Postuar më: 05/06/2019

Ministrja Denaj: Penalitet ndaj biznesit që nuk respekton procedurat dhe afatet ligjore në deklarim

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, prezantoi në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave një paketë projektligjesh, që synojnë përmbushjen e rekomandimeve dhe adresimin e problematikave të evidentuara në raportin e vlerësimit të Komitetit Moneyval të Këshillit të Europës, për çështjet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Paketa e projektligjeve të propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë përfshin ndryshimet në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar; ndryshimet në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, si dhe ndryshimet në ligjin nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.
Gjatë diskutimit të projektligjit për ndryshimet në regjistrimin e biznesit, Komisioni i Ekonomisë propozoi që masa e penalitetit të ulet nga 100 000 lekë që ishte parashikuar në 50 000 lekë.
Ministrja Denaj tha se gjoba nuk duhet të jetë qëllim në vetvete as për biznesin dhe as për ministrinë, por ajo theksoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është pro rritjes së masave të penaliteteve ndaj biznesit që nuk respekton procedurat dhe afatet ligjore në deklarim, pasi fokusi është në biznesin e ndershëm dhe reduktimin e informalitetit. Komunikimi me biznesin do të bëhet nëpërmjet sistemit dhe me shërbimin e tatimpaguesit, që është shumë automatik dhe shumë i thjeshtë.
“Gjoba nuk duhet të jetë qëllim në vetvete as për biznesin, as për ministrinë, dhe kjo nuk duhet të jetë kërcënim. Nëse regjistrimi ndodh dhe brenda afateve të gjykuara të arsyeshme çdo ortak regjistrohet, çdo ndryshim regjistrohet, kjo duhet të prevalojë dhe prandaj nuk duhet të na trembë një gjobë edhe 8-fish më e shtuar”, theksoi Ministrja Denaj.
Ministrja u ndal gjatë diskutimit edhe në ndryshimet ligjore të propozuara në ligjin nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, të cilat u komentuan edhe nga anëtarët e Komisionit, duke theksuar se
këto ndryshime lidhen edhe me reduktimin e ekonomisë informale.
“Kjo nuk ta të bëjë vetëm me një përqindje, për luftën kundër terrorizmit. Kjo ka të bëjë me reduktimin e ekonomisë informale dhe pavarësisht se është brenda paketës Moneyval, është shumë e rëndësishme të reduktohet ekonomia informale dhe përdorimi i cash-it, prandaj hapja e llogarisë është absolute, sikurse kryetari e përmendi” u shpreh Ministrja Denaj.

Projektligjet e diskutuar sot në Komisionin e Ekonomisë:

1- Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar
Me anë të këtij projektligji parashikohet se:
– aplikimi për ndryshimin e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik, bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ngjarjes së rrethanës faktike të ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë.

– moskryerja e detyrimit për regjistrimin e ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik, brenda 30 ditëve nga data e ndryshimit faktik të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 100 000 lekë. (50.000 lekë propozuar nga Komisioni i Ekonomisë në mbledhjen e sotme)

– ndërkohë, për shoqëritë aksionare: Shoqëria, së bashku me bilancin vjetor kontabël dhe raportin e auditimit, njofton listën e plotë të aksionerëve të regjistruar me të dhënat e tyre të identifikimit për aksionet nominative, si dhe numrin e përgjithshëm të të gjitha aksioneve të saj. Mos deklarimi përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 100 000 lekë; (50.000 lekë propozuar nga Komisioni i Ekonomisë në mbledhjen e sotme)

– aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare bëhet bashkërisht nga të gjithë themeluesit ose nga administrator i shoqërisë, ose nga çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose çdo person i autorizuar prej tyre.

– ndërkohë, në zbatim të ligjit për shoqëritë tregtare, është bërë edhe një ndërhyrje për rregullimin e dispozitës ekzistuese, me anë të cilës jepet mundësia që edhe administratori të parashikohet në Ligjin nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për regjistrimin e biznesit” si një nga personat që kanë të drejtën e aplikimit për të kryer një regjistrim fillestar të personit juridik.

2- Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”
Një ndër masat e parashikuara, lidhet me reduktimin e ekonomisë informale dhe përdorimit të parasë fizike nga personat fizikë/juridikë tregtarë.
Për këtë qëllim, duke adresuar njëkohësisht rekomandimet e Komitetit Moneyval, propozohet të sanksionohet në ligjin për procedurat tatimore, detyrimi i të gjithë tatimpaguesëve persona fizik/juridikë, përfshirë edhe organizatat jofitimprurëse për të pasur llogari bankare biznesi.
Ndërkohë parashikohet që mos të jenë subjekte të këtij detyrimi, tatimpaguesit, persona fizikë tregtar të cilët realizojnë qarkullim vjetor, rrjedhimisht edhe qarkullim të parasë fizike, në vlera të ulta.
Për këtë arsye, është marrë për referencë, kufiri i regjistrimit për përgjegjësinë tatimore, ku nuk janë subjekt i detyrimit për tu regjistruar për TVSH-në, tatimpaguesit të cilët realizojnë një qarkullim vjetor (përveç atyre qe ushtrojnë veprimtari sipas profesioneve të përcaktuara në pikën 2, të nenit 11), më të vogël se 2 milion lekë.
Projektligji përbëhet nga 3 nene që parashikojnë
– detyrimin e tatimpaguesve persona fizik tregtar, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), për të disponuar llogari bankare të biznesit.
– dënimet administrative në rast të mospërmbushjes së detyrimit të parashikuar në nenin 1 të projektligjit

Gjithashtu, po në këtë dispozitë përcaktohen dhe afatet kohore për përmbushjen e detyrimit për pajisjen me llogari bankare të biznesit.

3- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar:
Qëllimi i këtij projektligji është mbrojtja e sistemit financiar dhe e ekonomisë në tërësi nga kërcënimet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit,
– duke forcuar integritetin e sistemit parandalues në vend dhe
– duke kontribuar për paqen, sigurinë si dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të fushës.
Në funksion të këtij qëllimi të përgjithshëm synohet:
– Zvogëlimi i rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nëpërmjet politikave, koordinimit dhe bashkëpunimit;

– Parandalimi i hyrjes së produkteve të veprave penale apo veprimtarisë kriminale, si dhe të fondeve në mbështetje të terrorizmit në sektorin financiar apo në sektorë tjerë ose zbulimi dhe raportimi i tyre;

– Zbulimi dhe goditja e kërcënimeve për pastrim të parave/financim terrorizmi.

Arritja e synimeve të mësipërme realizohet nëpërmjet përafrimit të legjislacionit me rekomandimet e Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar (FATF), i cili përcakton standardet si dhe ndërmerr hapa për nxitjen dhe zbatimin efektiv të masave ligjore ne kontekstin e diskutimit.
Ky projektligj përputhet me programin politik qeverisës 2017-2021 në angazhimet e shprehura në kuadër të “Sigurisë kombëtare dhe kontributit për sigurinë globale” Pjesa e IV “ Politika e jashtme dhe e sigurisë, integrimi evropian dhe shqiptarët në botë.
Gjithashtu, hartimi i projektligjit është miratuar si detyrë dhe përparësi më datë 04.09.2018 nga Komiteti për Bashkërendimin e Luftës Kundër Pastrimit të Parave i kryesuar nga Kryeministri dhe me anëtar të gjitha organet relevante të fushës.