyrë rigoroze legjislacionin tatimor në rast të konstatimit të shkeljeve. Ndërkohë që aplikacioni është instaluar nga 12,543 qytetarë. Inkurajojmë qytetarët por dhe punëmarrësit të denoncojnë cdo abuzim apo shkleje.

Të dhënat e Planeve Operacionale do t’ju prezantohen në detaje nga Drejtorët e Përgjithshëm. Më lejoni të evidentoj dy rezultate të përgjithshme. Së pari, gjatë kontrolleve në terren ka rezultuar se 40-47% e subjekteve që janë inspektuar janë konstatuar me shkelje. Mendojmë se tendenca e identifikimit të shkeljeve është pozitive, por jo e mjaftueshme. Gjithashtu, masat administrative dhe ato penalizuese nuk realizojnë synimin parandalues, ndaj jemi duke punuar për të finalizuar ndryshimet në paketën ligjore.

Përshkallëzimi i masave kërkon të penalizojë abuzuesit dhe të jetë proporcionale me gjetjet dhe e harmonizuar mes masave të disa inspektoriateve.

Inspektoriati i Punës është në një fokus të veçantë këtë muaj dhe synojmë të ristrukturojmë organizimin e punës dhe cilësinë e inspektimeve për të ulur riskun e aksidenteve në sektorë të vencantë, kryesisht ndërtimin apo miniera, por edhe të luftohet informaliteti në marrëdhëniet financiare me punonjësit.

Së bashku me ISSH po marrim masa ndaj të gjithë subjekteve që nuk kanë zbatuar plotësisht likuidimet përkatëse.

Ju faleminderit!