Postuar më: 21/05/2019

Ministrja Denaj në Forumin e Ekonomik Mbarëshqiptar: Bashkëpunimi na bën konkurrues në Rajon

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ishte e pranishme në Forumin Ekonomik Mbarëshqiptar “Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Shqipëri-Kosovë.

Ministrja Denaj vlerësoi se marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë shënuar rritje në periudhën e parë të vitit 2019 dhe se pritshmëritë e përbashkëta janë që rritja e shkëmbimeve tregtare të arrijë potencialin maksimal dhe të ruajë në periudhë afatgjatë nivelet e kërkuara.

Në takimin e dytë kordinues të grupeve të punës të Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë janë përcaktuar detyra të qarta. Ministrja Denaj tha se objektivi është thjeshtimi i procedurave dhe burokracive, i cili ka nisur të përmbushet, pasi aktualisht janë thjeshtuar shumë procedura në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve. Megjithatë, znj. Denaj tha se ka akoma shumë punë për të bërë, për të mundësuar përdorimin e të njëjtit sistem informatik mes dy vendeve, për të cilin ka një angazhim maksimal nga pala shqiptare për të rishikuar bazën ligjore dhe pengesat që ekzistojnë.

Përsa i përket çështjes së skanimit në dogana, Ministrja tha se kjo do të diskutohet me kompaninë që ofron shërbimin koncensionar, ndërkohë që do të rishikohet edhe analiza e riskut për skanimin e mjeteve.

Znj. Denaj tha se një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar nxitjes së procesit të përfitimit të statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO) për sipërmarrjet nga Shqipëria dhe Kosova, pasi mundëson lehtësi jo vetëm në tregtinë mes dy vendeve, por edhe mes vendeve të rajonit dhe më gjerë.

Ministrja u ndal edhe në çështjen e investimeve të huaja direkte dhe qasjes që dy vendet duhet të kenë ndaj IHD-ve, madje duke bashkuar forcat në këtë drejtim. “Mendoj se po të bashkojmë forcat ne jemi një treg dhe më i madh ndaj investitorëve të huaj, të cilët mund të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, në ato sektorë ku duhet të jemi të fokusuar, te të cilët ne kemi avantazhe dhe ku konkurrueshmëria nuk shkon në kundërshtim me sektorin vendas, i cili absolutisht duhet mbështetur », u shpreh Ministrja.

 

Fjala e Ministres Denaj:

I nderuar Z. Zëvëndëskryeministër,

Të nderuar Ministra dhe kolegë,

Të nderuar sipërmarrës nga të gjitha trevat ku flitet shqip,

Shumë faleminderit për ftesën dhe më lejoni të them që nuk është sfiduese pjesëmarrja këtu, sikurse ju e thatë në fillim të fjalës suaj.

Pas takimit të djeshëm koordinues të grupeve të punës së Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, kemi dalë me detyra shumë të qarta se çfarë duhet të bëjmë dhe absolutisht objektivi është që të thjeshtojmë procedurat dhe burokracitë. Ky është një objektiv, i cili deri diku nuk është një premtim i pambajtur, pasi ka shifra konkrete për procedura të thjeshtuara. Disa u përmendën. Unë nuk dua të thelloj më tej kohën e procesimit në disa procedura që bizneset i ndiejnë. Mendoj që kemi akoma rrugë për të bërë, kryesisht në atë që lidhet me përdorimin e të njëjtit sistem informatik, i cili sot është fakt, por që pengohet nga disa aplikime të disa procedurave, siç mund të flasim dhe për procedura të lidhura me produktet bujqësore në veçanti, për të cilat kemi një angazhim për të parë dhe për të rishikuar edhe bazën ligjore që na pengon sot për ta bërë udhëzimin menjëherë fakt.

Angazhimi i ekipit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dje ka qenë maksimal për të parë dhe analizuar gjithë pengesat që ekzistojnë sot për të implementuar të gjithë angazhimet e marra në mbledhjen e dy qeverive në Pejë.

Kjo nënkupton që për disa hapa ne duhet të shikojmë bazën ligjore, kërkon një impenjim më të madh se sa të një ministrie, kërkohen të analizohen çështje, por angazhimi është që brenda fundit të muajit qershor do të jenë një fakt i kryer. Se çfarë do të vijë pas këtij propozimi mendoj që asnjë nga ne nuk e thotë dot sot, por angazhim është i konfirmuar.

Përsa i përket çështjeve të skanerit, është një çështje e cila vërtet na lidh me një kompani, e cila ofron shërbime koncesionare. Mendoj që nuk është e pamundur që të ulemi dhe të flasim me kompaninë, të diskutojmë, sikurse edhe të shikojmë atë pjesë që z. Limaj përmendi pak më parë, korridorin, por edhe kjo nënkupton hapjen e një diskutimi më të gjerë mes ministrive për të cilën, siç e thashë pak më parë, jemi angazhuar ta bëjmë deri në fund të qershorit. Njëkohësisht, atë që e kemi më të thjeshtë ta bëjmë më herët, është analiza e riskut për të parë se kush mjete skanohen dhe elementi tjetër po aq i rëndësishëm faturimi, i cili për kompaninë është shumë i rëndësishëm që të njihet si një shërbim i zbritshëm dhe të njihet i tillë për të mos ulur aspak konkurrueshmërinë, edhe pse unë mendoj që nuk është aty “Thembra e Akilit” te konkurrueshmëria, por është çështje e formalizimit, e cila sot ekziston, pavarësisht se nuk është në të njëjtën formë juridike që mund të njihet në shtetin e Kosovës. Këtë neve e kemi obligim dhe duhet të ndodhë menjëherë.

