Postuar më: 31/05/2019

Ministrja Denaj: Bashkëpunimi qeveri vendore-biznes-komunitet krijon qytete më miqësore

Ministria e Financave dhe Ekonomisë është angazhuar në një dialog të vazhdueshëm me njësitë e qeverisjes vendore për të siguruar planifikim, vendosur objektiva dhe për të matur rezultate, të cilat vlerësohën në fund me nivelin e zhvillimit ekonomik. Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e ftuar në konferencën ndërkombëtare, “Për qytetet miqësore për fëmijët”, në prag të festës së fëmijëve.

Ministrja Denaj theksoi nevojën e rritjes së qëndrueshme të investimeve të Bashkive nga niveli mesatar prej 29 % që është aktualisht.

Gjithashtu, bizneset mund të bëjnë shumë më tepër për të krijuar hapësira miqësore për gjeneratën e re.

Me mbështetjen dhe lehtësimin e MFE, bashkëpunimi i trinomit qeveri vendore-biznes-komunitet, do të jetë edhe më proaktiv ndaj fondeve për të krijuar qytete me miqësore për fëmijët.

 

Fjala e plotë e Ministres Denaj:

Ju përgëzoj për iniciativën dhe organizimin e kësaj konference për zhvillimin e qyteteve me në fokus fëmijët.  Bashkëpunimi i trinomit qeveri vendore-biznes-komunitet  është  shumë i rëndësishëm për zhvillimin  e  qyteteve tona  dhe për krijimin  e hapësirave miqësore, jo vetëm për fëmijët, por edhe grupe të tjera të komunitetit.

Në raport me kontributin e qeverisë, për pjesën e asaj shtylle që unë përfaqësoj, është e rëndësishme të theksojmë se çfarë ka bërë në këto vite qeveria shqiptare në disa aspekte. Në aspektin e parë do të përmendja decentralizimin e shumë roleve në vendimmarrje, duke i dhënë bashkive një rol më determinues në vendimmarrje për të përcaktuar politikat, për të përcaktuar dhe drejtimin e vendit lokal, së bashku me komunitetin e tij. Kuptohet që kjo është një punë që çdo kryetar bashkie e ndjek vetë më pas.

Dua të marr shkas nga takimi i javës së kaluar, një konferencë të organizuar në bashkëpunim me USAID, i cili ka qenë një partner shumë i rëndësishëm për ne në gjithë këtë proces, ku për herë të parë u prezantua raporti zyrtar për financat vendore.

Ishte një raport që tregonte se si ky proces decentralizimi, në këto hapa të para, mund të ndihmojë për të projektuar më mirë në hapat e dyta e më tej, si në aspekt të të ardhurave të gjeneruara nga bashkitë, ashtu edhe në raport me shpenzimet dhe ku këto shpenzime janë të fokusuara.

Dua të përmend disa shifra kryesore: 42 % e shpenzimeve publike të qeverisë vendore në nivel mesatar, pasi nuk po flas këtu vetëm për Tiranën, e zënë shpenzimet e personelit, 29 % shpenzime kapitale, 29 % shpenzime operative. Nuk marr përsipër të gjykoj nëse është një shpërndarje e drejtë apo jo, e vetmja ftesë që do të bëja është që pas një kohe të caktuar të kishim kritere të tjera, përveç këtyre zërave, se si do t’i lexonim këto shpenzime, në atë atë që do të jenë shpenzime për ta bërë qytetin më miqësor ndaj fëmijëve, ndaj individëve me aftësi të kuzfizuar, apo të qytetarëve më të margjinalizuar, e të tjera objektiva që duhet të ketë bashkia respektive dhe Këshilli Bashkiak.

Është e rëndësishme që në këtë projekt decentralizimi të vendosim objektiva dhe të masim performancën. Kuptohet që bashkërendimi qeveri qendrore dhe lokale është i përhershëm, mbështetet në parimet objektive të planifikimit, por vendosja e performancës dhe indikatorëve është po aq e rëndësishme dhe besoj që në këtë konferencë ne do të mësojmë të gjithë se kush do të ishin ato kritere që do të na ndihonim ne për ta bërë qytetin më miqësor, e para për ta ndërtuar atë, bashkë me komunitetin, dhe pastaj për të matur nëse jemi duke bërë gjënë e duhur në kohën e duhur.

Kuptohet që ka një shtyllë të rëndësishme, shtylla e tretë përtej asaj të bashkisë që do të flasë vetë kryetari i bashkisë, është shtylla komunitet dhe unë do të ftoja që bizneset të shikonin pak më hapur këtë qasje sot, të mendonin edhe ata përveç qeverisë qendrore apo asaj lokale se çfarë mund të bëjnë për t’i bërë ambientet e tyre të shërbimit më të hapura ndaj pranimit të fëmijëve në rastin konkret apo rritjes së kënaqësisë së konsumatorit, nësë fëmijët do t’i konsideronim si konsumator, sepse nuk lidhet vetëm me kënaqësinë, por lidhet dhe me biznesin e tyre kështu që është një ftesë dhe për ata dhe kjo konferencë kontributon për një kuptueshmëri më të lartë për të gjithë palët në këto marrëdhënie, për ta çuar përpara komunitetin.

Një nga fëmijët përmendi nevojën që do të kishte ai për të ndërtuar disa pallate, për të krijuar një bazë më të mirë dhe strehimi. Është e rëndësishme që ta marr këtë si një shembull edhe të objektivit që ka qeveria shqiptare për të ndihmuar në disa aspekte të tjera në nivel qendror. Në vitin 2018 është rritur me gati 30 për qind pjesa e buxhetit e adresuar në strehim ky është një tregues i angazhimit që ka kjo qeveria pë të çuar përpara reformat në të gjitha aspektet, por dhe në mbështetje e ndihmë sociale.

Nuk dua të lë pa përmendur dhe ligjin më të fundit, atë të nxitjes së Punësimit, i cili i jep një fokus shumë të rëndësishëm nxitjes në punësim të atyre kategorive të cilat sot mund të jenë pak më të nënvlerësuara, me aftësi të kufizuara, por që janë të aftë për të hyrë në tregun e punës dhe mund të rezultojnë po aq produktivë sa të gjithë ne.

Këto janë disa nga elementët që desha të përmendja sot.

Unë i uroj kësaj konference punë të mbarë, diskutime të frytshme, të na japë sa më shumë informacion se si ne të ndërtojmë më tej objektivat tanë, si të përcaktojmë disa kritere, qoftë dhe matje të performancës më vonë, dhe mbi të gjitha të realizojmë që trinomi qeveri qendore-qeveri vendore-komunitet të funksionojë së bashku në një dialog permanent për të vazhduar më tej objektivin.

Faleminderit dhe suksese.