Postuar më: 19/07/2019

Ministrja Denaj inspekton bizneset në Tiranë në kuadër të zbatimit të Planit kundër Informalitetit

Në vijimit të zbatimit të Planit Operacional në luftë kundër Informalitetit, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj.Delina Ibrahimaj, inspektuan sot disa biznese në qendër të Tiranës.

Monitorimi i biznesve po bëhet për të garantuar përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore dhe ligjore, regjistrimin pranë organeve kompetente, pajisjen me kasa fiskale, lëshimin e kuponëve tatimorë, si dhe regjistrimin e punonjësve.

Gjatë vizitës, ministrja Denaj kërkoi mirëkuptimin e sipërmarrjeve për të bashkëpunuar me Administratën Tatimore, në mënyrë që të garantohet nga të gjithë zbatimi rigoroz i ligjit.

“Jemi të kënaqur që konstatojmë se jeni duke respektuar të gjitha rregullat e administratës tatimore. Shpresoj që inspektorët të kenë qenë korrekt në raport me sjelljen ndaj jush. Administrata Tatimore do të vazhdojë me monitorimet dhe vizitat periodike fiskale, pasi kjo është pjesë e punës sonë dhe në këtë mënyrë ne besojmë se ju mbrojmë dhe forcojmë bashkëpunimin mes të dyja palëve”, tha znj. Denaj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë tha se për t’i ardhur në ndihmë biznesit dhe konsumatorëve është duke u punuar në mënyrë intensive për krijimin e një aplikacioni të dedikuar që do të quhet “ StopInformalitetit”.

“Të gjithë konsumatorët duhet të na bashkohen në këtë nismë për të sfiduar biznesin e parregullt sepse qëllimi ynë është që ata që tregohen korrekt të mos mbajnë barrën fiskale. Çdo i punësuar mund të denoncojë një biznes nëse ai nuk e ka regjistruar, nëse nuk paguhet mbi bazën e pagës reale, nëse nuk i paguan sigurimet, nuk i paguan tatimet sipas ligjit. Përmes këtij aplikacioni mund të bëhen edhe denoncime nëse konstatohen sjellje abuzive dhe korruptive nga ana e administratës tatimore”, tha znj.Denaj.

Aplikacioni do të nisë të funksionojë që në muaji gusht dhe do të mund të shkarkohet, si nga individët, ashtu edhe bizneset.

Edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj.Delina Ibrahimaj tha se Administrata Tatimore do të vijojë të mbështesë dhe të inkurajojë bizneset, që përmbushin në mënyrë korrekte të gjitha detyrimet sipas legjislacionit në fuqi.

Plani Operacional do të vijojë të zbatohet në terren, në të gjithë vendin, për të garantuar konkurrencën e ndershme, rritjen e të ardhurave, si dhe për të luftuar informalitetin, që shkon në dëm të zhvillimit të ekonomisë.