Për ta përmbledhur, katër pika që u lanë dje nga grupi i përbashkët i punës i dy ekipeve, mendojmë që jemi në afate të pranuara nga ne për t’i ndjekur të gjitha nismat të cilat do të çojnë në ndryshime edhe ligjore, ashtu edhe proceduriale.

Kjo vë objektivin që dy vendet të kenë një tregti të lirë, një angazhim jo vetëm mes Shqipërisë dhe Kosovës brenda këtyre forumeve, por edhe brenda një familjeje më të gjerë, atë të CEFTA-s, që është e rëndësishme të themi që është një angazhim që të gjithë ne e kemi marrë parasysh, aq më tepër që Shqipëria kryeson CEFTA-n këtë vit dhe ka një obligim akoma më të shtuar për të dhënë një kontribut.

Dua të theksoj në këtë hapësirë edhe njohjen e skemave të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar, që nuk është një proces i parëndësishëm për të gjithë sipërmarrësit që kanë qasje drejt këtyre skemave pasi kuptohet që statusi i atyre që ne i quajmë në gjuhën teknike AEO është një status që i jep lehtësi jo vetëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, por midis vendeve të rajonit e më gjerë dhe mendoj që ne si Shqipëri do të donim shumë të shikonim tre të parët dhe të ndihmonim sipërmarrësit. Ka vende si Serbia dhe Bosnja që i kanë në numra 7 deri në 9 sipërmarrësit me këtë status, nuk po flasim për Moldavinë që e ka 140.

Ne duhet të nxisim që nga Shqipëria dhe nga Kosova të kemi sipërmarrës me këtë status, të cilët ta bëjnë këtë rrugëtim.

Njëkohësisht, do të thosha që thjeshtimi i procedurave siguron edhe një angazhim të madh drejt realizimit të projektit SEED+, që do të përshpejtojë tregtinë për të gjitha produktet, sidomos në raport me licencimin e tyre drejt Bashkimit Europian, sepse tregjet nuk duhet t’i shohim ngushtësisht të lidhura vetëm në rajon, por duhet të shkojmë drejt tregjeve më të mëdha.

Mendoj që ne duhet të bëjmë një pyetje në këto forume : Kush janë pengesat e vërteta që na ulin ne konkurrueshmërinë ?

U tha pak më parë që Serbia dhe Bosnja janë tregues më të lartë se sa Shqipëria dhe Kosova. Unë e thashë dhe pak më parë në fjalën time, ne jemi të angazhuar të shikojmë gjithë referencat e sotme, që janë detyrat tona, qoftë faturimi, ashtu edhe procedurat dhe koha, por unë nuk mendoj që këto janë faktorët limitues të rritjes së konkurrueshmërisë sonë. Nuk mund të them sot se cilët janë, pasi mendoj se në të gjithë bashkë duhet ta gjejmë, është pjesë e këtyre forumeve, por besoj që kemi nevojë të shikojmë përtej tregjeve tona për të parë dhe për të objektizuar kush janë elementët të cilët ne sot duhet t’i parashikojmë për të rritur konkurrueshmërinë dhe kush janë politikat tona për të stimuluar rritjen e kësaj konkurrueshmërie, kundrejt parimit të « fair kompetition », konkurrencës së ndershme. Me konkurrencë të ndershme unë kuptoj të gjithë sektorët, birrë, miell, etj, dhe konkurrenca e ndershme vlen për të gjithë.

Përtej analizës së konkurrueshmërisë, një ftesë e fundit është drejt qasjes së investimeve të huaja direkte, ndaj investitorëve të huaj, për të cilët ne mund të bashkojmë forcat. Ne aplikojmë rregulla të ndryshme, sipas ligjeve tona, në vende të ndryshme, por ne mund të jemi një treg atraktiv për investimet e huaja direkte, jo vetëm duke konsideruar Shqipërinë dhe Kosovën si IHD, por duhen parë investitorët të huaj që mund të jenë IHD, atë që po bën sot Serbia që të paktën të gjitha IHD në Rumani apo Bullgari i ka targetuar për t’i tërhequr drejt Serbisë, për atë që kanë ata si aftësi konkurruese, ndoshta dhe fuqinë punëtore, por unë besoj se e kemi akoma më shumë se Serbia, sepse jo vetëm që kemi kosto më të lirë të punës, por kemi fuqinë punëtore dhe më të trajnuar. Mendoj se po të bashkojmë forcat ne jemi një treg dhe më i madh ndaj investitorëve të huaj, të cilët mund të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, në ato sektorë ku duhet të jemi të fokusuar, te të cilët ne kemi avantazhe dhe ku konkurrueshmëria nuk shkon në kundërshtim me sektorin vendas, i cili absolutisht duhet mbështetur.

Faleminderit.