Postuar më: 17/05/2019

Ministrja Denaj në Bruksel: Reformat ekonomike kanë përmirësuar klimën e biznesit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ishte sot Bruksel, ku mori pjesë në Dialogun Ekonomik dhe Financiar mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor e Turqisë, me temë diskutimi “Reformat Strukturore për të tërhequr Investimet e huaja”

Ministrja Denaj shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për zbatimin e Programit të Reformave Ekonomike dhe për përmirësimin e klimën së biznesit në vend.

Ndërkohë, Komisioni Europian njohu edhe njëherë vlerën e shtuar të reformës në drejtësi dhe ofroi mbështetje për konsolidimin e reformave në afatmesëm.

Në fjalën e saj, Ministrja Anila Denaj informoi se niveli mesatar i investimeve të huaja

në pesë vitet e fundit është 8.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm dhe arriti në mbi 1 miliardë euro vitin e kaluar.

Ministrja theksoi se qeveria mbetet e angazhuar për t’i ofruar investitorëve mbështetje maksimale në përfshirjen e tyre në ekonominë shqiptare dhe për të vazhduar në ritmin rritës të Investimeve të Huaja Direkte në vend.

Reforma e derregulimit ka si synim përmirësimin dhe lehtësimit e klimës së biznesit. Ministrja informoi se përmes kësaj reforme janë hequr 38 licenca dhe sot 99 % e aplikimeve për licenca bëhen online, ndërkohë që synohet që përqasja One Stop Shop të përfshijë të gjitha shërbimet e ofruara.

Përsa i përket fuqisë punëtore, znj. Denaj tha se forca punëtore e aftë është në rritje përmes diplomimit të vazhdueshëm të 5000 të rinjve në teknologji informacioni, mekanikë, mekatronikë, shkenca ekzakte në sistemin arsimor profesional dhe universitar, gjë që përbën një avantazh për vendin tonë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

“Reforma më e madhe dhe më e rëndësishmja është reforma në drejtësi. Kjo është thelbësore dhe aktualisht ka një ndikim të madh në shumë fusha të jetës ekonomike dhe sociale të Shqipërisë. Ne e kemi ndërmarre këtë iniciativë dhe do ta përfundojmë këtë reformë, çka përfundimisht do të përmirësojë klimën e biznesit dhe do të nxjerrë në pah Shqipërinë në hartën e investitorëve në të ardhmen”, u shpreh Ministrja Denaj.

 

Fjala e Ministres Anila Denaj:

Së pari, më lejoni të falënderoj Komisionin dhe Bankën Qendrore Evropiane për vlerësimin që i kanë bërë Programit të Reformave Ekonomike në Shqipëri, si dhe dhe vendet anëtare për opinionet, kritikat dhe rekomandimet e tyre mbi këtë çështje.

I konsiderojmë ato me vlerë dhe në pjesën më të madhe të tyre ndajmë plotësisht të njëjtin mendim. Mbetemi të angazhuar të vazhdojmë përpjekjet për të adresuar dhe zbatuar të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet e dhëna.

Dëshiroj gjithashtu të falënderoj dhe Presidencën Rumune për temën e zgjedhur për diskutim, pra promovimin e Investimeve tw Huaja Direkte, e cila besoj vërtet se është shumë e rëndësishme si për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe për rajonin në përgjithësi.

Një pasqyrë të shkurtër të situatës në lidhje me IHD-të:

Në vitet e fundit, Shqipëria ka tërhequr flukse relativisht të larta të IHD-ve. Në raport me PBB-në, ato kanë qenë ndër më të lartat në rajon, me një mesatare prej 8.5 % në pesë vitet e fundit, duke arritur në 1 miliardë euro gjatë vitit 2018.

Në vitet e mëparshme, pjesa më e madhe e investimeve të huaja direkte (rreth 65% e totalit të tyre) ishin përqendruar në disa sektorë si industria nxjerrëse, veçanërisht nxjerrja e naftës, sektori i prodhimit të energjisë elektrike dhe gjithashtu në projektin e madh të Gazsjellësit Trans-Adriatik. Megjithatë, gjatë dy viteve të fundit ka ndodhur një diversifikim më i madh, kryesisht në sektorë të ndryshëm të shërbimeve si Turizmi, Procesi i Transferimit të Bizneseve, sektori i Automotivës, etj.

