Postuar më: 04/09/2019

Ministrja Denaj: Bashkërendim i masave për të reduktuar informalitetin në tregun e punës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj.Anila Denaj zhvilloi një inspektim me fokus eliminimin e aksidenteve në punë dhe reduktimin e punës në të zezë, në kuadër të zbatimit të Planit Operacional Stop Informalitetit, si dhe denoncimeve që vijnë nga aplikacioni.

Në këtë inspektim që ka si qëllim garantimin e zbatimit të ligjit për trajtimin e plotë dhe të barabartë përpara ligjit, ajo shoqërohej nga Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror të Punës z.Arben Seferi.

“Në dy muajt e fundit inspektimi është kryer në shumë sektorë, por kryesisht i fokusuar tek hoteleri-turizmi ku janë inspektuar më shumë se 20,000 subjekte dhe janë konstatuar me shkelje rreth 40% e tyre, ndërsa rreth 30% e punonjësve ishin të paregjistruar sipas kërkesave ligjore, pra në informalitet të plotë. Informaliteti në sektorin e punës është problematik, ndaj është e rëndësishme t’i vëmë fre këtij fenomeni dhe garantojmë respektimin e ligjit. Duhet të theksojmë se është objektivi ynë nuk është dëmtimi i biznesit, por puna e pastër dhe jo ajo në të zezë”, tha ministrja Denaj.

Ndërsa nga ana e Kryeinspektorit të Inspektoriatit Shtetëror të Punës u referua një rast shkeljeje më sektorin e ndërtimit, ku u verifikuan shmangie bazuar në ligjin “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, gjë e cila solli pezullimin dhe mbylljen e kantierit të ndërtimit deri në marrjen e masave për normalizimin e gjithë këtij procesi.

“Jemi në një aktivitet të përditshëm pune dhe fokusi jonë është informaliteti, lufta kundër tij, si dhe garantimi i sigurisë dhe shëndetit në punë, që janë primare për të gjithë punëmarrësit në Republikën e Shqipërisë”, tha z.Seferaj.

Ministra Denaj, tha gjithashtu se në këtë luftë një kontribut të rëndësishëm ka edhe bashkëpunimi me qytetarët, të cilët po denoncojnë raste të shumta përmes aplikacionit StopInformaliteti.

“Në bazë të informacioneve që marrim dhe procedojmë, ne kemi evidentuar shkelje. Një rast i ndjekur nga ana jonë është edhe ai i një punëmarrëse, e cila denoncoi se nuk e merrte pagën e plotë. Nga verifikimet, rezultoi se kompania ishte në shkelje, jo vetëm me këtë punonjëse, por për të gjithë, pasi i paguante më pak se paga minimale. Është e rëndësishme të theksojmë se lufta kundër informalitetit nuk mund të bëhet vetëm me institucionet, as me inspektoriatet dhe gjithashtu jo vetëm me aplikacione. Kjo bëhet si një luftë e të gjithë qytetarëve shqiptarë për të kërkuar të drejtën e tyre, por edhe e gjithë biznesit për zbatuar detyrimet ligjore, si në raport me Administratën Tatimore, ashtu edhe atë të ligjeve që rregullohen në bazë të Kodit të Punës. Në vijim unë mendoj që procesi do të vazhdojë, i fokusuar në muajin shtator tek firmat e ndërtimit për të eliminuar sidomos aksidentet në punë, por të mos harrojmë që nuk është vetëm ndërtimi ai që mund të prodhojë aksidente në punë, janë dhe shumë sektorë të tjerë”, tha ministrja Denaj.

Gjatë periudhës shtator- nëntor, fokusi i punës së Inspektoriatit Shtetëror të Punës do të  jetë në mënyrë të veçantë sektori i ndërtimit. Për këtë do të bashkëpunohet edhe me bashkitë, të cilat në momentin që aplikojnë leje ndërtimi do të duhet të vënë në dijeni institucionet në mënyrë që të marren masa për të shmangur mosrespektimin e ligjit.