Postuar më: 14/08/2019

Ministrja Denaj: Biznesi të respektojë ligjin dhe konkurrencën e ndershme

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, nëpërmjet një komunikim me mediat, informuan opinionin publik lidhur me ecurinë e zbatimit të Planit Operacional Stop Informalitetit, duke synuar jo vetëm transparencën, por mbi të gjitha rritjen e ndërgjegjësimit të bizneseve për të qenë në përputhje me detyrimet ligjore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë pohoi se zbatimi i Planit Operacional ka nxjerrë në pah disa fenomene, si fakti që duhet një ndërgjegjësim më i madh i konsumatorëve për tërheqjen e kuponit tatimor; mosrespektimi i përsëritur i ligjit nga një pjesë e bizneseve, ku në disa raste janë kërcënuar punonjësit e Administratës Tatimore gjatë ushtrimit të detyrës së tyre; apo dhe heqja e shiritit të bllokimit të aktivitetit nga Administrata Tatimore me anë të vendimeve të gjykatave.

Përsa i përket këtyre të fundit, Ministrja Denaj tha, se do respektohen të gjitha vendimet e gjykatave që janë në favor të biznesit dhe të rihapjes së aktivitetit me anë të këtyre vendimeve, edhe pas bllokimit nga ana e Administrata Tatimore. Megjithatë, Ministrja garantoi se Plani Operacional kundër informalitetit do të zbatohet me përpikmëri e në vazhdimësi, duke mos toleruar mosrespektim të ligjit dhe dëmtimin e konkurrencës së ndershme në treg.

“Gjykatësve u kërkoj që të respektojnë ligjin, të lexojnë mbrojtjen që bën Administrata Tatimore, ta konsiderojnë atë dhe në qoftë se kjo mbrojtje nuk është e saktë, sigurisht të shkojnë e të flasin në favor të biznesit. Por, në qoftë se vendimi i marrë nga Administrata Tatimore është konform ligjit, të mendojnë dy herë nëse ata vetë shkelin ligjin”, theksoi znj. Denaj.

E pyetur nëse do të ketë ndryshime ligjore në këtë drejtim, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë tha se aktualisht është duke u punuar mbi draftimin e një pakete, e cila do të dalë për konsultim publik gjatë muajit shtator. Ministrja sqaroi se synimi nuk është rritja e masës së gjobave, por evidentimi i paligjshmërisë.

“Ne duhet të shikojmë dhe paketat tona të administratës, sidomos ato të Kodit të Procedurës, të cilat lidhen me gjobat dhe me masat që merren. Nuk synohet rritja e masës së dënimit, por përshkallëzim sipas gjetjeve dhe, mbi të gjitha, të evidentohet paligjshmëria dhe të dënohet, pa qenë nevoja për “gjimnastika” apo “akrobacira” nëpërmjet gjykatësve. Ne do ta çojmë këtë paketë për konsultim publik dhe do të jemi aty, duke marrë dhe komente nëse këto masa nuk janë proporcionale, por nuk është gjobëvënia instrumenti që ne duam të flasim me biznesin. Ne jemi këtu për të komunikuar me ju, për të folur për punën tonë dhe mbi të gjithë për të folur me biznesin, që do të jemi aty çdo javë, çdo ditë, për të sjellë një përshtatshmëri të plotë ligjore dhe, në rast të kundërt, sigurisht do të përshkallëzojmë veprimtarinë tonë qoftë nga ana e paketës ligjore, qoftë edhe me pjesëmarrjen tonë të përditshme”, u shpreh znj. Denaj.

Lidhur me sektorët e evidentuar më me risk, Ministrja informoi se po ushtrohen kontrollet nga institucionet përkatëse në produktet e akcizës, si hidrokarburet, pije alkoolike dhe kafeja; hoteleri-turizmi; dhe ndërtimi.

Gjatë komunikimit me gazetarët, Ministrja Anila Denaj u ndal edhe te projektligji i “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i njohur ndryshe edhe si “Fiskalizimi”, i hapur për konsultim publik përgjatë gjithë muajit gusht. Ministrja tha se ky projektligj do të sigurojë qëndrueshmëri në luftën kundër informalitetit dhe ftoi bizneset dhe grupet e interesit të japin sugjerimet e komentet e tyre, në mënyrë që drafti të jetë sa më i plotë dhe në përputhje me nevojat që ka vendi.

“Është shumë e rëndësishme të themi që ky është një proces, i cili do të sjellë të gjithë marrëdhëniet me konsumatorin më afër një marrëdhënieje të sinqertë, por mbi të të gjitha, në raport me Administratën Tatimore, një efektivitet më të lartë të gjetjeve dhe për aty ku risku është më i madh”, u shpreh znj. Denaj.

Që nga data 4 korrik e deri më sot janë inspektuar 2995 subjekte, ku janë konstatuar 1285 shkelje të ndryshme, si mosregjistrim i punonjësve, moslëshim i kuponit tatimor, apo subjekte të palicencuara. Nga inspektimi në Rajonin Qendror të vendit, që përfshin Tiranën, Durrësin, Pogradecin, Korçën, Kavajën, janë konstatuar 532 shkelje, nga 1137 kontrolle, ndërkohë që në 18 raste është konstatuar moslëshimi i kuponit tatimor, për herë të dytë.

“Ne do të vazhdojmë të jemi në terren jo vetëm në muajin gusht, por gjatë gjithë vitit, duke u transferuar nga linjat bregdetare në qytetet kryesore, me qëllim që të gjithë subjektet të legalizohen dhe të paguajnë detyrimet ndaj shtetit”, tha Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve.