Postuar më: 04/09/2019

Ministrja Denaj mbledh Komitetin Drejtues të Menaxhimit të Financave Publike, miratohet Strategjia e Rishikuar 2019-2022

Nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, u zhvillua sot takimi i dhjetë i Komitetit Drejtues të Menaxhimit të Financave Publike, me qëllim diskutimin dhe miratimin e Strategjisë së rishikuar të Menaxhimit të Financave Publik 2019-2022.

Të pranishëm në këtë takim ishin dhe përfaqësues nga delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, Banka Botërore, FMN, USAID, Ambasada Zviceriane, përfaqësues nga Ministria e Financave e Kosovës, si dhe përfaqësues nga ministritë e linjës dhe institucione shtetërore të cilat do të jenë të përfshira në zbatimin e Strategjisë.

Rishikimi i Strategjisë ka nisur vitin e kaluar dhe ka kaluar në diskutime dhe konsultime me grupe të ndryshme interesi.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Denaj tha se Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022 vjen me një strukturë të re, e cila konsiston në: ndërtimin e saj jo më në “shtylla” por në “objektiva specifike”; do të ketë shtatë objektiva, nga gjashtë që ka pasur strategjia për periudhën 2014-2020, pasi një prej shtyllave është ndarë në dy objektiva, ku njëri synon të përforcojë përpjekjet e qeverisë për mobilizimin e të ardhurave në përmirësim të Administratës Tatimore dhe Administratës Doganore, ndërsa objektivi tjetër vendos një fokus për rritjen e efikasistetit në ekzekutimin e buxhetit; synon forcimin e qasjes së monitorimit të bazuar në rezultate dhe në arritjen e produkteve, e jo thjesht në zbatimin e aktiviteteve.

Ministrja theksoi se në këtë Strategji të rishikuar Ministria e Financave do të fokusohet në disa fusha, si “shlyerja dhe parandalimi i detyrimeve të prapambetura; reduktimi i borxhit publik; mobilizimi i vazhdueshëm për mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore; përmirësimi i menaxhimit të projekteve të investimeve publike, duke përfshirë Partneritetin Publik Privat dhe dhënien me konçesione; si dhe sigurimi i një lidhje më e mirë e planeve strategjike me Programin e Buxhetit Afatmesëm, një angazhim më të strukturuar dhe në kohë me qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe akademinë në planifikimin, monitorimin dhe raportimin e buxhetit”.  Gjithashtu, synohet rritja e përpjekjeve për të përmirësuar shkallën e zbatimit të rekomandimeve dhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Pas miratimit nga Komiteti Drejtues, Staregjia e Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022 do të përcillet për aprovim në Këshillin e Ministrave.

 

Fjala e Ministres Denaj:

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni t’ju falënderoj për prezencën tuaj në këtë Komitet të dhjetë Drejtues të Menaxhimit të Financave Publike, me qëllimin këtë herë për të miratuar Strategjinë e rishikuar të Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022.

Ashtu sikurse jeni në dijeni, puna për rishikimin e kësaj strategjie ka nisur vitin e kaluar, kur Ministria e Financave dhe Ekonomisë me suportin e Asistencës Teknike të ofruar nga Bashkimi Europian dhe ekspertizën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërmori proçesin e vlerësimit afatmesëm të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, për të vlerësuar ecurinë e reformës për gjatë periudhës 2015-Qershor 2018 duke vijuar më pas me procesin e kostimit të strategjisë.

Dokumenti i strategjisë së re është përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë ju dhe rezultati i arritur në hartimin e këtij dokumenti është produkt i punës intensive të bërë nga të gjitha palët.

Një element i rëndësishëm gjatë këtij proçesi është transparenca me publikun, të cilit i është lënë kohë e mjaftueshme për t’u njohur me këtë dokument për të dhënë komentet apo sugjerimet mbi të.

Për këtë qëllim në periudhën 8 Korrik 2019 – 8 Gusht 2019 draft strategjia ka qenë e publikuar për konsultim publik dhe kemi marrë komentet nga disa palë interesi, të cilat sigurisht që kanë përmirësuar ndjeshëm produktin që kemi sot për diskutim.

Shumë e rëndësishme është dërgimi për mendim tek të gjithë donanorët i këtij dokumenti, ministritë e linjës dhe institucionet përgjegjëse për zbatim, të cilët me komentet e tyre kontribuan në variantin final të Strategjisë.

Në tërësi, Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022 vjen me një strukturë të re:

Së pari, përshtatja për të pasur një qasje të harmonizuar të kuadrit strategjik ka bërë të mundur përshtatjen me formatet e standardizuara të strategjive nga Kryeministria, specifikisht strategjia nuk do të ndërtohet më në ‘Shtylla’ por në ‘Objektiva Specifike’.

Së dyti, nga gjashtë objektiva specifikë që ka patur strategjia për periudhën 2014-2020, sot kemi shtatë objektiva specifikë, pasi është ristrukturuar shtylla 3 duke u ndarë në dy objektiva: njëri objektiv synon që të përforcojë përpjektet e qeverisë për mobilizimin e të ardhurave në përmirësim të Administratës Tatimore dhe Administratës Doganore  dhe objektivi tjetër vendos një fokus për rritjen e efikasistetit në ekzekutimin e buxhetit.

Së treti, formulimi i strategjisë është bërë i tillë që të forcojmë qasjen e monitorimit të bazuar në rezultate, ku nga baza e zbatimit të aktiviteteve kalojmë në bazën e arritjeve të produkteve dhe rezultateve. Ky është një zhvillim i ri cilësor dhe shpresojmë të ndryshojë rrënjësisht në vitet e ardhshme mënyrën e buxhetimit dhe rezultatet e matshme dhe të pritshme në vijim.

Së fundmi, vlen të përmendet angazhimi i të gjithë aktorëve në përgatitjen e strategjisë dhe specifikisht në punën për kostimin e saj (bazuar në metodologjinë ndërkombëtare të përcaktimit të kostove shtesë).

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në këtë dokument do të ketë në fokus:

  • shlyerjen dhe parandalimin e detyrimeve të prapambetura,
  • reduktimin e borxhit publik,
  • mobilizimin e vazhdueshëm për mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore,
  • përmirësimin e menaxhimit të projekteve të investimeve publike duke përfshirë Partneritetin Publik Privat dhe dhënien me konçesione, si dhe
  • sigurimi i një lidhje më e mirë e planeve strategjike me Programin e Buxhetit Afatmesëm, një angazhim më të strukturuar dhe në kohë me qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe akademinë në planifikimin, monitorimin dhe raportimin e buxhetit.

Gjithashtu, synohet rritja e përpjekjeve për të përmirësuar shkallën e zbatimit të rekomandimeve dhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Pas diskutimit dhe miratimit sot nga Komiteti Drejtues, dokumenti do të përcillet në Këshillin e Ministrave për aprovim dhe më tej për të ndjekur gjithë hapat deri në implementim.

Më lejoni edhe njëherë të shpreh falënderimet për të gjithë ata që kontribuan që nga fillimi i këtij procesi dhe gjithë pjesëmarrësit në takimin e sotëm, për diskutimet dhe miratimin e dokumentit për aprovim në Këshillin e Ministrave.

Shumë faleminderit dhe punime të mbara.