Postuar më: 01/08/2019

Ministrja Denaj: Fiskalizimi do ndihmojë në luftën kundër informalitetit dhe konkurrencës së pandershme

Projektligji i ri për Fiskalizimin është një instrument që do të ndihmojë qeverinë në luftën kundër informalitetit dhe konkurrencës së pandershme në treg.

Ky ka qenë mesazhi që Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, dha gjatë një vizite në kompaninë me kapital gjerman “PSZ Albania”, ku kërkoi dhe mbështetjen e biznesit në betejën kundër informalitetit.

Ministrja shprehu angazhimin e qeverisë në zbatimin e Planit Operacional në vijimësi, për të luftuar informalitetin dhe përmirësuar klimën e biznesit në vend.

“Shpresojmë që në këtë betejë kundër informalitetit të na mbështesni në mënyrë të plotë. Projektligji i ri i Fiskalizimit, në mënyrë absolute do të sigurojë që përtej planeve operacionale apo inspektimeve ne të kemi mundësi që çdo faturë dhe çdo produkt të jetë i fiskalizuar dhe biznesi i ndershëm të përfitojë pagesat në kthim në kohë”, tha Ministrja.

Kompania “PSZ Albania”, një investim gjerman në vendin tonë në sektorin e manifakturës, nën sektori Elektronikë & Elektromekanikë, ka nisur aktivitetin e saj në Shqipëri prej 6 vitesh, me 10 punonjës dhe sot ka të punësuar rreth 400 persona.  Administratori i kompanisë bëri me dije se deri më tani kompania ka investuar rreth 1.5 milionë euro dhe parashikon të shtojë investimin e saj me rreth 800 mijë euro në periudhën 2019-2020, si dhe të rrisë numrin e punonjësve deri në 700 persona në vitet e ardhshme. Aktualisht kompania kërkon 100 punonjës shtesë dhe Ministrja Anila Denaj shprehu mbështetjen e Zyrave të Punës për të bërë ndërmjetësimin e punonjësve në cilësinë dhe kualifikimin që kërkohet, si dhe për mundësinë e zgjerimit të kursve profesionale në sektorin ku operon kompania, pasi ka një vëmendje të shtuar nga investitorët e huaj.

Ministrja Denaj vlerësoi zgjerimin e aktivitetit të kompanisë dhe tha se Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve do të jetë përkrah çdo investitori, për të asistuar në problematikat që mund ketë.

“Është shumë e rëndësishme që AIDA të jetë përkrah çdo investitori dhe të mundësojë çdo zgjidhje të problemit të tij, që nga lejet ashtu edhe deri tek punësimi”, u shpreh znj. Denaj.