Në dekadën e fundit, Shqipëria ka ndërmarrë një set të plotë reformash të thella strukturore “të gjenerates të dytë”, disa prej të cilave përfshijne një fushë më të gjerë dhe kanë ndikim në një gamë më të gjerë të fushave ekonomike dhe sociale, ndërsa disa të tjera fokusohen më shumë në tërheqjen e IHD-ve.

– Së pari, është përmirësimi i infrastrukturës bazë. Shqipëria ka trashëguar një rrjet shumë të dobët infrastrukturor nga regjimi i mëparshëm.

Sot ne ende kemi shumë për të bërë për të arritur nivelet e infrastrukturës së BE-së, megjithatë gjendja e infrastrukturës është përmirësuar ndjeshëm.

Investimet publike mbeten një nga prioritetet kryesore të qeverisë duke synuar të paktën 5% të PBB-së çdo vit.

– Lidhja me brez të gjerë është përmirësuar ndjeshëm dhe janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për t’i sjelle vendet e rajonit me pranë dhe për të ulur barrierat në komunikim, duke përfshirë këtu Marrëveshjen më të fundit për heqjen e tarifave roaming midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

– Reforma të tjera përfshijne ato në kuadrin rregullator dhe ato që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, të cilat janë plotësisht në linjë me parimet udhërrëfyese të OECD-së.

– Drafti i ri i Ligjit të Investimeve, i përgatitur me mbështetjen e IFC, është në proces miratimi në Kuvend. Kjo do të sigurojë një kuadër të mirë ligjor për zhvillimin potencial të investimeve në të ardhmen e afërt.

– Lehtësitë fiskale kanë qenë gjithashtu në fokus për të mbështetur ato sektorë të ekonomisë me potencial për të tërhequr IHD-të, të tillë si turizmi, ku është aplikuar reduktimi i TVSH-së nga norma standarde prej 20% në 6% për të gjitha Hotelet me 4 dhe me 5 yje.

Në këtë drejtim, që prej disa vitesh, ne kemi themeluar një Agjenci të dedikuar, Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve, misioni kryesor i së cilës është promovimi i mundësive për investitorët e huaj në Shqipëri, duke lehtësuar të gjithë procesin për zbatimin e konceptit të tyre në vend.

Gjithashtu, Shqipëria njihet veçanërisht për fuqinë e aftë punëtore, e cila aktualisht është përfshire në një proces mjaft transformues, me një fokus të qartë të Qeverisë për të përmirësuar arsimin profesional. Kjo vlen veçanërisht për 35 shkollat nga të cilat diplomohen 5000 studentë në vit, në teknologji informacioni, mekanikë, bujqësi dhe turizëm.

Ne kemi nisur një reformë derregullimi me qëllim heqjen e sa më shumë barrierave dhe arritjen e përqasjes për ofrimin e shërbimeve me një ndalesë (One stop shop). 38 licenca janë hequr gjatë vitit të kaluar dhe aktualisht 99 % e aplikimeve për licenca mund të kryhen online.

Kemi kaluar 45 vende përpara në raportin e fundit të “Doing Business” duke arritur numrin 63 në renditje. Sfida jonë kryesore në të ardhmen mbetet përmirësimi i mjedisit të biznesit, klimës së biznesit, zgjidhja e çështjes së regjistrimit të tokës dhe pronës dhe mosmarrëveshjeve, si dhe sigurimi i zbatimit të sundimit të ligjit.

Në këtë kuptim, reforma më e madhe dhe më e rëndësishmja është reforma në drejtësi. Kjo është thelbësore dhe aktualisht ka një ndikim të madh në shumë fusha të jetës ekonomike dhe sociale të Shqipërisë.

Ne e kemi ndërmarre këtë iniciativë dhe do ta përfundojmë këtë reformë, çka përfundimisht do të përmirësojë klimën e biznesit dhe do të nxjerrë në pah Shqipërinë në hartën e investitorëve në të ardhmen.

Faleminderit.