Postuar më: 15/01/2020

Ministrja Denaj në konferencën “Euromoney”, reformat ndikuan në rritjen e investimeve dhe klimën e biznesit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në “Euromoney Conference”, Forum i Evropës Qendrore dhe Lindore, që zhvillohet për të 25 vit rradhazi dhe mbledh në Vjenë të Austrisë krerët më të lartë të Ministrive të Financave dhe Ekonomisë dhe sistemit financiar dhe bankar.

Ministrja Denaj, së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ministrin e Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, ishte pjesë në panelin e diskutimit mbi Shqipërinë, i fokusuar në mundësitë e investimit dhe orientimin e tregut shqiptar drejt tregjeve ndërkombëtare.

Ministrja i solli në vëmendje audiencës dhe investitorëve se Qeveria ka përmbyllur me sukses një cikël reformash në fushën e financave publike, ekonomisë dhe arsimit profesional, duke sjellë prej vitit 2013 stabilitet të financave publike, rritje të qëndrueshme të shkëmbimeve tregtare dhe në një trajektore rritëse të investimeve të huaja në vend. Vetëm për tremujorin e tretë të 2019, IHD regjistruan vlerën +272.2 mln euro ose +1.3%, krahasuar me tremujorin e tretë të 2018, duke shënuar vlerën +810.2 milionë euro ose +7.3%, në periudhën Janar-Shtator 2019. Ndërkohë prej vitit 2014, eksportet janë rritur me 21.3%, dhe importet me 16.1%, një trajektore e cila pritet të vijojë edhe për vitin 2019.

Ministrja në fjalën e saj u ndal në qëndrueshmërinë e indikatorëve makroekonomike dhe në potencialin e rritjes së ekonomisë shqiptare pavarësisht tërmetit të datës 26 Nëntor.

“Shqipëria është një ekonomi në zhvillim, me një rritje ekonomike të vijuar prej vitit 2014, me një konsum të brendshëm dhe perceptim të aktorëve ekonomikë në vend në rritje dhe me një nivel papunësie 11.4% në 9 mujorin e vitit 2019. Dyfishimi i eksporteve në periudhën 2014- 2018 në produkte si tekstilet dhe këpucët dhe makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit apo produkteve kimike dhe plastike janë rezultat i politikave për zgjerimit e produkteve shqiptare në tregun e huaj dhe masave fiskale në mbështetje të sektorëve me potencial zhvillimi. Gjatë vitit 2020-2022, ne projektojmë që ekonomia të zgjerohet mesatarisht me 3.7% në vit, e nxitur nga veprimtaria e investimeve dhe rritja e eksporteve” u shpreh kreu i Financave publike.

Ministrja Denaj theksoi po ashtu rëndësinë e avancimit në reformën e sistemit të drejtësisë dhe funksionimin e kadastrës si dy elementë thelbësorë që do të lehtësojnë më tej të bërit biznes në Shqipëri për sipërmarrësit vendas dhe të huaj.